E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra qytetarë në shesh, protestë për sigurinë në vend

Mijëra qytetarë marrin pjesë në protestën e djeshme. Opozita e bashkuar kundër qeverisë

TIRANË- Klima e ngarkuar politike që ka shoqëruar kohët e fundit marrëdhëniet mes partive të majta është demonstruar edhe dje gjatë protestës qytetare, ku liderët kryesorë të opozitës, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, pavarësisht se kanë pranuar që të jenë në shesh, kanë ngurruar të komunikojnë, duke mos i dhënë as dorën njeri-tjetrit. Megjithatë, kjo nuk ka penguar mijëra qytetarë të ardhur nga gjithë Shqipëria për të protestuar së bashku në një tubim, ku nuk mungoi as kërkesa për largimin e kryeministrit Sali Berisha si përgjegjësi kryesor për humbjen e besimit të shtetit, sidomos pas tragjedisë së Gërdecit, që kulmoi me vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka.

Protesta

Ashtu siç ishte programuar, tubimi ka marrë jetë nga Sheshi “Skënderbej”, ku dhe ka nisur grumbullimi jo vetëm i simpatizantëve të partive të majta, por edhe i mijëra qytetarëve të cilët i ishin përgjigjur pozitivisht thirrjes për të protestuar për standardet e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Por megjithëse ishte paralajmëruar që do të protestohej për vlerat e demokracisë dhe jo për interesat e partive politike, protesta ka nisur me rivalitetin me banderola mes mbështetësve të PS-së dhe LSI-së, ku nuk kanë munguar as flamujt me ngjyrat partiake. Por problemet e vogla për koordinimin e mbështetësve partiakë nuk ka mundur që të eklipsojë aspak turmën e madhe të njerëzve, që duke dalë mbi interesat e ngushta partiake, kanë kërkuar në kor më shumë siguri, zhvillim dhe qetësi. Me parullat “Siguri për jetën barazi para ligjit”, “Gërdeci kërkon drejtësi, Saliu në Prokurori”, “Vaj vatani e mjerë mileti, ku po shkon o Sali Qameti”, turma i është drejtuar bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur përpara selisë së Këshillit të Ministrave, ku dhe ishte përgatitur një skenë modeste, nga ku qytetarë dhe politikanë mbajtën fjalimet e tyre të rastit. Ndryshe nga dy protestat e mbajtura në pranverë, kësaj radhe binte sy numri i madh forcave të policisë të organizuara në tre kordona që rrethonin pjesën ballore të Kryeministrisë.

Fjalimet

Protestën e ka përshëndetur fillimisht kreu i Shoqatës “Gërdeci”, Gëzim Gjoni, i cili ka akuzuar kryeministrin Berisha se jo vetëm vrau dhjetëra njerëz dhe shkatërroi mijëra prona, por edhe gënjeu më pas banorët e kësaj zone të prekur nga tragjedia, për mbështetjen e shtetit dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve të saj. “Gjashtë muaj më parë, së bashku me shpërthimin e Gërdecit, shpërtheu dhe ndjenja e pasigurisë në Shqipëri. Sot, gjashtë muaj më pas, drejtësia ende nuk ka vepruar, dora mbështetëse e shtetit mungon dhe siguria e jetës është më e ulët se kurrë më parë. Berisha mashtroi Gërdecin”,- tha Gjoni. Më pas kanë folur me radhë krerët e partive opozitare, Milo, Gjinushi, Meta, Rama dhe kreu i “G99”, Erion Veliaj, të cilët sollën në vëmendje të pjesëmarrësve se keqqeverisja trevjeçare e Berishës ka sjellë për shqiptarët më shumë dhimbje se gëzime. Duke iu referuar pikërisht rastit të vdekjes së dëshmitarit kyç të trafikut të armëve, Kosta Trebicka, ata kanë evidentuar faktin se sot në Shqipëri nuk ka siguri për asgjë, duke filluar që nga rendi, qetësia, por nuk ka siguri edhe për biznesin, ekonominë, ashtu edhe bujqësinë. Megjithatë krerët opozitarë, përveçse kanë folur për Berishën dhe përgjegjësinë e tij direkte për gjendjen e pasigurt të krijuar në vend, kanë përcjellë edhe mesazhe për njeri- tjetrin, në kuadër edhe të qëndrimeve që kanë mbajtur ditët e fundit, kryesisht për mënyrën e të bërit opozitë. Kështu, ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta ka këmbëngulur në idenë e vet për largimin me çdo mjet të Berishës, kreu i PS-së ka vlerësuar se ai duhet të largohet, por me votë dhe jo me dhunë.

