Migjeni dhe estetika e asnjanësisë
Krijimtaria letrare e Migjenit, shkrimtarit që hodhi themelet e lavrimit modern të letrares, pamëdyshje poezia dhe proza e lëvruar prej tij, ndonëse po i afrohet një shekulli pranie mjaft aktive dhe ndikuese në letrat shqipe, sërish e sërish, megjithatë rreth specifikave dhe natyrës së saj, po vijon që të mbetet i hapur debati se cilës estetikë i përkon më së shumti ajo, si frymë dhe teknikë shkrimi, si shenjë dhe shqiptim letrar, si një materie e përveçme artistike. Dhe, në fakt nuk kishte se si të ndodhte ndryshe me krijimtarinë letrare të tij, sepse vepra artistike migjeniane duke bartur kështu, njëherësh një karakter të hapur dhe tejet të ndërlikuar, që lidhet veçmas të tjerash me aspektet e kulturimit dhe të parapëlqimit të poetikave dhe estetikave të ndryshme dhe përplot larmi artistike, lindore dhe perëndimore, pra natyrisht pa përjashtuar asnjërën prej tyre, bart dhe shpalon gjasat e një larmie poetikash shkrimore, tejet të ngjeshura në hapësirat e teksteve, në poezi dhe prozë, madje në format më të larmishme, i pranisë tipologjike estetike, pra kryesisht i asaj mënyre që mbizotëron mbi të tjerat, madje duke mos shmangur asgjë nga ky realitet letrar, i mëvetësishëm dhe i vetvetishëm, edhe sot e gjithë ditën është më tepër një çështje krejt e hapur, që me uljengritjet e veta, pohimet dhe kundërpohimet, shqyrtimin dhe patetizmin, si dhe me dritëhijet e verifikimit dhe të trajtimit të saj, ka qenë krejt e pranishme, madje pa ndërprerje në debatin e njerëzve të letrave, shumë më tepër të studimeve letrare, zyrtare dhe jo të tilla, si dhe në një masë të konsiderueshme po ashtu edhe të opinionit të gjerë publik, që në fakt ka parë në mënyrë të pashkëputshme, kinse në të gjitha kohërat tek Migjeni dhe vepra letrare e tij, tek poezia dhe proza, një nga poetët dhe shkrimtarët më të vyer të letrave shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësinore, e mbase një poet që përgjithësisht i ka thyerë korrnizat e përcaktimit të tipologjisë së shkrimit letrar, pra duke qenë njëherit, modern dhe klasik, sidomos në kohën e interpretimit të teksteve dhe të formësimit letrar. Modern, madje si një prijës i kahjeve të këtilla, në kuptimin e përmbysjeve të mëdha dhe të thella, që solli në letrat shqipe, veçmas në shkrimin e poezisë, por njëherit edhe me tipare shkrimi, tashmë mirëfilli klasike me ndikimin e vetë të thellë dhe të pazakontë në gjithë këtë periudhë të shkrimit letrar në gjuhën shqipe, si dhe duke mbetur gjithashtu në shumicën e tipareve të poetikës së shkrimit, ende i patejkaluar, veçanërisht në lavrimin e poezisë së natyrës moderne, në vargëzimin e lirë, dhe padiskutimisht në të gjithë aspektet e sendërtimit të materies poetike, tashmë dhe vetëm me teksturë moderne.
Estetika e brendisë
Kurba e debatit, përmbi estetikën mbizotëruese të pranishme në letërsinë apo ka gjasa të letrares, që sendërtoi shkrimtari, pra njëherit në shkrimin poetik dhe në prozë, po aq të larmishëm dhe vetjak, si mendësi dhe teksturë e plotë shkrimore, përgjithësisht në përcaktimet e bëra deri më tani në studimet letrare, lëviz në një situatë të trefishtë:
A Se vepra letrare e Migjenit, në optikën zyrtare të përpara viteve 90, qoftë në poezi, e po kaq edhe në prozë i përket vetëmse modelit të letërsisë së re, si me thënë që lidhet qartësisht me mesianizmin komunist, një formulim ky i R. Qoses, pra si një krijimtari artistike me shenja të zbatimit të metodës së realizmit socialist, i cili lidhet pazgjidhshmërisht po kaq edhe me vetë sistemin socialist, që ishte vendosur, pothujase në gjysmën e botës deri para pak kohësh, por që në Shqipëri mbërriti në nivele të frikshme sundimi. Kjo hipotezë, ndonëse është parashtruar dhe shtjelluara gjerë e gjatë, për shumë kohë dhe në të gjitha hapësirat e lëvrimit të letërsisë shqipe, në pikëpamje teorike dhe praktike, në brendi dhe formë, në analizë dhe në shqyrtimet tekstologjike, nga