Michael Haneke tregon rrënjët e fashizmit
"Shiriti i bardhë" i Michael Haneke-s, vlerësohet filmi më i mirë nga Akademia Evropiane e Filmit.
Kronikat e një serie krimesh të kryera nga një grup fëmijësh në vigjilje të Luftës së Parë Botërore. Nderohen edhe Ken Loach e Isabelle Huppert
"Shiriti i bardhë", një ekzaminim i rrënjëve të fashizmit nëpërmjet një vargu ngjarjesh shqetësuese në një fshat gjerman, triumfoi në ceremoninë e Çmimeve Evropiane të Filmit, ku u vlerësua me tri trofe.
Vepra e cila tregon kronikat e një serie krimesh të kryera nga një grup fëmijësh në vigjilje të Luftës së Parë Botërore, u shpall filmi më i mirë për vitin 2009, por fitoi edhe çmimin për regjinë dhe skenarin që kanë për autor artistin austriak Michael Haneke.
"Jam i tronditur. Jam i hutuar", tha Haneke ndër merrte trofeun mbrëmjen e ceremonisë të së shtunës, në Bohum, Gjermani.
Filmi i Haneke-s, - një bashkëprodhim me Francën, Gjermaninë, Austrinë dhe Italinë - ishte fitues i "Palmës së Artë" në festivalin e fundit të Kanës
Ishte e parashikueshme fitorja e regjisorit austriak, i lindur në Monako më 1942 dhe i rritur në Vjenë, i cilësuar një nga autorët për përfaqësues të kinematografisë në gjuhën gjermane, të cilin Akademia Evropiane e Filmit e kishte vlerësuar tashmë me çmim më 2005 për filmin "Caché" (me aktorët Daniel Auteuil dhe Juliette Binoche).
I riu Tahar Rahim u shpall aktori më i mirë për portretizimin e një analfabeti të burgosur, në filmin frëng "Profet" (Un prophète) të Jacques Audiard-it, i cili fitoi edhe çmimin për montazhin e zërit.
Fituesi i Çmimit Oscar, "Slumdog Millionaire" i regjisorit Danny Boyle, mori Çmimin e Publikut dhe u vlerësua për fotografinë më të mirë, meritë e kameramanit Anthony Dod Mantle, i cili ishte kandidat edhe për filmin "Antikrishti" të Lars Von Trier-it.
Aktorja britanike Kate Winslet, për portretizimin tek "Leximtari" i Stephen Daldry-t, që i bën një gruaje gjermane e përfshirë në të kaluarën në shërbimet sekrete naziste, u shpall aktorja më e mirë, pasi ka marrë tashmë një Oscar, një BAFTA britanik dhe "Bambin" Gjerman.
Ceremonia e edicionit të 22-të të Akademisë Evropiane të filmit, u mbajt të shtunën në mbrëmje në Bohum, pak kilometra larg Esenit, qyteti gjerman i shpallur qyteti i kulturës për vitin 2010 u hap nga regjisori Wim Wenders, president i Akademisë, në prani të 1400 të ftuarve. Ishin ndër ta, të ftuar për të prezantuar çmimet, Victoria Abril, Caterina Murino, Johanna Ter Steege, Maria Valverde, Detlev Buck, Jesper Christensen, Sir Ben Kingsley, Maciej Stuhr etj..
Duartrokitjet arritën kulmin kur u ngjit në skenë aktorja franceze Isabelle Huppert. Ajo mori çmim special për meritat në kinematografinë botërore dhe tha se "gjithmonë është ndjerë aktore evropiane, pjesë e një kinemaje e cila është edhe një rrugëtim i brendshëm, një varg takimesh me të tjerë që ndihmojnë të njohim veten tonë, ëstë një udhëtim drejt lirisë".
Pa fund ishin duartrokitjet kur u thirr emri i regjisorit britanik Ken Loach i cili u ngjit në skenë për të marrë çmimin e karrierës së bashku me protagonistin e filmit të tij të fundit, Eric Cantona.
