Kriza e ndërtimit, shitjet bien 4 herë
Sektori i ndërtimit, edhe gjatë këtij viti nuk do të mund që të kapë ritmet e rritjes së viteve të mëparshëm
Përkeqësimi i klimës së biznesit dhe rënia në kërkesë, shkaqet kryesore të krizës
Sektori i ndërtimit, edhe gjatë vitit 2008 nuk do të mund të rikuperojë humbjet e konstatuara gjatë vitit 2007. Rënia e ndjeshme e shitjeve në ndërtim, që për vitin 2007 vlerësohet 4 herë më e ulët se mesatarja e viteve 2006, 2005 dhe 2004, ka dhënë efektet e saj edhe për pjesën e parë të vitit 2008. Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin që lamë pas, një pjesë e mirë e treguesve në ndërtim kanë pësuar rënie të ndjeshme. Kështu rritja vjetore e shitjeve ka qenë vetëm 5.4 për qind, nga 20 për qind që rezulton mesatarja e tre viteve më parë. Rënie ka patur edhe në nivelin e punësimit në këtë sektor, me 4.3 për qind. Ndërtime të reja, gjatë vitit 2007, janë ngritur 11.7 për qind më pak dhe njëkohësisht edhe ritmi i rindërtimit ka rënë me 9 për qind.
Bllokimi i ndërtimit
Në muajin janar 2008, në bazë të një studimi të realizuar nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim, 30% e të intervistuarve shprehen se janë ndikuar negativisht në aktivitetin e tyre ndërtues nga mungesa e kërkesës konsumatore. Ky nivel është 6 pikë në përqindje më i lartë se 3 muaj më parë dhe, gjithashtu, 9% më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, rritja e vështirësive që ka hasur biznesi i sektorit të ndërtimit nuk ka çuar në një ulje të tendencës së çmimeve në këtë sektor, e cila është ndikuar përgjithësisht nga mungesa e ndërtimeve të reja. Sipas Bankës së Shqipërisë, çdo tremujor, ritmi i rritjes së çmimit të banesave ka qenë i lartë, duke rezultuar 16.7 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2007 dhe 24.8 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2007. Por edhe viti 2008 nuk do të sjellë asgjë të re, përsa i përket situatës së çmimeve të banesave. Sipas një studimi të realizuar nga QKZH, përgjigjet e ndërtuesve në lidhje me parashikimin e çmimeve të ndërtimit në muajin janar 2008 shënojnë një rritje të ndjeshme prej 43 pikë në përqindje, duke shënuar edhe një nivel rekord për të gjithë periudhën, me 70 pikë në përqindje. Padyshim që rritja e ndjeshme e këtij treguesi do të reflektohet jo vetëm në mbajtjen e rritjes aktuale të çmimeve në ndërtim, por kjo tendencë mund të jetë më e fortë, së paku për 3-mujorin e parë të vitit 2008. Por sipas analizave të bëra nga ana e Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve të banesave nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me kostot në ndërtim. Sipas analizave të BSH-së, rritja e çmimeve është disa herë më e lartë se kostot në ndërtim.
Kredia për banesa, 24% e portofolit
Një nga faktorët kryesorë të mbështetjes së sektorit të ndriçimit mbetet kredia e dhënë nga ana e sistemit bankar. Sipas BSH-së, kërkesa për blerjen dhe ndërtimin e shtëpive (sidomos për metropolet ku përqendrimi i popullsisë është i lartë) ka ardhur vazhdimisht në rritje, e shoqëruar kjo me një rritje edhe të kërkesës për kredi, për pasuri të paluajtshme. Ky produkt konsiderohet tashmë si një nga llojet e kredive me interes, si për bankat, ashtu edhe për klientët. Pesha e kësaj kredie ka ardhur në rritje dhe në tremujorin e parë të vitit 2008 përbënte rreth 24 për qind të portofolit të kredive të sistemit bankar shqiptar. Gjithsesi, vlen të përmendet se ndërsa vendet e Evropës Qendrore Lindore arrijnë nivele dyshifrore të raportit të kredive për pasuri të paluajtshme me PBB-në, vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë, janë në nivele shumë më të ulëta. Për vendin tonë kjo shifër llogaritet afërsisht 7 për qind, e krahasueshme me vendet e tjera të Evropës Juglindore