E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meterologët: Java që vjen, më e ftohta e vitit

Sipas parashikimit te meteorologëve të Metoalb, java që vjen parashikohet të jetë java më e ftohtë e të gjithë vitit. Temperaturat maksimale në zonat malore do zbresin deri në -2 gradë, në zonat e ulëta maksimalja do të jetë 5 gradë 

TIRANE-Java që vjen parashikohet të jetë java më e ftohtë e të gjithë vitit. Nuk do të ketë shira, por temperaturat do të ulen me plot 6 gradë celcius. Të paktën ky është parashikimi i meteorologëve të Metoalb. "Dita e djeshme ka nisur e kthjellët në pjesën më të madhe të vendit, por gjatë pasditeve ka pasur edhe ndonjë vranësirë, kryesisht në veri të vendit, - shpjegon meteorologia Tanja Porja. - Duke filluar që nga dita e nesërme dhe në vijim, e hëna dhe e marta, do të karakterizohen nga një mot kryesisht i kthjellët, por nuk do të mungojnë as vranësirat e dobëta që do të shfaqen kryesisht në veri dhe verilindje si edhe në zonat malore. Në zona të veçanta mund të gjenerohen edhe reshje të dobëta dëbore. Temperaturat e ajrit dje kanë rënë me 4 gradë, ndërkohë që një tjetër rënie temperaturash me 2-3 gradë celcius pritet të shënohet edhe gjatë ditës së sotme, më e ndjeshme kjo në mëngjes. Rënia e temperaturave do të vijojë edhe javën tjetër, e cila pritet të jetë java më e ftohtë e vitit", - ka shpjeguar meteorologia Tanja Porja. Sipas saj, era do të forcohet gjatë mbrëmjes të së shtunës dhe gjatë gjithë ditës së sotme do të fryjë me shpejtësi deri 50 km/h në tokë dhe mbi 60 km/h në det duke krijuar dallgë mbi 2.0 m, por ditën e hënë nis dobësimi i erës në tokë dhe në det. Drejtimi i erës do të jetë permanent verior. Temperaturat maksimale në zonat malore do të zbresin deri në -2 gradë, në zonat e ulëta temperatura maksimale do të jetë 5 gradë, ndërsa në bregdet maksimalja që do të shënojë termometri do të jetë 7 gradë celcius.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›