E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metrat e parë të autostradës

Që nga rruga që të çon te kufiri me Shqipërinë, disa kilometra lart në të djathtë, shihen ekskavatorë që gërryejnë shpatet. Poshtë tyre ca të tjerë përgatisin terrenin për ngritjen e kampit.

Një kolonë njerëzish që presin të hyjnë në hotelin Univers, mu pranë kufirit, patjetër të bie në sy. Aty përkohësisht janë vendosur menaxherët e konsorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka” dhe qytetarët po prisnin në radhë për të firmosur kontratat e punësimit.

Ela Ruqi, shefe e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun, shpjegon se të gjitha këto janë pjesë e dinamikës së punës për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar.
“Kemi filluar mbarë”, thotë Ruqi.

Ekskavatorët e kompanisë Bechtel&Enka tashmë kanë gërryer metrat e para të dheut në kilometrin e gjashtë nga Vërmica për në Prizren, andej, kah do t`i bjerë traseja e autostradës. Krahas gërmimeve, po ndërtohet edhe kampi për vendosjen e makinerisë, përbri të cilit do të jetë edhe punishtja për ndërtimin e platformave të urave dhe impiantet e asfaltit.

Ruqi thotë se puna ka filluar në pronë shoqërore. Aty ku kompania e ka pasur më të lehtë të merret vesh me Qeverinë për kontestet pronësore. Megjithatë, ajo nuk sheh ndonjë telash me pronat private. Përkundrazi është mahnitur me banorët se sa mirë e kanë pritur fillimin e punimeve për autostradën. Nëse gjithçka shkon në rregull, Ruqi thotë se 13 kilometrat e para do të kryhen brenda afatit, megjithëse nuk përmend se kur është afati minimal.

“Çdo punë e jonë bëhet në bazë të projekteve dhe afateve. Tani jemi në fazën fillestare të përgatitjes së terrenit dhe dizajnimit të projektit”, thekson Ruqi.

Ajo thotë se tani për tani dihet vetëm traseja nga do t’i bjerë për dy segmentet e para deri në Duhël dhe dimensionet e autostradës, për të cilën inxhinierët janë duke përgatitur detajisht planin e urave dhe aspektet e tjera teknike.

Ura e parë që do të ndërtohet, do të jetë pikërisht në vendin ku simbolikisht krerët e shtetit më 25 prill, patën dhënë dritën jeshile për fillimin e punimeve. Kjo urë do të kalojë mbi rrugën ekzistuese duke e devijuar autostradën drejt fshatit Zhur.

Por, deri në fund të qershorit, Bechte&Enka është fokusuar të bëjë sistemimin e makinerisë, punësimin e stafit të nevojshëm dhe të kryejë matjet gjeologjike.
Deri atëherë, zyrtarët e kësaj kompanie besojnë se Qeveria e Kosovës do të vendosë edhe për pjesën tjetër të autostradës, saktësisht, segmentin e tretë, ku është diskutabile nëse do të shkohet me tunele ose do të ketë devijim.

“Ne i kemi ofruar Qeverisë si alternativë devijimin dhe tash është duke u bërë projekti për të vlerësuar nëse është më mirë me tunele apo duhet të bëhet devijimi”, thekson Ruqi.
Vendimin final për cilëndo alternativë ajo thotë se do ta marrë Qeveria, ndërsa kompania është e gatshme ta respektojë atë. Krahasuar me terrenin në pjesën e autostradës së Shqipërisë, Ruqi thotë se në Kosovë, pjesa ku po zhvillohen punimet fillestare është me më shumë baltë dhe ka pak terren shkëmbor.

Në anën tjetër, ajo pohon se vazhdimisht janë duke punësuar punëtorë të rinj për nevoja të zhvillimit të projektit.

“Bechtel do të ndjekë dy strategji të punësimit. Njëra do të jetë punësimi direkt i stafit udhëheqës, si inxhinierë e punëtorë të specializuar; si dhe përmes nënkontraktorëve”.
Tashmë për pozitat e hapura për punësim direkt në konzorciumin amerikano-turk, kanë konkurruar mbi një mijë persona dhe dhjetë prej tyre janë punësuar. Të tjerët, zyrtarët e kompanisë thonë se do të punësohen në faza.

“Sa herë të përparojë projekti, do të ketë nevojë për staf të ri dhe varësisht prej nevojave do të ketë edhe punësim”, thekson Ruqi.
Ndërkaq, disa nga kompanitë e nënkontraktuara, tashmë kanë filluar punën për Bechtelin dhe kryesisht po përgatisin terrenin për vendosjen kampit dhe punishteve. Edhe materiali për ndërtimin e autostradës, kryesisht do të merret nga Kosova.

Detajet e autostradës

Gjerësia e rrugës është 28 metra. Rruga do të këtë dy shirita qarkullues me gjerësi 3.5 metra. Do të jetë e tipit të mbyllur me hyrje dalje vetëm nëpër kyçje. Do të ketë mburojë mbrojtëse dhe mure kundër zhurmës. Do të këtë taksë rrugore. Kohëzgjatja e punimeve nga dita e punimit do të jetë për 36 muaj. Numri i punëtorëve për ndërtimin e autostradës në total është rreth 6000 punëtorë, prej të cilëve 4 mijë vendorë. Autostrada do të këtë të njëjtat parametra sikur autostrada Split-Zagreb.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›