Parullat

Siguri për jetën barazi para ligjit

Gërdeci kërkon drejtësi, Saliu në Prokurori

Shqipëria ka zot, o Sali nuk na frikëson dot

Vaj vatani e mjerë mileti, ku po shkon o Sali Qameti

Sali call 069, A po vjen për gjah

Na ka mbyt fukarallëku, po na rrjep Sali “bollëku”

Jep dorëheqjen o Sali, na e le vendin në zi

Ina Rama nuk je vetëm

Protesta, simpatizantët bllokohen në rrugën nacionale

Bllokimi i rrugës nacionale në aksin Rrogozhinë- Durrës ka revoltuar me dhjetëra simpatizantë të Partisë Socialiste dhe qytetarë të thjeshtë, që ishin nisur për të marre pjesë në mitingun e organizuar në qytetin e Tiranës. Por ky bllokim që ka zgjatur rreth 2 orë ka viktimizuar edhe pasagjerët e rastësishëm që po kalonin në këto momente në linjën nacionale drejt Durrësit e Tiranës për problemet e zakonshme. Pikërisht për zhbllokimin e kësaj situate mbërriti edhe deputeti socialist i Beratit, Marko Bello, i cili u mundua të sqarohej me Policinë Rrugore, e cila pikërisht në momentin e mbërritjes së autokolonave në Tiranë, u angazhua me vijëzimin e rrugës, duke vonuar jo pak mbërritjen në kohë të simpatizantëve për miting.  

Rama: Berisha, i dyshuari i madh i Gërdecit

TIRANË- “Në qoftë se Kosta Trebicka do të kishte humbur jetën në një nga vendet e Bashkimit Europian në Angli, në Gjermani, në Francë, askush, asnjë qytetar i vetëm nuk do të kishte menduar se e kanë vrarë. Ndërsa në Shqipëri, të gjithë, përpara sesa të mendonin diçka tjetër, menduan se u vra dëshmitari”. Kështu e ka nisur fjalimin e tij para protestuesve kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili duke u përqendruar pikërisht tek kjo ngjarje e rëndë për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vend, ka theksuar se kjo qeveri dhe ky Kryeministër po vret shpresën e shqiptarëve. “Problemi ynë, miqtë e mi, nuk është nëse Sali Berisha ka apo nuk ka gisht në vdekjen e Kosta Trebickës, problemi ynë është se Sali Berisha ka dorë në vdekjen e shpresës”, - tha Rama. Por kryetari i PS-së ka siguruar se socialistët dhe progresistët së bashku me gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm do të bëjnë të pamundurën që përmes sensibilizimit dhe bashkimit t’i thonë ndal përkeqësimit të kësaj situate. Rama ka bërë të qartë se edhe ky tubim është për të dëshmuar se të gjithë qytetarët e ndershëm duan një Shqipëri, ku shteti të dalë zot dhe ku qeveria pasi shkaktoi tragjedi të tilla si ajo e Gërdecit, ku humbën jetën 26 vetë dhe qindra të tjerë u plagosën nuk arrijnë të sigurojë jetën e një dëshmitari që ka akuzuar pikërisht atë për këtë tragjedi. “Ne nuk kemi nevojë për një shtet, për këta pushtetarë dhe për këtë Kryeministër, i cili është i dyshuari i madh i asaj që ndodhi në Gërdec”,- tha Rama. Për t’i dhënë fund kësaj gjendje, kryesocialisti ka theksuar se është e nevojshme që edhe opozita të lërë mënjanë luftën për interesa të ngushta të individëve të ndryshëm që përfaqësojnë atë dhe të përqendrojë më shumë forcat dhe luftën e saj tek hallet dhe problemet që sipas Ramës kërcënojnë sot seriozisht standardet e një shteti demokratik. “Ne kurrë nuk do t’ia japim Sali Berishës shansin të fshehë vërtetën pas tymit të një lufte për interesa të vogla partiake dhe meskine. Unë ju them, miqtë e mi, se ka vetëm një rrugë për të dalë nga errësira, ka vetëm një rrugë për të parë dritën në fund të këtij tuneli, që vazhdon prej 17 vjetësh. Kjo është rruga e bashkimit të madh. Për t’i dhënë jetë pushtetit të qytetarëve, jo me dhunë, por me zgjedhje të lira”, - theksoi kryesocialisti Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›