E Shtunë, 31 Tetor 2026

Midis Ligjërimit dhe Mendimit

- Prapa fjalëve rri gramatika e pavarur e mendimit; sintaksa e kuptimeve të fjalës -

Lev Vygotsky

Kohët e fundit, ligjërimi i shqipes për shqipen po rri ulur në njërin prej kryevendeve në odën e dialogut publik. Por sikurse ndodh rëndom kur shqipja (si mjet) ligjëron për tema të tilla si ekonomia, shëndetësia, arsimi, energjia elektrike, mirëmbajtja e mjedisit, pasiguria e jetës, mbrapshtitë korruptive të vjetra e të reja, etj., po njësoj edhe kur ajo mëton refleksivisht të kuptojë vetveten (edhe si mjet edhe si objekt), duke na e ngulur vëmendjen kështu në loçkë të shqiptarësisë, dialogu e ka zor t'i shpëtojë shkapërthimit ndër llonxha politike e të mos dalë që andej ideologjikisht i marinuar o në të purpurt o në mavi, sipas rastit. E brenda kësaj loçke pikënisja kalendarike e shqipes vështrohet si të jetë kryemargaritar, të cilin përfytyrimi kolektiv e mban në dorë, e peshon, e mat, e lëmon, edhe përnjimend e admiron, por që në punishte të dijes gjithsesi mbetet ende për t'u rrokur - njësoj sikundër edhe pyetjet "Gjuha X, nga vjen?", "Ku ta ketë zanafillën?", "Sa më e vjetër ose më e re është se gjuha Y?" më fort mëkojnë e përshkënditin kërshërinë popullore sesa janë pyetje që po ia avancojnë terrenin dijes. Duke u selitur më shumë në trevën e atdhetarisë e në bahçe të mitit sesa ndër lëvrimet e dijes, mosha e shqipes vjen e këqyret kështu si pendant i prestigjit, i cili sa më i moçëm ndër të moçmit të jetë, aq më i çmuar është e kësisoj aq më ngushëllueshëm gufon kraharorin tonë trysur e rrafshuar gërmadhave të krenarisë së shkarmisur. Edhe për karshi me kryeprioritetin mondan sa esoterik aq edhe elusiv të kohëlindjes dhe origjinës, përqarkojnë perpetuum mobile përsiatjet e një karakteri më mundan e praktik, por shpesh eristik sikurse dilemat e ditës gegë-apo-toskë, standardi të ekzekutohet apo retushohet, thyerjet drejtshkrimore të ndalohen apo parandalohen, e kështu me radhë.

Parë etikisht, nga "coha e mirë" patriotike që mbajnë veshur, palët kundërvënëse zor t'i shquash dot ndër vedi. Nga pikëpamja e shtjellimit të arsyetimeve, bie në sy se shpesh si njeri edhe tjetri kamp i mbështesin argumentet e përkundërt tek të njëjtët studiues, midis të cilëve Çabejn secila skuadër nuk ngurron ta zgjedhë si bedenën më efikase të sulmit ose mbrojtjes. E megjithatë, pavarësisht sa i lartë integriteti i autorëve të referuar, modeli i vështrimit vetë sado synim-mbarë qoftë, mbetet këmbëngultësisht binar e kësisoj raporti gegë-toskë e tok me të edhe pikëpyetjet që qarkojnë standardin prestigjcënuar s'kanë sesi të mos shihen si përballje arketipesh përjashtuese. Mirëpo parë përtej modeleve atdhetariste, madhësitë "gegërishte" dhe "toskërishte" janë shtylla pa çdonjërin prej të cilave s'do të kishte foyer të shqiptarësisë, i cili mund të shihet kështu si sistem i hapur ndërveprimi kulturor, që don të thotë se si pjesëtarë grupesh shoqërore brenda tij s'jemi veç "peshq në ujë të kulturës", sikurse kanë vënë re prej kohësh ndriçimtarë të tillë si Wittgenstein dhe Vygotsky.

