Debati për historinë duhet orientuar drejt thagmave antihistorike të Xhelal Gjeçovit
“Historia e popullit shqiptar”, tekst për klasën e katërt të shkollave të mesme, shkruar me grup të gjerë autorësh, botim i vitit 1994, shenjon piketën e parë të shkrimit të historisë (veçanërisht e shekullit XX) për herë të parë me objektivitet shkencor e kritere të drejta, pedagogjike dhe art-grafikë të arrirë, përndryshe nga ç’ishte shkruar e mistifikuar më parë historia në shoqërinë moniste. Në tekst nxënësit e mësuesit përballen me të vërteta të panjohura e të pashkruara më parë për regjimin e Zogut, veçanërisht për Luftën Antifashiste Çlirimtare dhe periudhën moniste, me diktaturën staliniste e diktatorin stalinist E. Hoxha etj. Me rotacionin politik nga zgjedhjet e parakohshme të ’97-s, që solli në pushtet socialistët, u porositën ndryshime në dokumentacionin shkollor: rishkruhet “Historia e popullit shqiptar” e shkollës së mesme, ndryshohen të gjithë (dhjetë) bashkautorët e tekstit të mëparshëm, mes tyre edhe dy studiues nga Kosova, dhe krijohet një grup i ri me shtatë historianë: Prof. Dr. M. Korkuti, P. Thëngjilli, G. Shpuza, F. Rama, Xh. Gjeçovi, D. Sadikaj, A. Lalaj. Teksti “Historia e popullit shqiptar” (veçanërisht kapitujt e Luftës ’39-’44, shkruar nga Prof. Dr. Xh. Gjeçovi, po edhe kapitujt e tjerë të pasluftës), rishkruar me të vërteta të ndryshuara dhe të mistifikuara të historisë. Nga viti 2006 teksti “Historia e popullit shqiptar” u zëvendësua me Historia 4, në dy variante (profili natyror e shoqëror), me po atë grup bashkautorë, plus Prof. Dr. Hamit Kaba, dhe është teksti zyrtar (kryesori) i shkollave të mesme. Por Historia 4 zyrtare ka edhe tekst alternativ “Historia e popullit shqiptar 12”, në dy variante, një për drejtimin gjimnaz e tjetri drejtimi shoqëror e i përgjithshëm, me autorë Prof. Dr. Beqir Meta, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu e Xhevair Lleshi. Historia 12 është teksti më i mirë i deritanishëm për historinë kombëtare për shkollat e mesme: i afërt, i qartë, formues, bashkëkohor e metodik për nxënës e mësues, por një redaktim i kujdesshëm do ta bënte tekstin më solid e do ta shpëtonte nga vërejtje të qena e të paqena, që u frynë aq shumë saqë teksti u vu në qëndër të cikloni të fortë politik e mediatik të pamerituar. Por ky tekst ra në kthetra të politikës, zëdhënëses socialiste E. Shamku, e cila me shabllone të forta revolucionare kërkon heqje të tekstit nga qarkullimi e largim nga puna i autorëve të tekstit(!) Pandeli Majko, ish-kryeministër dhe ministër: “... teksti një karagjozllëk fund e krye” i shkruar “nga historianë nallbanë.”(!) etj. Dhe më e keqja ndodhi: politika s’përmbahej, vuri përpara shkencën e në ndihmë të papërmbajtjes erdhi një emision televiziv ku nxënës e studentë u vunë përpara dhe i kërkonin llogari zëvendësministrit e profesorit të historisë, njëlloj si në kohën e fletërrufeve, kur mblidhej kolektivi e bënte gjëmën! Diskutimi i vërejtjeve të publikuara në “Histori e sajuar” do të ishte në të drejtën e një komisioni a grupi me specialistë e paskëtaj të bëheshin publike përfundimet e kritikës së tekstit. Më tej pasuan zona të lira televizive, të cilat i shpërthyen kufijtë e lirisë me fyerje nga më banale partizane për tekstin e autorët e tij (me asnjë të ngjashme me të ngjashmen franceze që “imiton”) saqë me vjen turp të sjell këtu atë turp, arsyeja ka një kufi të fundit, porse banaliteti mediatik shkoi shumë larg kufirit të fundit të arsyes! Debatit për Historia 12 ka në prapaskenë autorë të Historia 4, për ta larguar debatin nga teksti i tyre. Nga teksti Historia 4 i parë nga poshtë e nga afër dalin disa përfundime, kryesisht për periudhën e Luftës e të pasluftës, por jo se s’ka ç’thuhet, ka shumë për periudhën para saj. Porse duhet pohuar se në arsim është bërë revolucion i madh, veçanërisht me maturën shtetërore, në arsimin e lartë, në programe e tekste etj.
