E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Microsoft" kërkon të sfidojë "Google"

Mirë se erdhët në luftën e re mes "Microsoft" dhe "Google". Kësaj here beteja zhvillohet në fushën e motorëve të kërkimit, për t‘i bërë ata sa më "inteligjentë" dhe më të dobishëm për ne në jetën e përditshme. Është pikërisht kjo edhe filozofia që qëndron pas "Bing", një motor i ri kërkimi që "Microsoft" prezantoi pak ditë më parë, e që pritet të dalë zyrtarisht në datën 3 qershor (fillimisht në Evropë do të jetë në versionin Beta me funksione të limituara). Kompania "Microsoft", deri tani ka shpërndarë vetëm disa pamje, foto dhe një video vërtet mbresëlënëse të produktit të ri. Motori bazohet në një parim vërtet interesant: të ofrojë informacione të menjëhershme dhe të sakta për nevojat praktike, duke e çuar kërkimin deri në rezultatin që dëshiron përdoruesi. Për të blerë një produkt, të marrësh të dhënat e një hoteli, të gjesh tarifat më të arsyeshme për një udhëtim, ose për këshilla mjekësore, pas 3 qershorit do të mendojë "Bing", i cili më parë kishte emrin e koduar "Kumo", e që sipas "Microsoft"-it do të jetë një motor kërkimi vendimtar. Por, lind pyetja, a u duhet përdoruesve diçka e tillë tani? Të gjithë e dimë se sa mirë funksionon "Google", ku mjafton të shkruash fjalën kyçe dhe menjëherë të dalin sajtet e internetit dhe faqet korresponduese për këtë fjalë. Por, për "Microsoft"-in duket se kjo nuk është e mjaftueshme për të kënaqur përdoruesit. Gjatë prezantimit të "Bing" u dhanë edhe rezultatet e një sondazhi të bërë nga "Cosmcore", sipas të cilit 30 për qind e kërkimeve të bëra mbeteshin pa përgjigje dhe braktiseshin, ndërsa 66 për qind e tyre kërkonin më shumë përpjekje nga ana e përdorueseve për të arritur rezultatin që dëshironin. Por, "Bing" në ndeshjen direkt me "Google" do të provojë të ndryshojë perspektivën me një risi që do të nisë nga homepage (faqja kryesore sapo hapni internetin). Ne e dimë që shumica e njerëzve në botë kanë si homepage të tyre "Google", ndaj "Microsoft" dhe "Bing" nuk do ta kenë aspak të lehtë të ndryshojnë një mentalitet të rrënjosur thellë që nga koha e krijimit të tij. Kështu, në vend të faqes së thjeshtë dhe pa shumë lukse që ofron Google.com, "Bing" mendon ta nisë me efektet speciale: një pamje me rezolucion shumë të lartë që ndryshon vazhdimisht, ku mund të klikojmë për të marrë informacione shtesë, ose mund të nisim me një kërkim të lirë. Në varësi të fjalëve të shkruara, motori i kërkimit përzgjedh fushën e kërkimit, d.m.th. mendon rreth qëllimeve tona të mundshme dhe pastaj na jep një guidë për rezultatin përfundimtar. Për shembull, nëse shkruajmë emrin e një automobili, ai na jep opsione për të mbërritur direkt te manuali i përdorimit, apo një sajti ku mund ta blejmë. Nëse shkruajmë emrin e ndonjë lokaliteti turistik na pyet nëse duam foto, këshilla për hotele apo mënyrën se si mund të mbërrijmë atje. Këto opsione që drejtojnë kërkimet janë llogaritur në mënyrë dinamike nga motori, me algoritmin e ri të ideuar nga "Microsoft". Është një sforcim i jashtëzakonshëm për të përshtatur inteligjencën robotike të motorit me atë të përdoruesve. Me pak fjalë, "Bing" do të përmbledhë shumë motorë kërkimi në një të vetëm. Faqja do të ketë seksione të ndryshme, si shëndet, udhëtime, shopping, lajme, sport, të cilat mund të përdoren falë një menyje që gjendet në krahun e majtë, shoqëruar edhe me një grafikë të vetën. Nëse klikojmë tek udhëtimet, për shembull, do të ketë opsione kërkimi të përshtatshme për të gjithë ata që duan të nisen nga një vend dhe të mbërrijnë në një tjetër. Për të bërë shopping, motori i ri i kërkimit do të fusë në përdorim "Ciao"-n, një nga sajtet kryesore evropiane të blerjes së produkteve. "Jemi të bindur se ka akoma një hapësirë të madhe përmirësimi në kërkimet në internet, që kanë evoluar pak në këto vitet e fundit. Qëllimi i tij është që përdoruesit të humbasin më pak kohë. Nga ana tjetër, njerëzit bëjnë kërkime në ueb jo për të gjetur informacione, por për të marrë vendime", tregon drejtori i marketingut të "Microsoft"-it në Francë. Në përpjekjen e tij për të nxjerrë inteligjencën nga interneti, duke i dhënë rezultate përdoruesve në formë më praktike se sa një listë të thjeshtë faqesh uebi, "Bing" është shumë pranë koncepteve të kërkimeve semantike, që tashmë përfaqësohen mirë nga "WolframAlpha". Gjiganti "Google", që u themelua në vitin 1998 nga Larry Page dhe Sergey Brin, filloi si një tezë diplome dhe sot çdo ditë vizitohet nga rreth 1 miliard njerëz. Aktualisht është faqja e parë më e vizituar në botë. "Microsoft" bëri hapin e tij për t‘i hapur sfidë "Google" dhe mënyrës tradicionale të kërkimeve në internet. "Google" është aktualisht motori i kërkimit më popullor në botë. Sipas një sondazhi të bërë në vitin 2007, ai qëndronte në vend të parë me 53.6 për qind, përpara "Yahoo"-së me 19.9 për qind dhe "Live Search" me 12.9 për qind. Për më tepër blerja e "YouTube", sajti më i vizituar në botë, e ktheu atë në një lider të vërtetë dhe të pakapshëm. Për sa i përket "Microsoft"-it, emri i tij është krijuar nga Bill Gates dhe është një kompani me të ardhura miliarda dollarë e me mijëra punonjës në shumë vende të botës. Por, si gjithmonë, fjala e fundit u mbetet përdoruesve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›