Studimi, vetëm 8% e shqiptarëve përdorin kontraceptiv
Metodat e planifikimit familjar në Shqipëri njihen në një masë të vogël krahasuar me numrin e popullsisë. Në Shqipëri, vetëm 8 për qind e popullsisë përdor kontraceptiv dhe rritja e këtij nxit nevojën për zbatimin e programeve që të zgjojnë tek të rinjtë nevojën për t’i përdorur ato, sipas programit të Komunikimit për Ndryshimin e Sjelljes të mbështetur nga USAID. Në Ditën Botërore të Kontracepsionit, dje në Tiranë u zhvilluan aktivitete nga ky program për rritjen e informimit dhe sensibilizimit të popullsisë për përdorimin e metodave të kontracepsionit. Njëri prej aktiviteteve ndërgjegjësuese u zhvillua tek ura e re e Lanës, ku në këtë hapësirë u vendosën dy tenda informative, ku jepeshin të dhëna për planifikimin familjar dhe kontracepsionin.
Qëllimi i këtij aktiviteti është ndërgjegjësimi, sidomos i moshave të reja, për të përdorur kontraceptivët si mundësia më e mirë për të planifikuar familjen. Drejtori i Programit të Komunikimit për Ndryshimin e Sjelljes, i mbështetur nga USAID, Arian Boçi, deklaroi dje ky program përmes edukatorëve bashkëmoshatarë jep informacione edukuese dhe sensibilizuese për përdorimin e metodave të planifikimit familjar dhe kontraceptivët. Sipas Boçit, për të qenë ky program sa më efikas dhe ndërgjegjësimi i njerëzve të jetë sa më i lartë për përdorimin e kontracepsionit, prej muajsh është punuar dhe po punohet me shumë grupe interesi, përfshirë këtu farmacistët, gazetarët dhe studentët në Tiranë, Vlorë e më pas Elbasan.
Boçi theksoi dje se ka një rritje të qëndrueshme, por të ngadaltë, të përdorimit të metodave të kontracepsionit familjar. Ndërkaq, e pranishme në këtë aktivitet shefja e Promocionit në Institutin e Shëndetit Publik, Jeta Lakrori, ka theksuar se metodat moderne të kontracepsionit aplikohen më së shumti në zonat urbane. Sipas saj, këto metoda adaptohen më së miri nga njerëzit e arsimuar dhe me gjendje ekonomike të shëndoshë, por në këta përdorues numrin më të madh e përbëjnë femrat.
Sipas Lakrorit, ndër metodat e planifikimit familjar, burrat njohin më mirë prezervativin, që përdoret më shumë nga të rinjtë, në masën 70%, ndërsa burrat me moshat mbi 40 vjeç vazhdojnë të përdorin në një masë të konsiderueshme metodën tradicionale në 67%.
Mjetet kontraceptive janë disa llojesh, si tableta, injeksione, spirale dhe kondom, që është i vetmi mjet kontraceptiv që të mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, HIV/AIDS apo shtatzënitë e padëshiruara. Për t’u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare, me qëllim që jeta në çift të jetë e shëndetshme dhe e sigurt, USAID-i prej vitesh aplikon në vendin tonë projekte për planifikimin familjar. Këto kanë synuar të rrinin numrin e individëve që përdorin kontraceptivët, me anë të fushatave sensibilizuese. Specialistët kanë theksuar se metodat kontraceptive jo vetëm planifikojnë të ardhmen e familjes, por ato kanë një rëndësi të veçantë, pasi gratë që i përdorin, janë më të mbrojtura dhe më pak të rrezikuara për t’u prekur nga kanceri i gjirit apo i mitrës.