E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metaforika e ëndrrës së prerë

Për librin e Ardian Jasiqit, “Gjuha e Mendjes”, botuar nga shtëpia botuese Jeta e re, në Prishtinë.

Zhvillimin e veprimit autori e vendos në Junik, në vendlindjen e personazhit, mësuesit Arben, ndërsa nyjat kompozicionale më tutje, bartin edhe dy linja tjera: atë të udhëtimit deri në burgun e Nishit dhe atë të kthimit, ku përfundojnë me vdekjet e personazheve.

Tragjika e personazheve personifikohet dhe provokohet në disa rrafshe: në rrafshin real-historik dhe në atë simbolizues, ndërkohë që vepra shkruhet e thuret në disa rrjedha mendimesh e rrjedha ndërdijesh, të cilat mpleksen e ndërthuren ndjërmjetvetshëm e krejt natyrshëm, ashtu si të diktohet rrjedha e rrëfimit dhe e jetës.

Rrëfimi autorial i kohës së tashme, i dorëzohet një rrëfimi në retrospektivë, të bartësit të rrëfimit të ngjarjeve, për traditat familjare, për veçimin e ndonjë sekuence etnografike a trashëgimore. Ky rrëfimtar e ekspozon fabulën e romanit duke e përcjellë rrjedhën kronologjike të ngjarjeve, kund e kund, duke e thyer këtë kronologji, duke e ndërruar rrjedhën fabulative, me procedimorin retrospektiv, me rrëfimin memorial e kund e kund, me përqasjet e ëndrrës apo të parandjenjës.

Pikërisht mbi bazën e tillë realiste të të vërtetës, shfaqen personazhe nga rrethi familjar, nga bashkëfshatarët, njerëz të rezistencës e të organizimit, si kryeplaku, njerëz të tjetërsuar në ndërgjegjen e tyre kombëtare, si Avni shitësi, bashkëpunëtor i Serbisë, apo tipa policësh serbë, paramilitarësh të Arkanit etj...

Ky roman i shkurtër nuk ka ndonjë strukturë shumështresore, të ndërliqshme, sikundër mund ta takojmë tek romanet bashkëkohore. Teksti romanor paraqet një tërësi të rrumbullakuar e të formësuar, që realizohet në rrafshin e zhvillimit të rrëfimit të brendshëm. Ashtu sikundër na sugjeron narratori-autor, tema themelore e romanit është fati i familjes së mësuesit Arben, rezistenca arsimore e intelektuale gjatë viteve '90, deri tek shpërthimi i luftës së UÇK’së. E nëse ky tip vuajtjesh gjatë atij shtegtimi tragjik e përcjell personazhin gjatë gjithë jetës, atëherë autori ka të drejtë që, nëpërmes lartësimit e sublimimit të këtyre vuajtjeve, t’i mbushullojë hapësirat e lënduara të gëzimit të humbur a të harresë së dashurisë. Aty janë edhe ëndrrat si dëshmitarë të ekzistimit e të mbijetesës, mbijetesës si e fundmja ide, si e fundmja filozofi, pasi të gjitha të tjerat janë shembur përdhe. Aty është edhe shpirti narrativ i personazheve me dëshminë e kësaj përvoje të dhimbjes.

E pra, subjekti ligjërimor romanor nuk është ndonjë qenie e një realiteti krejtësisht të zhveshur… edhe në aso momentesh më të ndjeshme, mu në zgripin e ekzistimit, ai ëndërron. Me anë të ëndërrimit, ai jepet pas rrëfimit memorial, të trashëgimisë së familjes, të bëmave atdhetare, të mënyrës së jetesës, të bukurisë së këtij përjetimi ekzotik, por ëndrra e tillë shërben edhe si parandjenjë e kobit dhe tragjedisë... Është, pra, një gjakim për ëndrrën e jetës, një ëndërr-pasion, një ëndërr-gjakim, e cila e shpie më tutje në shtigjet e jetës, në aventurat tragjike të shtegtimit, do të thoshim, në kulturën narrative të shtegtimit shqiptar, në odisejadën e këtij shtegtim-ëndërrimi për lirinë dhe për sakrificën familjare e atdhetare…

Në këtë shtegtim-udhëtim të kaosit të luftës e të vdekjes, me aq e aq vuajtje e dhimbje (personazhi dy herë plagoset e njëherë i bie të fikët në spital, dy herë arrin t’iu ikë pritave policore serbe); si dhe me aq e aq tragjedi familjare, - autori nuk pikësynon aspak mbufatjen e heroizuar...

Romani ka dy ndërthurje planesh: jetën e ngjarjet në fshat, dhe përjetimet gjatë udhëtimit. Tematika e shtegtimit shndërrohet në metaforikë të udhëtimit, bëhet metaforë e vetëreflektimit… si stafetë ngjarjesh që i përcillen njëra-tjetrës nëpër kohë, si rrugëtim i konstitucionit shpirtëror etnik të mbi-ekzistimitmit shqiptar në dimensione kohe... (në filozofi, udhëtimi i tillë, sikundër do të thoshte Michel Foucault, shndërrohet në metaforë meditative të progresit), por këtë shtegtim idealist, rrëfimtari e ndërpret mu në mes, ashtu siç pritet në mes një ëndërr e bukur nga ankthi real. Porse vetë jeta e tillë është një përmbajtje heroizuese, e lartësuar së brendshmi, si ndërgjegjësim i kësaj gjuhe shpirti e gjuhe të mendjes rrëfimore, si dëshmi e dokument narrativ i idealizmit shqiptar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›