1. Historia 4, që mësohet nga nxënës 18 vjeçarë, i mban sterilë nga koha e komunizmit përderisa në tekst s’ka asnjë informacion se Shqipëria ka qenë shtet diktatorial, diktaturë e egër staliniste; se E.Hoxha ishte diktator, diktatori më i egërsuar në Europë (s’cilësohet diktator as në zëri Enver Hoxha në Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2009); se vendi ishte një burg i stërmadh e kamp i madh përqendrimi me të dënuarit me nenin 55 për agjitacion e propagandë; se vendi ishte më i varfëri në kontinent etj. Teksti është dokument shtetëror dhe është anormale që pikëpamjet vetjake të autorëve bëhen politikë zyrtare për edukimin e formimin e shtrembër historik të nxënësve, që nuk u jepet asgjë qenësore për jetën e individit në diktaturën shqiptare, e në “kudhrën” e luftës së klasave, dhe kjo është e papranueshme e me sinjale alarmi për një shoqëri demokratike; (ndryshe Historia 12 me frymë qartësisht formimi e edukimi historik për diktaturën staliniste shqiptare, porse teksti s’ka arritjen e duhur mjaftueshmërisht). Pas afro dy dekadash, PS s’ka ndarje publike me E. Hoxhën e s’pritet të ketë, dhe më e keqja është se ende s’ka një dokument zyrtar (nga Parlamenti) i votuar nga të gjithë deputetët për ndarje me diktatorin, madje si askund tjetër diktatori mban dhe dekoratat e medaljet më të larta, si Hero Kombëtar, Hero i Popullit etj! Shqipëria pa të ngjashme me vendet diktatoriale ish-komuniste! Për të hequr një paralele: Pesë filma gjermanë u shfaqën në festival në multimedia me temë RFGJ: Si ishte jeta në diktature? Çfarë ndikimi kishte sistemi në jetën e individit dhe familjes? Si janë pikëpamjet e sotme në jetën e individit mbi kohën e komunizmit? Megjithëse diktatura në RFGJ s’ka të krahasuar me egërsinë e diktaturës shqiptare. 2. Të punosh për tekst shkollor, aq më shumë për arsimin parauniversitar, është punë e vështirë, kërkohen aftësi, mjeshtëri për të zgjedhur fjalët për informacion, idetë, përfundimet e temës, porse ndodh çudira: Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi materialin mësimor të “Historia e popullit shqiptar 8” (1999) për periudhën e Luftës (1939-1944) e mbart tekstualisht në “Historia e popullit shqiptar” (matura e shkollës së mesme 2000), në Historia 4 (profili shoqëror e natyror) 2006 dhe i vitit 2009, dhe risjell një paragraf të Historisë 8 që përsëritet nga autori në ligjëratë të drejtë në Historia 4 e shkollave të mesme:
Historia 4. Profili natyror. 20006: 248-249.
