E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi i skafeve, PS e çon në Kushtetuese

PS-ja i kërkon Presidentit të mos dekretojë moratoriumin për skafet. Në të kundërt, PS-ja paralajmëron se do ta çojë në Kushtetuese


TIRANË- Partia Socialiste paralajmëron se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e qeverisë për shtyrjen e moratoriumit të skafeve edhe për tre vjet të tjera.


Deputeti i PS-së Saimir Tahiri, ka deklaruar dje se projektligji i moratoriumit të skafeve shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e vendit.


Qeveria miratoi për herë të dytë, projektligjin për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese, ose siç rëndom njihet nga të gjithë, moratoriumi i skafeve.


Moratoriumi i skafeve, i miratuar edhe për një periudhë tre vjeçare, ndalon në mënyrë absolute lundrimin e çdo mjeti detar, përfshirë këtu edhe ato mjete që përdoren nga qytetarët shqiptarë për qëllime turistike apo sportive, përcaktim ky që në moratoriumin e miratuar në vitin 2006 nuk ekzistonte.


Sipas moratoriumit të propozuar nga qeveria, asnjë qytetar shqiptar nuk lejohet të lundrojë në det qoftë edhe për turizëm dhe nuk lejohet të transportojë me makinë në rrugë tokësore mjete lundruese, sepse në të kundërt, ose do shkojë në burg ose do paguajë një gjobë prej 10 milion lekësh",- tha dje Tahiri.


Ai shtoi se argumenti i servirur nga qeveria se përmes këtij ligji parandalohen veprat penale të lidhura me trafikun e paligjshëm detar, jo vetëm nuk qëndron, por edhe sikur të justifikohej në vitin 2006, tani nuk mund të justifikohet përsëri.


"Moratoriumi i skafeve i miratuar në vitin 2006 dhe që zgjati 3 vjet, duhet të shërbente si periudhë transitore deri sa shteti shqiptar të merrte masat për të garantuar kufirin shtetëror dhe të krijonte infrastrukturën ,për kontrollin e lundrimit detar, me qëllim parandalimin e trafikut të paligjshëm dhe sigurimin e turistëve vendas dhe të huaj. Me zgjatjen edhe 3 vjet të tjera, qeveria shpall dështimin e saj, duke qenë se moratoriumi i kaluar nuk ka sjellë asnjë përfitim.


Gjatë 3 viteve kur moratoriumi i kaluar ishte në fuqi, qeveria nuk ka zhvilluar asnjë kapacitet infrastrukturor për të parandaluar trafikun e paligjshëm detar, e për shkak të këtij dështimi, vazhdon të zgjedhë rrugën më të shkurtër, atë të ndalimit tërësor të trafikut detar, edhe për turizëm, duke cenuar në thelb të drejtat dhe liritë e qytetarëve të njohura nga Kushtetua", - tha ai.


Përmes këtij projektligji, sipas tij, qeveria vetë kriminalizohet, duke i lënë të kuptohet partnerëve ndërkombëtarë se potenciali kriminal i shqiptarëve për trafiqe të paligjshme është në përmasa aq të mëdha sa për ta luftuar, duhet ndaluar tërësisht lundrimi dhe përdorimi i detit.


"I kërkojmë Presidentit të Republikës të mos dekretojë projektligjin për moratoriumin e skafeve, jo vetëm pse është një projektligj absurd dhe unikal që nuk ekziston askund në botë, por sepse shkel plotësisht të drejtat dhe liritë e njeriut të njohura nga Kushtetuta. Në të kundërt, Partia Socialiste do kërkojë menjëherë nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të këtij ligji", - tha Tahiri.


Reagon PD: PS -ja po mbron mafien


TIRANË - PD reagoi dje pas paralajmërimit të PS-së se do ta dërgojë ligjin e moratoriumit për skafet në Gjykatën Kushtetuese. "Sot ata, kërcënuan se do bllokojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese, duke faktuar se jo lëvizja e lirë e shqiptarëve, por mbrojtja e mafies dhe interesave të saj është detyrimi kryesor i pinjollëve të bllokut dhe punistëve të rinj në krye të Partisë Socialiste.


Partia Demokratike i deklaron "ekipit Shpresa" të Partisë së Punës, se ka ikur njëherë e përgjithmonë koha kur nën moton e punistëve të '90 "jetojmë dhe punojmë si në rrethim", ata e shndërruan Shqipërinë në skafo - republikë dhe se nuk do të ketë forcë në botë, që të mbrojë industrinë e krimit të mafies që ata kryesojnë, duke penguar bashkëpunimin e Shqipërisë me agjencitë partnere", - tha dje deputeti i PD-së, Genti Strazimiri.


***************************************************

Ndërsa dje, zv - kryetari i LSI - së, Edmond Haxhinasto, mbështeti iniciativën e fundit të qeverisë

Meta para fushatës: Do anulojmë vendimin për skafet

TIRANË- Edhe pse e kishte kundërshtuar më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim tashme në qeverisje me Partinë Demokratike, ka mbështetur plotësisht iniciativën e fundit të qeverisë për ndalimin e të gjitha lëvizjeve dhe mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë, (pavarësisht nga funksioni i përdorimit të mjetit), edhe për tre vite të tjera.


Në një deklaratë për mediat,
zv-kryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje se vendimi i qeverisë
për të shtyrë dhe me tre vite të tjera moratoriumin e skafeve, ka si qëllim për të goditur skafistët dhe jo turistët. Mirëpo pak muaj më parë, gjatë fushatës parazgjedhore të organizuar nga LSI-ja, kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, kishte premtuar se me ardhjen në pushtet do të anulonte moratoriumin e skafeve si të jashtëligjshëm.


Gjatë një tubimi të organizuar në muajin prill në Pallatin e Sportit të Vlorës, kryetari i LSI-së u shpreh: "Shqipëria e një turizmi të zhvilluar është një ëndërr për t'u realizuar, sepse bukuritë që na ka falur zoti dhe natyra, shqiptarët nuk i shfrytëzojnë dot për të rritur mirëqenien e tyre, për shkak se ende nuk ka një politikë të qartë e stimuluese në këtë sektor ku shteti përveç arbitraritetit nuk ofron asgjë tjetër; dhe ne e përsërisim edhe njëherë tjetër që një nga iniciativat e para që do të marrim është anulimi i vendimeve të qeverisë së Sali Berishës për të kufizuar mjetet e lundrimit, dhe ky vendim ka bllokuar vetëm zhvillimin e turizmit dhe nuk ka kufizuar trafikantët".


Përjashtohen nga ky moratorium:


a) mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portale.
b) mjetet lundruese të destinuara vetëm për peshkim, sipas ligjit nr. 7908, datë 5.4.1995 "Për peshkimin dhe akuakulturën", të ndryshuar.
c) mjetet e transportit detar, që shërbejnë për transportin e mallrave.
ç) mjetet e transportit detar, të licencuara për transport pasagjerësh dhe të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar si mjete lundruese për transport udhëtarësh.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›