E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kohë për askund, kohë për poezi

Botimi

Një metamorfozë vërtitet nëpër libraritë shqiptare! Janë librat me poezi, të cilët lëngojnë ndër qoshe, një hap larg drejt zhdukjes, por që nuk vdesin kurrë, sikur të ishin dinozaurë parahistorikë, mrekullisht të ikur me galop nga ligjet e Darvinit. Ata shfaqen duke vrapuar përreth qyteteve tona në fushat e male, por vihen re vetëm nga turistët kureshtarë për t’u zhdukur përsëri! E tillë më ngjan marrëdhënia e poezisë me sociologjinë e saj. Ne lexuesit jo të shumtë të poezisë, jemi nga ajo racë turistësh, dëshmitarë të gjallnimit të poezisë.
“Kohë për askund”, libri i fundit i poetit Arben Shehi, është një arkitekturë ekzemplare temash dhe formash, ku gjithçka përkundet përreth një gjuhe që e shndërron poetin në dëshmitar të përsiatjeve të veta e atyre tonave, përsiatje që burojnë nga mitet, marrin trajtë nga realiteti për të kulmuar tek ëndrrat. Jeta e autorit bëhet referencë e poezisë dhe anasjelltas, poezia referencë e jetës së autorit. është dyfish iluzive, poezia e Shehit! Ajo ka një transparencë formale, por është vetëm një cipë e hollë marramendëse, ku gjithsecili mund të shohë diçka por jo gjithçka! Kështu merr jetë interpretimi personal dhe bashkautorësia, koncept i vonë, i dobishëm për poetët dhe lexuesit. Modeli i lexuesit bodlerian, si bashkudhëtar i autorit në aventurën poetike, ku lexuesi nuk deshifron figurën poetike, por rikrijon motërzimin e saj, mund të merret në konsideratë në këtë qasje. Regjistrat gjuhësorë funksionojnë në mënyrë dinamike dhe të errët njëkohësisht, duke u alternuar nga gjuha e përditshme, tek ajo më e rafinuara për të rrëshqitur jo rrallë në rrathët e mistershëm të ekspresionizmit.
Kondensimi gjuhësor arrin lartësi shpërthyese, apo transformime që i ngjajnë një fryme tragjike, një zgafelle të dhimbjes, një zëri të qashtër që nuk e ka humbur besimin te fjala dhe rrëfimi, si akte çliruese, impenjuese dhe emancipuese. Nga bashkëjetesa e këtyre regjistrave formësohet stili, i cili është elementi bazë i identitetit poetik. çdo vepër letrare i përcjell lexuesit një mesazh për t’u receptuar nëpërmjet një kodi, i cili nga teksti në tekst, shfaqet si shenjë, si simbol, si konkretësi, herë zbehtë e herë qartë. Ky kod, kjo shenjë është Shkodra. “Zoja e randë” është vendi i rrënjëve, por edhe horizont i së ardhmes. Fotografi fëmijërie por edhe ballafaqim i pamoshë. Shkodra fiton falë humbjeve të saj. Ajo është ferishte dhe e vjetër sa nuk mbahet mend…! është trup i transformuar në kohë, që e shtyn poetin t’i bashkëngjitet çetës të poetëve referencialë Fishtës, Mjedës, Shantojës, Koliqit, Migjenit, Shirokës, Zorbës, për të cilët qyteti i Veriut ishte vend dhe histori, ligjërim dhe realitet letrar.
Tema të ngritura në diskurs filozofik janë Jeta dhe Vdekja, në kapërthim të vazhdueshëm për të përvetësuar dashurinë e nga cila buron dhimbja! Në krah të kësaj dhimbjeje, si mjet njohjeje dhe element identiteti konfigurohet një përfytyrim i reales, e cila është e dënuar të jetë një e tashme e përjetshme, një kohë që nuk të çon askund. Ka intrasigjencë etike në poezinë e Shehit, por ajo nuk është tradita kundër progresit, por raporti i vjetër midis dëshirës ideale dhe së pamundurës që lë shijen e mospajtimit. Gjejmë tek ky libër hapësira pa emër dhe emra që e kanë pushtuar hapësirën nëpërmjet konfirmimit historik, histori që nënkuptohet si trashëgimi.
Kam lexuar shënime gjurmëlënëse për poezinë e Shehit, ku shumë autorë si Londo, R. Marku, T. Laço, ndalen duke përkufizuar lirizmin, sigurisht të dukshëm dhe rezonant, por në këndvështrimin tim është për t’u ndalur edhe te mendimi i strukturuar, tek intelektualizmi poetik. Statusi i autorit pretendon të krijojë edhe statusin e lexuesit, qoftë ky pretendim i shfaqur haptas, apo i shfaqur i figuruar. Ky status nënkupton letërsinë e vjetër shqipe, tekstet e kulturës klasike, bashkëkohësinë e strukturuar sipas rrymave të veta, gjuhën e medias dhe masmedias, kodet e reja të komunikimit të përcaktuara nga fjalori politik i tranzicionit, pikat e referimit dhe horizontet e pritjes të një shoqërie në kërkim frenetik, elitizmim moral dhe elitat drita e të cilave daravitet dhe mjegullohet si feniks, familjen etikisht dhe estetikisht në performacë tradicionale e moderne.
Sot lehtësia e frazës na paraqitet si karakteristikë shënjuese e artit bashkëkohor, sepse nënkupton superioritet, lojë, veçanësi, elegancë e padyshim letërsia është e gjitha kjo së bashku. Këtë tipar e ndeshim kudo gjatë kohës për askund, duke e përfunduar udhëtimin tonë për dikund, për tek ai cak që është letërsia bashkëkohore e Arben Shehit. Industria kulturore na imponon jo pak herë, mure të formave të ndryshme, duke na bombarduar me libra që predikojnë fundin e historisë apo zgjidhjen e enigmave totale dhe ne, herë të trishtuar apo të gëzuar, i marrim seriozisht, duke harruar me naivitet, se një histori e re fillon sa herë shkruhet një poezi dhe enigmat shtohen pas çdo leximi të tyre, duke nxitur atë dialog të paqtë me vetveten, atë moment themelor e të pazëvendësueshëm për dialogun me tjetrin. Përfitoj nga ky rast publik, ta falënderoj Arben Shehin për këtë nxitje të fisme!

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›