E Diel, 1 Nëntor 2026

Meteorologët: Shtatori mbyllet pa shi dhe me temperatura të larta



Edhe këto pak ditë që kanë mbetur nga muaji shtator nuk do të sjellin ndryshim të motit. Meteorologët thonë se vranësirat dhe temperaturat e larta do të vazhdojnë të mbizotërojnë. Ata thonë se edhe ditët e vjeshtës do të vijojnë të jenë me vranësirë dhe të thata, ndërsa shiu do të jetë i pranishëm gjatë muajit tetor, por edhe në ketë periudhë do të jetë i dobët dhe i izoluar.

Moti

Fundjava do të ketë mot me temperatura relativisht të larta, ku termometri do të shënojë temperaturën deri në 28 gradë, ndërsa fillimi i javës do të ketë temperatura kryesisht më të ulëta, duke bërë që termometri të shënojë një rënie prej disa gradësh. Meteorologët parashikojnë se moti do të vazhdojë të jetë i paqëndrueshëm, do të vijojë të ketë kthjellime. Sipas tyre, java në vijim pritet që të nisë e kthjellët, kryesisht në bregdet dhe në zonën e ulët, zonat malore do të vijojnë të jenë me vranësirë dhe herë pas here me ndonjë shi të dobët dhe të izoluar. Për sa u përket temperaturave, dita e martë do të ketë rënie me 3 gradë në gjithë territorin. Ndërkohë që edhe këto pak ditë që kanë mbetur nga muaji shtator, nuk do të ketë shi, duke bërë që edhe muaji shtator, muaji i parë që njofton ardhjen e vjeshtës, stinës tipike me shi, të mbyllet pa reshje shiu. Nga ana tjetër këto ditë do të shoqërohen nga kthjellime, ndërsa vranësirat do të jenë prezente vetëm në zonat malore. Temperaturat do të pësojnë një rënie me tre gradë të martën që vjen, ndërkohë që vlerat e tyre do të rriten sërish në ditët në vijim.

Vjeshta

Ndonëse është paksa herët, meteorologët tentojnë të bëjnë një parashikim disi të guxuar, duke thënë se e gjithë vjeshta do të shoqërohet me temperatura përgjithësisht të larta. Ndërsa për sa i përket shiut, do të ketë rënie më të pakta sesa sezonin e kaluar në po të njëjtën periudhë. Sipas tyre: “Vjeshta parashikohet më e thatë dhe më e ngrohtë se në 2008-n. Shirat do të jenë në sasi më të paktë se një vit më parë, për sa u përket temperaturave do të jenë më të ngrohta. Edhe parametrat e erës, sipas meteorologëve, nuk do të jenë problematikë, e për pasojë deti do të jetë i qetë, duke u karakterizuar nga një dallgëzim i ulët”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›