Migjeni vjen me mesazhin Të lindet një njeri për një gen të ri
Akademia e Arteve këto ditë gumëzhin nga zhurma e studentëve dhe pedagogëve, të cilët po përgatiten për këtë fundviti. Koncerte, sfilata mode, ekspozita, shfaqje teatrore si dhe performanca poetike të ofron këto ditë vendi ku formohen dhe edukohen artistë e rinj. Në kuadër të këtyre përgatitjeve, vetëm pak ditë më parë u soll në skenë para publikut performanca poetike Vargje të Lira shkruar nga Migjeni, e cila u soll në skenë nga studentët e vitit të dytë, dega Regjisurë në Akademinë e Arteve.
Të udhëhequr nga pedagogia dhe aktorja e talentuar Violeta Trebicka, në këtë shfaqje provim studentët sollën për publikun një shfaqje me vlera të larta artistike. Pedagogia Trebicka tregon se ky fakultet ka një program të ngjeshur artistik, ku në bazë të zhvillimit të procesit mësimor u soll dhe kjo performancë artistike, bazuar mbi Vargje të Lira të Migjenit. Fakulteti i Artit Skenik, Departamenti Regjisurë ka një program mësimor, për studentët në këtë vit, në lëndën e Fjalës Artistike. Duke ju përmbajtur, gjithmonë këtij programi, dhe duke pasur parasysh që këta janë studentë, nesër regjisorë të ardhshëm, zhvillova me ta një ndërthurje përmbledhëse të Vargjeve të Lira të Migjenit, pohon pedagogia Trebicka. Më tej ajo tregon se cilat ishin arsyet që e shtynë të zgjidhte këtë autor. Për të folur për Migjenin, përpara dua të flas pak për lëndën e fjalës Artistike, që këtë vit më shtyu të bëj zgjedhjen, të kërkoj Migjenin për studentët. Një student për aktor, ose regjisor, sepse ky regjisor nesër do të punojë me aktorë, duhet të asimilojë metodën e punës, e cila në këtë nivel akademik, ka të bëjë me analizën, në rastin konkret të vargut Migjenian, logjikën dhe figuracionin e krijimtarisë së tij, e cila do të ndërthuret me elementët teknik, si : artikulimin e saktë dhe organizimin sa më të mirë të frymëmarrjes. Dhe një autor si Migjeni , i nxjerr në pah këto cilësi që kërkohen nga studenti, sot dhe nga aktori dhe regjisori i ardhshëm, nesër, vijon pedagogia Violeta Trebicka. Në këtë performancë poetike ishin pjesëmarrës studentët e vitit të dytë, dega Regji dhe sipas pedagoges transmetimi i ideve dhe mesazheve, intriguan studentët. Puna nis me përzgjedhjen e materialit, në rastin konkret Vargjet e Lira të Migjenit. Që të arrihet një përzgjedhje e mirë e materialit dramaturgjik duhet të kesh një koncept regjisorial se çfarë mendimi dhe çfarë idesh, përpos atyre të autorit, do të përcjellësh. Thelbi i mesazhit në këtë përmbledhje të Vargjeve të Lira të , Migjenit, është: Të lindet një njeri për një gen të ri. Studentët pjesëmarrës ishin Dasara Xhangolli, Arjeta Dhima, Erion Isai. Studentët punuan me shumë përkushtim, ideja e përzgjedhjes së vargjeve të Lira të Migjenit dhe ndërthurja e tyre me lëvizjen në hapësirën skenike, transmetimi i ideve dhe mesazheve të autorit, jo vetëm nëpërmjet fjalës, (d.m.th vargut), por edhe nëpërmjet imazheve që sillen qoftë nga figuracioni letrar, qoftë nga veprimi psiko-fizik skenik. Të gjitha këto intriguan studentët për të arritur mishërimin e saktë skenik të materialit dramaturgjik, vijon të tregojë mbi performnacën poetike pedagogia e arteve. Më tej ajo shton se : Me Migjenin jam marrë disa herë, por është hera e parë që e punoj me këtë koncept skenik, ndërkohë që e kam praktikuar këtë koncept skenik me autorë të tjerë si: Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe Dritëro Agolli. Ndërkohë që si aktore VioletaTrebicka tregon dhe projektin e saj në vijim. Për momentin jam përfshirë në një projekt filmik. Bëhet fjalë për realizimin e një Filmi me Metrazh të Shkurtër Tersi dhe të tjerë, prodhim i Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Regjisor Gentian Koçi. Për sezonin e ri teatror janë disa projekt-ide, por këto ja lëmë kohës në realizim, shprehet aktorja dhe pedagogia Trebicka. Si kjo performancë poetike, në skenën e arteve këto ditë mund të gjesh dhe shumë shfaqje nga artet e tjera, të cilat sjellin për publikun gjetje interesante, por dhe vlera artistike