E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati, hidhet në erë me eksploziv kambisti

Viktima Mark Gjoni arriti të fliste me policinë para se të humbte ndjenjat dhe më pas edhe jetën prej plagëve, në spitalin e Shkodrës. Policia shoqëron disa persona, ende asnjë motiv. Ekspertë nga Tirana për të zbardhur ngjarjen

Djana Kolaj

Shkodër-Një atentat me eksploziv të telekomanduar i ka marrë jetën dje në mëngjes një kambisti 60-vjeçar nga Shkodra. Makina në të cilën udhëtonte Mark Gjoni ka shpërthyer në momentin që ai e ka parkuar atë dhe do të zbriste në vendin ku edhe punonte. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë kanë filluar hetimet, ndërsa në Shkodër janë dërguar ekspertë të eksplozivit nga Tirana dhe mësohet se janë shoqëruar dhe marrë në pyetje të afërm dhe persona që kanë pasur kontakt me viktimën.

Ngjarja

Eksplozivi, që mesa duket ishte vendosur në mjetin tip benz, ka shpërthyer rreth orës 06.40 në lagjen "Vasil Shanto" në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë tregut të shkëmbimit të valutës. Makina, ngjyrë gri me targë SH 1465 E, që drejtohej nga Mark Gjoni, 60 vjeç, me banim në lagjen “Mark Lula” në Shkodër, ka ardhur sipas dëshmitarëve nga rruga e Fakultetit të Shkencave të Natyrës së Universitetit të Shkodrës dhe është parkuar në fund të saj, te kryqëzimi i tregut valutor, në parkingun pranë një pallati, jo larg kishës ortodokse. Dëshmitarë thanë se sapo Gjoni ka parkuar mjetin dhe pa e fikur ende atë, makina ka shpërthyer dhe është përfshirë nga flakët.

Drejtuesi i tij, 60-vjeçari Mark Gjoni, është mundur të nxirret nga mjeti me dëmtime të rënda dhe është dërguar në spitalin e Shkodrës, por për shkak të gjendjes së rëndë ai ka humbur jetën pas rreth 2 orësh. Kanë qenë persona që punojnë si roje private në dyqanet e zonës ata që sapo kanë dëgjuar shpërthimin janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë të dëmtuarit. Një mjet zjarrfikës ka bërë shuarjen e zjarrit.

Hetimi

Policia ka mundur të komunikojë me të ndjerin menjëherë pas ngjarjes, ndërsa ai ka qenë në gjendje të flasë edhe disa minuta pas shpërthimit Mësohet se në momentet e para pas shpërthimit ai ka treguar se mjetin e ka pasur te shtëpia dhe si çdo ditë ka dalë në punë. Më pas ai ka humbur ndjenjat, në një moment kur ka dashur të komunikojë diçka me vëllanë e tij. Policia ka përjashtuar pistën që lidhet me detyrën e vëllait të viktimës, pasi ajo nuk ka lidhje me individë të caktuar. Ndërkohë nga ana tjetër është bërë marrja në pyetje e personave me të cilët Gjoni kishte kontakte dhe kishte bërë biznes. Ekspertët e ardhur nga Tirana dhe hetuesit e krimeve të rënda akoma nuk kanë dalë me një version të qartë për motivet e ngjarjes apo autorët e mundshëm, por ndërkohë është bërë me dije se bëhet fjalë për eksploziv të telekomanduar.

Viktima e atentatit

Mark Gjoni punonte si kambist dhe është vëllai i një oficeri policie, shef armatimi në drejtorinë e policisë së Shkodës. Mësohet se viktima ka punuar prej vitesh si kambist dhe nga të dhënat e grumbulluara deri tani nuk dihet që ai të ketë patur ndonjë konflikt me ndonjë person. Viktima kishte tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza të martuara, që jetojnë jashtë vendit. Familjarët e viktimës pohojnë se nuk dinë të ketë patur ndonjë konflikt me persona të tjerë.

Në Shkodër, 5 raste shpërthimesh për konkurrencë

Vendosja e lëndës plasëse në Shkodër nuk është e panjohur dhe kryesisht ka qenë për dëmtim prone, dhe motivet kanë qenë konkurrenca dhe pronësia. Vetëm vitin e kaluar në këtë qark ka patur 5 raste vendosjeje lënde plasëse, por pa pasoja të rënda në njerëz. Në qershor të vitit 2009 u hodh në erë me lëndë plasëse të komanduar nga largësia Aleks Keka, biznesmen dhe kryetar i PDK-së për Malësinë e Madhe, vrasja e të cilit akoma nuk ka autor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›