E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina: Dejzilend, shfaqja më e shikuar në TK

Prishtinë, 13 Janar NOA/Milea Selimi - Ka
nisur mirë sezoni i ri i teatrit në shtetin më të ri të Evropës, Prishtinë.
Projektet më të mira të vitit të kaluar, reprizat që kanë patur një numër
shikueshmërie të lartë në sezonin 2009 po vazhdojnë të jepen me sukses në
Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Me një strukturë të re drejtimi, me vizione dhe
strategji të përcaktuara qartë, ky teatër nën drejtimin e regjisores së njohur,
Burbuqe Berisha, duket se po tenton të vendosë marrëdhënie të reja me publikun
prishtinas dhe dashamirësit e teatrit.

Teatri Kombëtar i Prishtinës ka nisur janarin
me shfaqjen Dejzilend",një komedi bashkëkohore e dramaturgut të njohur
amerikan Kristofer Durang e cila u shfaq për herë të parë në off-Broadway në
New York më 1983.

Befasi apo jo, ajo ka qenë shfaqja më e
shikuar gjatë vitit 2009, vënë në skenë nga regjisori Agon Myftari, ku luajnë
aktorët Ilire Çelaj, Ernest Malazogu, Yllka Gashi, Adriana Matoshi, Ylber
Bardhi.

Premiera e kësaj shfaqje ishte dhënë më 24
shkurt të vitit 2009. Komedia "Dejzilend" në tërësi ka mbledhur rreth
1600 shikues, duke pasur konkretisht 13 shfaqje.

Pas "Dejzilend" vjen shfaqja
"Vdekja dhe Vasha" e regjisorit Fatos Berisha, pastaj shfaqja e
trashëguar nga një vit më parë "Çifti Martin", në regji të Bekim
Lumit dhe pas saj vjen shfaqja "Bodrumi", në regji të Fadil Hysaj

Mysafire në javën e parë të janarit në Teatrin
Kombëtar të Prishtinës ishte edhe trupa Teatri Sub Cult-nga Shkupi me veprën "Përmbledhja
e plotë e veprës së Shekspirit e shkurtuar lehtë", shkruar nga Fernando
Arrabal me regji nga Sulejman Rushiti.

Paralel me shfaqjet në Teatrin Kombëtar
Prishtina gjallon në fushën e teatrit edhe me Teatrin Oda, e cila ofron për
prishtinasit më datën 14 janar shfaqjen Piknik në fushëbetejë Piknik në
fushëbetejë që sjell tragjikomedinë absurde të njerëzve me logjikën e gabuar
në vendin e kohën e gabuar.

Në konceptin regjisorial të Florent Mehmetit
mund të quhet me të drejtë shfaqje e qeshjeve histerike me logjikimet e
personazheve dhe ngjarjeve që u ndodhin atyre në piknikun e fushëbetejës.

Është fat i madh që spektatorët mund të qeshin
me rrëfime të tilla, të cilat interpretohen nga aktorët: Besnik Krapi, Ilire
Çelaj, Besar Zahiti, Besfort Daka, Xhejlane Tërbunja, Alban Zogaj.

e.r/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›