Reshjet, përmbytet autostrada Fier-Lushnjë
Disa automjete kanë ngecur gjatë orëve të natës duke mos parë se rruga ishte e mbushur plot me ujë
Edhe 40 banesa kanë parë ujërat në oborret e tyre, ndërsa është përmbytur tregu industrial i qytetit
FIER - Përmbytet një pjesë e autostradës Fier - Lushnjë, 40 banesa, si dhe tregu i qytetit të Fierit. Kjo është situata mëngjesin e së mërkurës në qarkun e Fierit, pas shirave të rënë gjatë gjithë natës.
Pas përmbytjes së një pjese të autostradës, automjetet kanë kaluar përgjatë rrugës së vjetër. Bllokimi ka ndodhur në vendin e quajtur Mbrostar ku kalimi i mjeteve është i pamundur.
Madje disa prej drejtuesve të automjeteve, duke mos pasur dijeni për përmbytjen e këtij segmenti problematik sa herë që bie shi (një segmet prej 200 metrash), kanë rënë pre e kësaj përmbytjeje teksa nuk kishte zbardhur ende dita.
Nga ana e policisë rrugore për shkak të gjendjes është vendosur një shirit në hyrje të autostradës. Ky aks rrugor bllokohet çdo vit pas shirave për shkak të terrenit e megjithatë nuk duket se ka ndonjë interes për të marrë masat për përmirësimin e situatës.
Gjithashtu, reshjet e rënë me intensitet gjatë natës kanë provokuar edhe lumin Gjanicë që kalon në mes të qytetit të Fierit.
Ai ka dalë nga shtrati dhe për pasojë është përmbytur zona e tregut industrial në lagjen "1 Maji". Jo vetëm kaq. Disa ndërtesa banimi si në lagjen "1 Maji", edhe "Kongresi i Përmetit" janë përmbytur. Deri tani janë evidentuar rreth 40 banesa në të cilat uji ka depërtuar në oborret e tyre.
Për këto dëmtime në këto familje shtabi i emergjencës i ngritur pranë prefekturës, po merr masa për përballimin e situatës ku në disa raste ka bërë të mundur evakuimin e banorëve më të rrezikuar.
Ndryshe po ndodh me përmbytjen e tregut industrial ku 200 tregtarë çdo vit përballen me këtë situatë.
Ata thonë se kanë pasur dëme në materiale për shkak se ujërat kanë depërtuar në magazinat që ndodhen pranë lumit dhe ku tregtarët mbajnë mallrat e tyre. Një gjë e tillë ka bërë që puna në treg të pezullohet edhe për ditën në vazhdim. Përmbytja e shkaktuar nga dalja e lumit Gjanicë përbën një shqetësim, duke qenë se përsëritet disa herë vit pas viti.
Bashkia e Fierit ka tentuar të largojë tregtarët nga ky vend, por ka hasur gjithnjë në kundërshtimin e tyre, me anë të protestave, çka ka bërë që ajo të tërhiqet nga vendimi i marrë.
Shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë gjatë gjithë natës kanë bërë që një pjesë e mirë e lagjeve të qytetit të Fierit të mbesin pa energji elektrike. Këto ndërprerje kanë vazhduar deri në pasdite vonë, edhe për faktin se materialet për të tilla defekte janë gjetur me vonesë.
Ndërprerjen shumorëshe të energjisë e kanë pësuar jo vetëm familjarët, por edhe bizneset që kanë punuar shumicën e kohës me gjenerator. Problemet me energjinë në Fier ndodhin çdo herë kur bie shi, për shkak të amortizimit të rrjetit elektrik, ku prej vitesh nuk është investuar asnjëherë.
Vlorë, shirat kërcënojnë rrugën pranë portit
Shirat e rëna në Vlorë kanë tejkaluar nivelet në zona të tilla, si: ish-parku i tregtisë, në zonën Çole, në Skelë e në pika të tjera periferike.
Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Halim Dervishi, pohon se situata rëndohet sidomos nga hedhjet e shumta inerte dhe urbane, të cilat depozitohen vazhdimisht në qytet dhe stuhia e nisur ka bërë që të bllokohen pusetat. Sipas tij, problematike ka qenë edhe bllokimi i kanalit që ndodhet në rrugën pranë portit, bllokim ky i ardhur pas punimeve të kryera në rrugën transballkanike.
Shirat e rëna nuk kanë shkaktuar dëme në banesa, ndërkohë që çdo situatë reshjeje mbi nivelin 70 - 80 mm, do të sjellë gjithnjë pasoja për zonën pranë rrugës së portit. Shirat e rëna, shumë herë e kanë gjetur të papërgatitur qytetin e Vlorës, ndërkohë që sasia e rënë këtë herë, sërish ka lënë disa zona në ujë, pavarësisht masave të marra.