“... Në mëngjesin e 7 prillit 1939, trupat fashiste italiane, që arrinin në 35 – 40 mijë veta, të drejtuara nga gjenerali A. Guxoni, filluan sulmin kundër Shqipërisë. Mbreti Zog nuk pranoi pushtimin, por në vend të qëndresës zgjodhi largimin nga Shqipëria, bashkë me qeverinë e tij. Pas bombardimeve nga deti dhe nga ajri trupat fashiste u përpoqën të zbarkonin në Durrës, por aty ndeshën në qëndresën e një grupi patriotësh, të cilët i detyruan fashistët të tërhiqeshin disa herë. Gjatë luftimeve ranë heroikisht Mujo Ulqinaku dhe patriotë të tjerë. Ushtria italiane u prit me pushkë edhe në Vlorë, në Sarandë, në Shëngjin, në Lezhë dhe në Ura e Bahçallëkut në Shkodër. Ndërkohë, ushtria shqiptare, që prej vitesh ndodhej në drejtimin e instruktorëve italianë, ishte paralizuar. Në këto kushte, pasi thyen qëndresën në skelat detare, trupat fashiste përparuan me shpejtësi brenda vendit. Më 8 prill ata hyjnë në Tiranë dhe pas dy ditësh pushtuan pothuajse të gjitha qëndrat kryesore të vendit. ...” [Prof. Dr. M. Korkuti, Prof. Dr. P. Thëngjilli, Prof. Dr. G. Shpuza, Prof. Dr. F. Rama, Prof. Dr. Xh. Gjeçovi, Prof. Dr. M. Verli, Prof. as. Dr. Hamit Kaba] Dhe i njëjti paragraf përsëritet në teksti:
Histori e popullit shqiptar 8, 2000: 166-167
“... Në mëngjesin e 7 prillit 1939, trupat fashiste italiane, që arrinin në 35-40 mijë veta, të drejtuara nga gjenerali A. Guxoni, filluan sulmin kundër Shqipërisë. Mbreti Zog nuk pranoi pushtimin, por në vend të qëndresës zgjodhi largimin nga Shqipëria, bashkë me qeverinë e tij. Pas bombardimeve nga deti dhe nga ajri trupat fashiste u përpoqën të zbarkonin në Durrës, por aty ndeshën në qëndresën e një grupi patriotësh, të cilët i detyruan fashistët të tërhiqeshin disa herë. Gjatë luftimeve ranë heroikisht Mujo Ulqinaku dhe patriotë të tjerë. Ushtria italiane u prit me pushkë edhe në Vlorë, në Sarandë, në Shëngjin, në Lezhë dhe në Ura e Bahçallëkut në Shkodër. Ndërkohë, ushtria shqiptare që prej vitesh ndodhej në drejtimin e instruktorëve italianë, ishte paralizuar. Në këto kushte, pasi thyen qëndresën në skelat detare, trupat fashiste përparuan me shpejtësi brenda vendit. Më 8 prill ata hyjnë në Tiranë dhe pas dy ditësh pushtuan pothuajse të gjitha qëndrat kryesore të vendit. ...” [Prof. Dr. M. Korkuti, Prof. Dr. P. Thëngjilli, Prof. Dr. G. Shpuza, Prof. Dr. F. Rama, Prof. Dr. Xh.Gjeçovi, Dr. I. Shahu, Prof. Dr. A. Lalaj] I gjithë kapitulli i luftës në Historia 4, është me të tilla përsëritje për temat themelimi i PKSH, Konferenca e Pezës, Konferenca e Mukjes etj. Papërgjeshmëri e naivitet të skajshëm.
3. Është fakt i njohur se në vitet e luftës ishin dy emisarë të Titos, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha (vlerësoheshin shumë nga E. Hoxha), ndaj dhe historia e Luftës është e pandarë nga dominimi i tyre që lanë gjurmë antikombëtare në historinë e Luftës e më pas, dhe tekstet e historisë kërkohet të kenë informacion e refleksione për dy emisarët. Në shkollat 9-vjeçare, që punojnë me Historia 9, nxënësit marrin informacion për dy emisarët jugosllavë, kurse shkolla të tjera që mësojnë me një tjetër tekst historie s’marrin asnjë informacion për ta; maturantët që mësojnë me Historia 12 kanë informacion për Popoviçin e Mugoshën e misionin e tyre, kurse në shkollat ku mësohet me tekstin Historia 4 nxënësit privohen nga një informacion i tillë. Eshtë e papranueshme të ndahen mëdysh nxënësit e klasës së 9 dhe po ashtu, e papranueshme, ndarja e maturantëve mëdysh, sipas qejfit e formimit të autorëve. Në Historia 9, bëhet përcaktim të gabuar: “Miladin Popoviç e Dushan Mugosha luajtën rolin e koordinatorit ndërmjet grupeve dhe i dhanë PKSH përvojën jugosllave gjatë gjithë viteve të luftës.”