Ujësjellësi i Fierit garanton ujë 24 orë, por dhe ndëshkime për debitorët
Rrjeti i ujësjellësit në qytetin e Fierit ka pasur disa probleme ditët e fundit, megjithatë punonjës të kësaj ndërmarrjeje kanë ndërhyrë për përmirësimin e situatës. Puna ka nisur tashmë jo vetëm në për avarinë e shkaktuar për shkak të rrjetit të amortizuar por edhe për sezonin veror, gjatë të cilit pretendohet të ketë 24 orë ujë gjatë ditës. Kreu i Ndërmarrjes së Ujësjellësit Agim Plepi, ka bërë të ditur këto masa, duke mos neglizhuar njokëhësisht edhe intensifikimin e ndëshkimeve për abonentët debitorë.
Ne marrim angazhim se do të garantojmë furnizim 24 orësh me ujë të pijshëm për të gjithë abonentët fierakë. Nuk do të ketë ndërprerje të ujit të pijshëm gjatë këtij sezoni veror, por kjo nuk do të thotë që ne do të heqim dorë nga masat ndëshkimore. Do të vazhdojmë dhe do të jemi në gatishmëri të plotë edhe për shkelësit e ligjit. Të gjithë abonentët debitorë dhe jo të rregullt në pagimin e faturave do të bëhen pjesë e ndëshkimeve tona nga gjoba deri tek ndjekja penale, ka thënë drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit Fier, Agim Plepi. Më tej, ky i fundit ka theksuar se tashmë janë marrë të gjitha masat e plotësimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm, duke ritheksuar për të disatën herë shqetësimin e tyre për humbjet e mëdha të ujit të pijshëm nga keqpërdorimi i lavazheve dhe vaditjeve të tokave bujqësore pa kriter. Plepi ka deklaruar gjithashtu se brenda këtij viti investimet do të ndryshojnë edhe gjendjen e rrjetit që deri tani ka qenë i amortizuar. Mbetet për ne shqetësim në vazhdim ai i konsumimit pa kriter dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm nga lavazhot e shumta si dhe vaditjet e tokave. Kemi bashkëpunuar me Bashkinë e Fierit kryesisht policinë bashkiake, për të kryer dhe evidentuar lavazhot e tilla dhe them se kjo punë duhet të vazhdojë ende. Gjatë kësaj kohe janë mbyllur dhe disa lavazho por ato janë rihapur dhe kjo punë duhet të intensifikohet për të minimizuar humbjet e ujit të pijshëm, me qëllim që ai të shkojë tek konsumatori për të mos u shpërdoruar, ndërsa për rrjetin e dobët, do të bëjmë të pamundurën që brenda vitit të investohet, ka thënë Plepi. Por nuk mbetet vetëm me kaq deklarata e kreut të Ujësjellësit Fier, pasi një nga pengjet e tij vazhdon të jetë mosfurnizimi me ujë të pijshëm i rreth 10 000 abonentëve fierakë, të cilët janë kryesisht në zonat informale dhe që të përfshihen në shërbimin e ujësjellësit për furnizim me ujë të pijshëm duhet që për ta të ketë një investim në rrjet që kap shifrën e 30 mijë eurove, por kjo nuk është shumë e madhe pasi vetëm në një komunë është investuar me shuma që kapin rreth 200 mijë euro.