Çmimin e Karrierës. Kineasti 73-vjeçar, autor i "Bread and Roses", "Sweet Sixteen", "The Wind That Shakes the Barley" etj., iu drejtua parlamentarëve të mbrojnë industrinë filmike në Evropë, sepse "ne kemi privilegjin të bëjmë kinemanë që duam, ndërkohë që ka shumë autorë që nuk mund të punojnë dhe as të eksperimentojnë lirisht në vendet e tyre."
Çmimet evropiane të filmit (European Film Awards) kurorëzojnë arritjet e kinemasë evropiane në një vit në kryeqytete të mëdha të kontinentit. Ato organizohen nga Akademia Evropiane e Filmit e themeluar më 1988, me seli në Berlin.
Krijimi i saj ka qenë iniciativë e një grupi kineastësh të shquar të cilët u bënë bashkë në nëntor të atij viti, me rastin e Ceremonisë së Çmimeve Evropiane e mbajtur në Berlinin Perëndimor. Aty merrnin pjesë Ingmar Bergman, Anthony Hopkins, Giulietta Masina, Carmen Maura, Pedro Almodovar, Krzsystof Kieslowski, Ornella Muti, Max von Sydow, etj.
Evropa ishte akoma e ndarë dhe kur Krzysztof Kieslowski u ngjit në skenë të merrte çmimin e parë evropian për filmin më të mirë, tha: "Shpresoj që Polonia të jetë pjesë e Evropës."
Atë natë Pedro Almodovar mori çmimin e kineastit të ri, i pari nga shumë çmime të tjerë të Akademisë që ai do të merrte në njëzet vitet e ardhshëm.
Ingmar Bergman u vlerësua me çmimin e karrierës.
Pak muaj më vonë, kineastët u mblodhën përsëri për të themeluar Shoqatën Evropiane të Kinemasë e cila më vonë u bë Akademia Evropiane e Filmit (EFA). U ngarkuan me detyra Claude Chabrol dhe Stephen Frears dhe të gjithë nënshkruan një letër që regjisori Jií Menzel i kishte shkruar Vaclav Hável-it i burgosur në ish-Çekosllovaki, i cili do të bëhej pak më vonë presidenti i Çekisë. Ingmar Bergman u zgjodh presidenti i parë i shoqatës dhe i Akademisë.
EFA financohet kryesisht nga German National Lottery, me mbështetje edhe të Këshillit Federal për Çështje të Kulturës dhe Medias, po ashtu edhe nga Programi i Medias i Komunitetit Evropian dhe sponsorë e partnerë të shumtë që Akademia ka për aktivitetet e saj në Evropë.
Çmimet evropiane 2009
Filmi Evropian
"The White Ribbon", shkruar dhe drejtuar nga Michael Haneke
Regjisori Evropian
Michael Haneke për "The White Ribbon"
Aktori Evropian
Tahar Rahim tek "A Prophet"
Aktorja evropiane
Kate Winslet tek "The Reader"
Skenaristi evropian
Michael Haneke për "The White Ribbon"
Çmimi "Carlo Di Palma" për fotografinë më të mirë
Anthony Dod Mantle për filmat "Antichrist" & "Slumdog Millionaire"
Prix D'excellence i Akademisë Evropiane të Filmit
Brigitte Taillandier, Francis Ëargnier, Jean-Paul Hurier & Marc Doisne për Sound Design e filmit "A Prophet"
Kompozitori Evropian
Alberto Iglesias për "Broken Embraces"
Filmi i animuar evropian
"Mia and the Migoo" France/Italy i regjisorëve Jacques-Rémy Girerd dhe Nora Twomey
Filmi i shkurtër evropian
"Poste Restante" i Marcel Lozinski
Çmimi i Karrierës
Ken Loach
Çmimi për arritjet e kinemasë evropiane në atë botërore
Isabelle Huppert
Dokumentari Evropian
"The Sound of Insects - Record of a Mummy" i Peter Liechti, Zvicër
Çmimi i Kritikës
Andrzej Wajda për "Sweet Rush"
Çmimi i Publikut për
"Slumdog Millionaire", i Danny Boyle, Britani