(!) Dy misionarët e Titos nuk ishin në rolin e koordinatorëve ndërmjet grupeve sepse ka burime autoritare arkivore që Miladin Popoviçi mbajti raportin në mbledhjen themeluese (raporti është botuar), edhe Rezolucioni i mbledhjes themeluese u shkrua nga dy të dërguarit e Titos e u lexua prej tyre në mbledhjen themeluese, dhe është po ai Rezolucion i botuar më 1949 në Jugosllavi dhe i ribotuar i plotë (i fragmentizuar) më 1960 në Dokumente Kryesore të PKSH. Nxënësit mbeten pa marrë përgjigje dhe për mendimin: “Miladin e Mugosha i dhanë PKSH përvojën jugosllave gjatë gjithë viteve të luftës.” [2009:106] dhe pyetja: çfarë përvoje jugosllave i dhanë partisë së komunistëve shqiptarë?, por këtë nuk ua sqaron nxënësve autore e tekstit. Ndërsa Prof. Dr. Dezhgiu në Historia 12 ka përfundim të qartë e të kuptueshëm për nxënësit: “Në mbledhjen themeluese morën pjesë edhe dy të deleguar jugosllavë, të cilët ndikuan në orientimin projugosllav të vijës së saj”. [2009:260]. Kurse nxënësve që mësojnë me Historia 4 (pjesa e shkruar nga Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi) s’u jepet asnjë informacion për dy emisarët jugosllavë, i motivuar të nulifikohet roli i tyre në themelimin e partisë e më pas.
4. Nuk ka asnjë arsye që maturantët të mos përballen me teori, pikëpamje që mistifikonin e shtrembëronin të vërteta historike në shoqërinë që lamë pas. Ndërsa në shoqërinë moniste edhe fëmijët e dinin se E. Hoxha “ishte” themeluesi i PKSH, kurse sot në tekstet Historia 4 e Historia 12 ky “fakti” kalohet në heshtje, kur pritej të shkruhej sadopak se E. Hoxha nuk ishte themelues i partisë komuniste, nuk ishte as anëtar i Grupit Komunist i Korçës e përfaqësues i tij në mbledhjen themeluese, si është shkruar aq shumë më parë, dhe mbledhja themeluese zgjodhi sekretar politik T. Jakova e sekretar organizativ K. Xoxe dhe jo E. Hoxhën. Është shkruar nga Hoxha e të tjerë se mbledhja themeluese vazhdoi shtatë ditë me “diskutime” e “debate” që i “printe” Hoxha, porse mbledhja vazhdoi disa orë të natës së vonë të 4 nëntorit, dhe po atë natë të gjithë delegatët u larguan [në redaksionale në Bashkimi i 8 nëntorit ’46 përshkruhet nga Enveri mbledhje themeluese]. Në “Historia 4” (në të dy librat) jepet pikëpamja se “... komitetin qendror definitiv dhe E. Hoxha si sekretar i përgjithshëm i PKSh i zgjodhi Konferenca e Parë e Vendit, e marsit ’43.” [profili natyror: 151-152], por dokumentet arkivore, madje ato nga vetë E. Hoxha, janë argument se E. Hoxha e byroistët e tjerë nuk u votuan nga delegatët e Konferencës së Labinotit, porse Hoxha u emërua nga jugosllavët dhe detyra iu komunikua nga Dushan Mugosha, por edhe se E. Hoxha nuk ishte sekretari i përgjithshëm, siç është shkruar gjithnjë por me funksionin e sekretarit politik e K. Xoxe sekretar organizativ, detyra që i mbajtën deri në Kongresi i Parë (1948), dhe emisarët e Titos bënë gjetje origjinale dhe të zgjuar: Hoxhën e Xoxen i vunë në detyra paralele të ishin në kontroll e rivalitet të njëri-tjetrit dhe mbi ta ata vetë. Në “Historia 4”, “Historia 12”, “Historia 9”, datimi i mbledhjes themeluese jepet 8-14 nëntor, siç e shkruan E. Hoxha, por e vërteta është në Dokumente Kryesore të PKSH, vëll. I, 1960: në titull të Rezolucionit shkruhet: “Mbledhja e grupeve komuniste më 4-8 nëntor 1941, dhe ndryshimi i datës nga 4 në 8 nëntor ka qëllim politik, që 8 nëntori të ishte binjak me 7 nëntorin dhe partia komuniste, pjellë e Revolucionit të Tetorit, në thelb ky është dhe komenti që i bënte E. Hoxha. Përderisa është pranuar se për themelimin e Partisë Komuniste ranë dakord që në ditën e parë, atëherë 4 nëntori është dita e themelimit të partisë, kurse në ditët e tjera deri më 8 nëntor grupet komuniste