E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mevlan Shanaj: Le të shohim gjeneratën e re

Intervista / Regjisori flet për problemet që QKK ka lënë hapur, për buxhetin që duhet të rritet, edhe pse cilësia e kinemasë shqiptare ka rënie.

Zoti Shanaj, së shpejti vendoset për zgjedhjet në Qendrën Kombëtare Kinematografike.


Çfarë do t'i kujtonit kryetarit dhe bordit të ardhshëm?


Së pari dua të them se më ka ardhur një informacion QKK ku thuhet se Xhevdet Feri do të vazhdojë të jetë kryetar i Qendrës.


Ju si e keni interpretuar?


Si një veprim të përkohshëm të ministrit të Kulturës derisa të përfundojë praktika e propozimeve të kandidaturave në ministri dhe të çohen tek kryeministri për emërim. Ministri nuk mund të dalë para kryeministrit. Nga ana tjetër kam përshtypjen se kryeministri s'ka shumë qejf t'i ndërrojë stafet.


Në fakt kryeministri aktual i ndërron shpesh stafet, shembull janë ministrat e kulturës.
Ministrat e kulturës i kanë mbetur në dorë kryeministrit, ashtu siç të mbeten gjërat në dorë.

Atëherë ju thoni se Feri do të jetë në krye të QKK-së?


Kështu e parashikoj unë.

Përse shoqatat janë vonuar në zgjedhjen e emrave?


Shoqatat vendosin cilët emra t'i propozojnë tek ministri i Kulturës. Përse janë vonuar? Po si çdo gjë në Shqipëri.


QKK duhet të përmirësojë apo të çojë përpara projektet, duhet të heqë dorë nga ndonjë politikë e gabuar?


Kur flasim për kreun e Qendrës, ai duket të ketë aftësi menaxhuese. Kur në 2005 u paraqita si kandidat për këtë post, prezantova një platformë.


Për vitet 2005-2009 nuk kam pasur një raport direkt me QKK. Por mund të them se një nga sukseset e kësaj periudhe është anëtarësimi në Euroimage, pavarësisht se kineastët shqiptarë ende nuk e kanë prekur. Më e saktë është të thuhet se u poqën kushtet për këtë anëtarësim.


Një nga shqetësimet që ngrënë shoqatat e kineastëve është financimi i regjisorëve të huaj. Është real apo amplifikohet ky problem?


Shqipëria nuk e ka luksin ekonomik të financojë produksionet e huaja. Bëhet fjalë për regjisorët e huaj që mbështet Qendra duke dashur të jetë më shumë internacionaliste. Por filmi është i regjisorit.


Në rastin e filmit "Muajt e mjaltit" filmi ka një regjisor serb dhe filmi është i atij nacionaliteti që i përket regjisori.
Kurse për çështjen e ndarjes së buxheteve, që është një çështje tjetër, unë nuk mund të flas.


Numërohet si shqetësim edhe administrimi i trashëgimisë së para nëntëdhjetës?


Nuk e njoh çështjen në mënyrë specifike, por nëse fjala është për të drejtën e autorit, ajo është një e drejtë e nëpërkëmbur që askush nuk po i del zot në Shqipëri.


Festivalet e filmit janë quajtur një orientim që u kanë zënë radhën emergjencave të tjera.
Festivalet e filmit le të jenë, por para se të jenë festivalet, duhet zgjidhur problemi i distribuimit të filmit shqiptar.


Filmi realizohet me paratë e qytetarëve dhe nuk po u kthehet taksapaguesve. Vepra duhet të shkojë në destinacion. Këtu përfshihet edhe rrjeti i kinemave që është mjeran, rivaliteti i filmave të huaj, shfaqja e filmit shqiptar në njëjtat ditë projeksionesh me të huajt. Në këtë drejtim punohet pak dhe menaxhohet keq.


Gabim është quajtur nga shoqatat financimi i punëve të studentëve.
Politika për të rinjtë nuk është kot. Shyqyr që Qendra Kombëtare krijon ndonjë xhep.Bordi, çfarë nuk shkon në këtë komunitet që në të vërtetë ka në duar përgjegjësitë kryesore.


Në fakt jo gjithmonë kulaçët e shtrembër i bën nusja. Tek politikat e QKK përgjegjësitë janë edhe të Bordit. Bordit i kanë munguar elementët cilësorë. Është i saktë mendimi që kanë hedhur shoqatat se në Këshillat Miratues të Projekteve nuk duhet të ketë aktorë. Vetë aktorët duhet ta kuptojnë që nuk mund të përbalten në këto histori. Përgjegjësia le të mbetet e kineastëve.


Po kërkohet një buxhet 2 milionë. Buxhet po rritet së paku çdo dy vjet, por cilësia po bie.
2 milionë euro janë pak. Por ju lutem që të mos merreni me rastet e paarritura që janë dështime, sepse dështimi s'mund të merret për model.


Si model merret suksesi. Le të shohim gjeneratën e re, çfarë do të sjellë gjenerata e re që po hyn në prodhim. Të rinjtë duhen provuar dhe stimuluar dhe jo çdo i ri duhet kuruar në maksimum. Le të shohim, pra, a do të ndryshojë diçka kjo gjeneratë apo do të rrijë aty ku jemi ne.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›