Le të ndalemi për pak te ky sistem, ku dukat i përbashkët komunikimi është shqipja. Një formë ndërveprimi brenda tij janë huazimet terminologjike, emigrimi e përshtatja e fjalëve nga një rezervuar gjuhe a syndyk dialekti në një tjetër. Shtegtime të tilla mund të shihen si gjurmë të evoluimit të parreshtur të inventarit terminologjik tek i bie hap pas hapi kulturës, e cila siç venë re antropologu Brent Berlin dhe gjuhëtari Paul Kay sa më të lartë ta ketë kompleksitetin dhe nivelin e zhvillimit teknologjik, aq më të larmishme do t'i ketë ngjyrat e fjalësit ose leksemave në gjuhë. Kultura jonë, mirëdihet, nuk bën ferk as për kompleksitet të lartë as për nivel të spikatur teknologjik. Mirëpo paçka se në pikëpjekje të rralla gjer vonë me përparimet teknike, edhe pse prej vetiu obtuze e me muskuj ende të palëruar për t'i rënë pas me vrikun e nevojshëm harlisjeve marramendëse teknologjike të kohës, përpos faktit që si gjuhë sintetike nuk i përshtatet dot pa sëkëlldi regjistrave teknologjike të përftuara kryesisht prej anglishtes analitike, së brendshmi sidoqoftë shqipja ka dëftuar se kur i është dashur ka lypur fjalë ndër sepetet e baulet erëmuara bar mole edhe ka mëtuar t'i shtjerë në punë si në të folur edhe në të shkruar. Kësisoj ajo ka dëshmuar përkulshmëri sado të përkorë për të mirëpritur a dhuruar terma ndër koinétë e veta, me qëllim që t'ia rrisë vetvetes fuqinë shprehëse, t'ia zgjerojë vëllimin leksikor, e t'ia zgjatojë perimetrin gjuhës letrare.

Sa për standardin, ky sado i zhgunjtë, i perceptuar herë me të drejtë e herë pa të drejte si të qe kostum masë-kapërcyer për shtatin në ndryshim; i vështruar si veshje prerë e qepur prej modistësh filistinë e të shitur; dhe i shpërfillur si stof i dalë boje e ngrënë mole a i këqyrur si rrobë shajaku fill-ashpër e lëkurë-irritues që fsheh pa shije hijeshi kurmore, gjithsesi rezulton që të mos ketë penguar kaptime të lemave gege në territor të repertorit leksikor. Një gjë e tillë dëften se megjithë kyçjen e gjuhës in vitro, shtënia ose jo në punë e fjalëve, tekembramja, pak do t'ia dijë për kode cilatdo qofshin, sepse in vivo, përcaktohet nga "dobia që u sjell përdoruesve", dobi e cila ve në dukje kognitivisti Herbert H. Clark përcaktohet nga: (1) sa më e thjeshtë fjala krahasuar me të tjera, aq më e zgjedhshme nga komuniteti (2) sa më e përdorshme ose sa më shumë t'i hyjë në punë nevojave komunikuese, aq më e përvetësueshme nga komuniteti. Pra kyçin e qelës ku kish rënë shqipja dhe mendimi, jo standardi, po tjetërkush e mbante në dorë.

I së njëjtës mendje me Clark-un duket të jetë edhe gjuhëtari Ronald Langacker kur vëren se: "Sendërtimi i shprehjeve të reja është diçka që e bëjnë vetë folësit, jo gramatikat." Por, është për t'u shënuar se Langacker-i këtu e ka fjalën për aftësinë e folësve për të ngjizur fjalë të reja, jo thjesht te zgjedhja përmes karashtisjes mekanike në shportë të gjuhës të lemave ekzistuese. Prej këtej vetiu ngrihet pyetja: Sa kanë qenë në gjendje shqipfolësit të rinovojnë gjuhën e tyre duke gjeneruar lëndë të re të shqipes? Kur nga njëra anë përdoruesve u pengohej kontakti me një pjesë të mirë të gjuhës e kulturës së tyre, pse e dëbuar nga tryezat e ligjërimit e raftet e bibliotekave sikurse ishte pothuaj krejt shkrimtaria gege; kur nga ana tjetër me hir a me pa hir u imponoheshin modele gjuhësore të distiluara autoklavave politike; kur vëllimi i fjalëve në fjalor nuk i kalonte 35 mijë; kur shkollat nuk qenë selitëse të mendimit të lirë dhe aftësive krijuese, por riprodhuese të njëtrajtësisë dhe mendjes konformiste; edhe tek e fundit kur brenda qilarit pa dritë ku jetonin bota as nuk i shihte as e shihnin, afërmendësh që përdoruesve nuk u mbetej shumë as se ç'të zgjidhnin, as se ç'të krijonin. Në fakt pak fare pak, sasiorisht dhe cilësisht. Edhe po të pranojmë me B. L. Whorf-in se "gjuha sendërton mënyrën sesi mendojmë, dhe paravendon se çfarë ia dalim të mendojmë", atëherë nuk është zor të përfytyrohet zinxhiri tri-hallkor: mungesë fjalësh mungesë konceptesh mungesë mendimi.

VIJON

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›