diskutuan për historinë e grupeve komuniste, siç del qartë dhe në dokumentet arkivore italiane të Luftës dhe të bëra publike më parë nga autori. Në veprat e E. Hoxhës e në gjithë literaturën politike e historike të mëpashme por e të sotme E. Hoxha trajtohet i viktimizuar nga revizionistët jugosllavë dhe i jepen tërë meritat si shpëtimtari i vetëm nga synimet jugosllave për ta bërë vendin tonë republikë e shtatë e Jugosllavia. Edhe “Historia 4” në këtë frymë është: “PKJ u mundua të shndërrohet Shqipëria në një republikë të shtatë të Jugosllavisë.... jugosllavët gjetën mbështetjen e një pjese të rëndësishme të udhëheqjes së PKSH” [F. 182]. Burimet arkivore zbulojnë se E. Hoxha ishte flamurtari, personi numër 1, i cili që gjatë Luftës, në Kongresin e Përmetit e më pas, por veçanërisht në letrën që ia dërgonte Titos i lutej për bashkimin sa më parë me Jugosllavinë: “... Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim nuk ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit t’onë.[!!] ... ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit dhe të mbërrijmë në konkluzione, dhe nga ana tjetër do të dëshironim që të na jepeshin disa sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë rreth këtij problemi. Ne kemi bindjen se si kurdoherë, Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapët dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona. Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore. Enver Hoxha. Tiranë, më 17 mars 1948.”
5. Historia 4 (drejtimi natyror), për periudhën e diktaturës komuniste [nga Prof. Dr. Hamit Kaba] është përplot gabime historike, interpretime të gabuara, i ve nxënësit në situata të vështira etj. Në tema Ndërtimi i aparatit të ri shtetëror shkruhet: “... u ngrit aparati i ri shtetëror... aparati i ri administrativ, ...organizimi i shtetit të ri,... ngritja e aparatit të ri shtetëror etj. [f. 174-175], e në shumë tema të tjera: qeveria shqiptare, qeveria shqiptare..., porse maturantët s’ka sesi mos habitohen, të pyesin, sepse s’dinë se ç’aparat i ri shtetëror ishte, çfarë shteti i ri ishte, çfarë qeveri ishte, ndaj kërkohej të emërtoheshin: qeveri shqiptare diktatoriale, aparat i ri shtetëror diktatorial, e me ndonjë shëmbëllim. Ka vlerësime të gabuara, si për Ligjin elektoral (shtator ’45): “Ligji siguronte mbajtje e zgjedhjeve të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të fshehta.”, por edhe ato “parregullsitë në votime” [F. 174] nuk ishin thjesht parregullsi por presione psikologjike të hapëta nga të gjitha anët për votuesit. Nxënësit vinë në shkollë të mesme dhe me një pikëpamje e interpretim të gabuar nga Historia 9: “Zgjedhjet do të ishin të drejtpërdrejta, të barabarta e të fshehta.... Sipas të dhënave zyrtare kandidatët e Frontit fituan 93% të votave, këto përfundime treguan se shqiptarët besonin tek PKSH, prandaj e mbështetën.” [f. 120-121] Kundërshtia e parë është se zgjedhjet e 2 dhjetorit nuk ishin të fshehta [për votën kundër kishte një mekanizëm për t’u dalluar], dhe e dyta se rezultati 93% s’përbën fare argument për komentin e autores: “Këto përfundime treguan se shqiptarët besonin tek PKSH, prandaj e mbështetën.” [Nëse zgjedhjet e 2 dhjetorit do ishin vërtet të lira është pak e besueshme që komunistët të fitonin në rajoni i Vlorës, në rajoni i Gjirokastrës dhe Korçës, ku forcat e djathta ishin të forta; komunistët s’mund të fitonin në rajoni i Krujës e Matit dhe në një pjese të Dibrës, ku ndjehej i fortë Abaz Kupit, po ashtu komunistët s’mund të fitonin në rajoni i Shkodrës, që përherë i kanë patur sytë nga Perëndimi, por t’i referohem e një fakti: në kushtet e represionit të ashpër B. Pejani mori mjaft më shumë vota se kandidati komunist T. Jakova.]