studiuesë dhe shkrimtarë, poetë dhe shkruesë të ndryshëm, madje edhe e rrahur në caqet e një gjysëm shekulli, përsëri ka mbetur, përgjithësisht dhe veçmas, më tepër në kufijt e një argumentimi formal dhe të rrafsheve sipërfaqësore, kryesisht duke u nisur vetëm nga nivelet e tematikës dhe të problematikës së trajtuar nga shkrimtari, apo të anësimit të prekshëm social dhe ideologjik, si dhe të disa thirrjeve që vijnë më shumë nga pozicioni i kundërshtarit të regjimit të kohës shkrimore, por edhe të pushtetit të çdo kohe, se sa si një shenjëzim letrar i mirëfilltë. Tezat dhe hipotezat e shtjelluara deri më tani, pikërisht në këtë linjë të shkrimit letrar, pavarësisht kohës dhe hapësirës, modelimeve të ndryshme teorike, letrare dhe jashtëletrare, veçmas sa i përkon faktit se krijimtaria letrare e autorit, është pjesë e estetikës së socrealizmit, madje si e nënkuptuar si vetëm e këtij tipari, së paku si parashtresa të pranishme në studimet e deritanishme, madje edhe të shpallura si kulmi i verifikimit të shenjave letrare, nga më të njohurat, janë:
- Fakti që ka lëvruar kaq gjerësisht dhe shpesh morinë e çështjeve që lidhen me varfërinë, ku të duket sikur ka rrëmuar gjer në rrënjë në problematikën sociale, madje deri në thelbin e vetë si pamje dhe tablo e mjerimit, kinse për tiu kundërvënë kohës dhe sistemit të kohës shkrimore, pandarazi me të po ashtu të çdo sistemi, që dhunon dhe përdhunon qenien njerëzore, çka në fakt si ngjyresë tekstesh, përgjithësisht e tejkalon kohën shkrimore, si frymë dhe dëshmi, si ankth dhe shqetësim tërësor, madje në të gjitha përmasat e veta, një prani mjaft e dukshme në poezi dhe prozë, ka gjasa të përfaqësojë një tipar që në shumicën e vetë i ka dhënë shkrimtarit, dukshëm edhe atribute të përveçme shkrimore, si autor i mjerimit dhe i të varfërve, si poet i angazhuar përtej çdo idoelogjie, dhe më në fund si një shkrimtar që urren dhe shkallmon mjerimin si askush tjetër në letrat shqipe, porse edhe duke e sendërgjuar realitetin letrar si një ferr i ndritshëm.
- Shkrimtari që nuk njohu tabu (pra tema të ndaluara, sepse deri tek Migjeni në letërsinë shqipe ka patur edhe tema që nuk trajtoheshin ose që kundroheshin krejt shtrembër) dhe që nuk njohu asnjë pengesë në pasqyrimin (në fakt duhet thënë në sendërtimin e realitetit letrar), pamëdyshje e realitetit konkret, social dhe individual, madje pa asnjë kufi, ndalues dhe paragjykues, të botës së çuditshme që na rrethon, e ku vështrimi i tij, si njeri dhe krijues, pra si poet dhe prozator, po ashtu edhe si një publicist mendjendritur, padyshim dhe pa droje është hedhur mbi jetën e fshatit dhe qytetit, sidomos në Shkodër dhe në rrethinat e vendlindjes, si dhe që përfshin në të një gamë problematikash, që kanë të bëjnë gati fare hapur me mjerimin, pasojat dhe shëmtimin, zvetënim dhe shkatërrimin e qenies, që ka zatet jetën e shqiptarëve në atë kohë, por që megjithatë e zgjaton hijen e vetë të hidhur edhe në këndejkohën e sistemit të lirive të plota, por që realisht me sa duket, duhet ende edhe shumë përpjekje dhe kërkim i pandërprerë që të përmbushen.
- Modeli i realizmit si mënyrë dhe metodikë pasqyruese, i përveçëm dhe unik, vetjak dhe që depërton deri në thellësi të realitetit të qenies, si mjet dhe fokusim pasqyrues, pra si kritikë dhe protestë e hapur, mallkim dhe kundërvënie nga më të ashprat, ndaj gjithçkaje të kohës dhe matankohës së tij, madje në shumicën e vetë edhe i revoltës kundër gjithë botës së hidhur, pabarazisë dhe mjerimit të skajshëm, që në fakt i përçon veprës letrare të tij edhe një shenjë të dukshme gjithkohore dhe universale, pra që zakonisht i shpërfill dhe tejkalon sinoret përndarëse kohore dhe hapësinore, të shkrimit letrar. Zvetënimi i jetës, madje në shumicën e vetë gjer në rrezbitje të plotë dhe shkatërrimtare, po kaq edhe i vetë fatit të shqiptarëve, më tepër se sa një prirje e spikatur e shkrimtarit, pra për të qëmtuar rrafshe të kë
