Spahiu e Nishani, debat për transferimet
KLD
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpalli dje 22 vendet vakante në gjykatat shkallëve të para në vendit pas riorganizimit të tyre
Ministri i Drejtësisë e kreu i KLD-së replikuan, për të drejtën e gjyqtarëve për t'u pyetur në rast transferimi
TIRANË- Rikthehen debatet në mbledhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mes nënkryetarit Kreshnik Spahiu dhe përfaqësuesit të ekzekutivit në të, ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani. Debati i fundit i përket ditës së djeshme dhe lidhet me transferimin e gjyqtarëve, pas dekretit të Presidentit të Republikës Bamir Topi, për riorganizimin e gjyqësorit në vend.
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, kundërshtoi dje propozimin e zv/kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu, për transferimin e gjyqtarëve në gjykata të ndryshme në vend, pa marrë më parë pëlqimin e tyre.
Spahiu kërkoi miratimin e procedurës së transferimit të gjyqtarëve pa marrë pëlqimin e tyre gjatë diskutimeve për ndarjen dhe plotësimin e vendeve të krijuara në Gjykatat e Shkallës së Parë.
Këto vende janë krijuar pas dekretit të Presidentit të datës 16 shtator 2009, "Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit".
Kjo procedurë është kundërshtuar nga Ministri Nishani, me argumentimin se transferimi i tyre nga një Gjykatë në tjetrën pa pëlqimin e vetë gjyqtarit është në kundërshtim me Kushtetutën. "Kjo procedurë është e pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo cënon parimin e patundshmërisë së gjyqtarit"-tha ministri Nishani.
Më pas, çështja është shtruar për diskutim, ku me shumicë votash edhe anëtarët e tjerë të këtij këshilli kanë vendosur të mos miratojnë transferimet e gjyqtarëve pa pëlqimin e tyre. Kjo ka qenë edhe kërkesa Shoqatave të Gjyqtarëve në vend dhe misioneve ndërkombëtare që asistojnë në fushën e drejtësisë.
Pas debatit që zgjati disa orë, Këshilli vendosi shtyrjen e transferimit të gjyqtarëve, pa marrë më parë pëlqimin e tyre. Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e KLD-së vendosën hapjen procedurës së kandidimit në pesë Gjykata të Shkallës së Parë, në të cilat është rritur numri i gjyqtarëve në organikë, duke shpallur 22 vende vakante.
"Ky vendim i Këshillit, u mundëson shprehjen e pëlqimit për tu transferuar gjyqtarëve në sistem, dhe shprehjen e pëlqimit për tu emëruar, personave që duan të kandidojnë për gjyqtarë",-thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit pranë KLD-së, duke njoftuar se janë hapur 9 vende vakante në Gjykatën e Tiranës, 7 në Durrës, 4 në Përmet, një në Lushnje e një në Sarandë.
Po dje, anëtarët e KLD-së me kërkesë të prokurorisë së Durrësit vendosën heqjen e imunitetit të gjyqtares së Gjykatës së Krimeve të Rënda Marsela Balili, e dyshuar për veprën penale të "korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë".
Kjo kërkesë erdhi pas procedimit penal ndaj bashkëshortit, prokurorit Aleksandër Plepi i cili hetohet për të njëjtën akuzë, në lidhje me një çështje penale gjykuar nga Balili.
Vendimi çështjes ishte dhënë 2 muaj para pezullimit të bashkëshortit të saj, duke dhënë masën e dënimit të kërkuar nga prokuroria, ndaj disa të pandehurve të akuzuar për "trafik droge",
Rrëzohen kërkesat e Nishanit për dy procedime disiplinore
Me shumicë votash, dje KLD-ja vendosi refuzimin e propozimit të ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, për procedimin disiplinor të gjyqtarit Arian Aliaj dhe gjyqtares Manjola Bejleri. Për këtë të fundit ishte konstatuar një shkelje e rëndë, sipas Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të refuzimit të saj për të shqyrtuar një çështje gjyqësore prej 9 muajsh.
Kohë më parë, inspektorët e KLD-së kishin konstatuar shkeljen e pretenduar dje nga Nishani dhe i kishin kërkuar ministrit të Drejtësisë fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares Bejleri. Ndërkohë, dje gjatë shqyrtimit të propozimit të ministrit, anëtarët e këshillit me shumicë votash rrëzuan propozimin e ministrit Nishani për marrjen e masës disiplinore ndaj kësaj gjyqtareje.
Pritet shqyrtimi i kërkesës për heqjen e iminutetit të 3 gjyqtarëve
TIRANË- Anëtarët e KLD-së kishin në rend të ditës shqyrtimin e propozimeve të ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, për masa disiplinore edhe për katër gjyqtarë të Elbasanit, për të cilët inspektorët pretendojnë se kanë kryer shkelje të ndryshme procedurale.
Për shkaqe të justifikuara nga gjyqtarët, anëtarët e KLD-së vendosën t'i shtyjnë shqyrtimet e dosjeve të tyre në mbledhjen e ardhshme.
Ndërkohë, burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshëm konfirmuan se në adresë të KLD-së janë nisur edhe tri kërkesa tjera për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve të Gjykatave të ndryshme në vend.
Ata Dyshohen se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë konsumuar veprat penale të "korrupsionit pasiv", duke marrë ryshfet. Për hetimin dhe zbardhjen e këtyre mitmarrjeve, akuza pritet të bëjë publike emrat e gjyqtarëve, të cilët do ndiqen penalisht.
VENDET VAKANTE
9 vende vakante në Gjykatën e Rrethit Tiranë
7 vende vakante në Gjykatën e Rrethit Durrës
1 vend vakant në Gjykatën e Rrethit Lushnjë
4 vende vakante në Gjykatën e Rrethit Përmet
1 vend vakant në Gjykatën e Rrethit Sarandë