6. Lufta e klasave, shumë e egër, si në asnjë vend tjetër të Europës, përcaktohej forca kryesore “lëvizëse” e shoqërisë dhe historia e Shqipërisë është historia e luftës së klasave. Në Historia 4, tema “Lufta e klasave dhe dënimet politike” [f. 184], në një faqe tekst, sikur të ishin në një planet tjetër, jepet me paragrafin: “Lufta politike u zhvillua nën parullën leniniste të luftës së klasave që përmbante ushtrimin e terrorit me vrasje, burgosje, internime, diferencime dhe ngjalljen e frikësimit masiv. Dhjetëra mijëra shqiptarë u prekën nga lufta e klasave. Janë zhvilluar me qindra procese gjyqësore, të të cilat ka kaluar një numër i madh shqiptarësh, të cilët i janë nënështruar torturave, vrasjeve e burgimeve të rënda.” Kjo është mënyra më e papranueshme për t’ju drejtuar maturantëve sepse mbeten pa përgjigje: cilët ishin subjektet e luftës së klasave (“mbeturinat” e klasave të përmbysura, “armiqtë” e rinj në gjirin e popullit e partisë...), pse bëhej lufta e klasave, organet e luftës së klasave? Sistemi i burgjeve e kampeve të përqendrimit për të dënuarit me nenin 55 për propagandë e agjitacion? Maturantët s’mund të krijojnë asnjë ide të qartë për atë se si ishte jeta e njerëzve në socializëm nën goditjet e luftës së klasave! Në Historia 4 (profili shoqëror) shkruhet vetëm për luftën e klasave në parti dhe s’ka asnjë paragraf, asnjë informacion, për luftën e klasave në “gjirin e popullit” për “propagandë e agjitacion”, (argumenti më mirë për trajtesën objektive të luftës së klasave është Historia 12: drejtimi për gjimnazet.)
7. Në historinë e përmbysjes së regjimit komunist studenti Azem Hajdari ka vendin e nderit, por në dy tekstet e Historisë 4 (për maturat) heroi i demokracisë nuk lexohet kund, për të s’ka asnjë fjalë; kurse në të dy librat e Historisë 12 shkruhet: “... demonstratat e studentëve të udhëhequra nga Azem Hajdari” [f. 182 dhe 347], bashkë me një foto të Heroit të demokracisë. Dhe të sajohet një gënjeshtër e tillë vërtet është e rëndë, po kështu bën ai e manipulime të tjera. Në “Historia 4” (matura) është edhe përfundimi: “Falimentimi i piramidave... nxiti një lëvizje të gjerë proteste e cila u shndërrua në kryengritje me armë...” (profili shoqëror:346). Dhe ishte apo s’ishte kryengritje e armatosur kërkon diskutim: padyshim ishte një revoltë e armatosur: nga ekstremistë, militantë, fundërrina që i jepnin zjarr revoltës të prirë nga komandantë e komisarë të opozitës, të fiksuar e në celuloid. Kritikohet Historia 12 sepse ngjarjet e pranverës ’97 i cilëson “rebelim komunist” (një përcaktim jo i plotë, pasi më i qartë do të ishte “rebelim i armatosur komunist”!)
Shtrohet pyetja: Përse kritikohet “rebelimi komunist” si një gjetje e gabuar dhe heshtet për cilësimin e ngjarjeve si “kryengritje me armë”? Të interesuar ishin të motivuar të venë Historinë 12 në tabelën e qitjes me artileri të rëndë, por që ishin fishekë qorr, për të larguar vëmendjen nga Historia 4, e cila është e mbushur me trajtesa të gabuara, por qëndruam në disa syresh.
...