Spahiu në Uashington për drejtësinë
TIRANË- Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë po zhvillon prej dy ditësh takime me zyrtarë të lartë të SHBA. Kreshnik Spahiu është pritur nga drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë dhe të Sistemit Gjyqësor Amerikan. Gjithashtu Spahiu pati takime në Departamentin Amerikan të Shtetit. Bisedat me zyrtarët, prokurorët dhe gjyqtarët amerikanë janë zhvilluar mbi çështjet më të mprehta në të cilat ka sfidë sot Shqipëria, korrupsionin, krimin e organizuar, reformat, pavarësinë e institucioneve, sundimin e ligjit, imunitetin, procesin legjislativ si dhe në lidhje me projektet për pushtetin gjyqësor, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, administratën gjyqësore, gjykatën administrative etj. Një nga çështjet më të rëndësishme që është trajtuar në bisedat e zëvendës Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me zyrtarët e lartë amerikanë ka qenë plotësimi dhe zhvillimi i standardeve të institucioneve të drejtësisë dhe shtetit ligjor, si kërkesa e vendeve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë.