Ministri italian, Fitto: Shqipëria me një situatë ekonomike e sociale shumë pozitive Ministri Italian për Çështjet Rajonale, Raffaele Fitto

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të përzemërt ministrin Italian për Çështjet Rajonale, Raffaele Fitto, së bashku me delegacionin që e shoqëronte atë. Fitto falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i përcolli përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore të Kryeministrit italian Silvio Berlusconi, si dhe shprehu kënaqësinë e tij për organizimin e një konference kaq të rëndësishme në Tiranë mbi mbështetjen italiane për integrimin e Shqipërisë në BE, një tjetër shembull i shkëlqyer ky i vullnetit të qeverisë italiane për të mbështetur dhe përkrahur integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha i uroi Fittos mirëseardhjen duke u shprehur se ai është një mik i vendit tonë, që në vitet kur ishte President i Rajonit të Pulias, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe se kjo vizitë është një tjetër kontribut i forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë në fusha të ndryshme. Ministri Italian u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel shumë të mirë dhe se veçanërisht këto vitet e fundit kanë njohur një ngritje dhe intensifikim të madh, në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Ai theksoi se qeveria italiane është e vendosur të intensifikojë edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, duke mbështetur fuqishëm bashkëpunimin ekonomik dhe hartimin dhe zhvillimin e projekteve rajonale me rëndësi dhe interes reciprok. Gjatë takimit u diskutua mbi fushat e bashkëpunimit dhe për investimet italiane në Shqipëri në energji, infrastrukturë etj. Ministri Fitto tha se Shqipëria është një vend me një situatë ekonomike dhe sociale shumë pozitive, falë reformave të qeverisë shqiptare dhe se rritja e madhe dhe e vazhdueshme ekonomike e vendit ishte shumë inkurajuese si për shtimin e investimeve italiane, ashtu dhe për suksesin e projekteve në nivel rajonal.