Mikic: Trajkovic nuk e përfaqëson Listën e Bashkuar Serbe

Kryetari i Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikic, i ka demantuar deklaratat e Rada Trajkovicit, sipas së cilës Lista e Bashkuar Serbe nuk do të bëjë koalicion me asnjë kusht me PDK-në e Hashim Thaçit.
“Rada nuk është kurrfarë bartëse e listës dhe nuk ka asnjë lloj kredibiliteti moral të flasë në emër të listës, aq më tepër kur sipas informatave që ne posedojmë Rada Trajkovic as nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të qenë deputete e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Mikic i cili në këtë Listë garon me tre kandidatë të Partisë së Ripërtëritjes Serbe.
Mikic nuk e ka përjashtuar mundësinë e hyrjes në koalicion me PDK-në.
"Qëllimi i të garuarit në politikë është që të futemi në Kuvend dhe të bashkëpunojmë e të merremi vesh që të jemi pjesë e pushtetit me atë parti e cila formon Qeverinë e Kosovës", ka deklaruar Mikic për “Radio Premiera” .
“Nëse Boris Tadic, Kryetari i Serbisë mund të thotë se mund të bisedoj me Hashim Thaçin, përderisa ai nuk është gjykuar nga ndonjë gjykatë, dhe përderisa secili ka të drejtë të ndihet i pafajshëm derisa nuk është vërtetuar e kundërta, nuk e di pse ne ose dikush nga Lista jonë do të duhej të fliste ndryshe”, tha Mikic.
Përfaqësues të Listës së Bashkuar Serbe e quajnë Rada Trajkovicin një politikane të dështuar vendi i së cilës është në histori.
“Problemi i saj është se ajo nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të qenë deputete, disa njerëz të tjerë do të jenë deputet dhe ata do të marrin përgjegjësinë për të punuar për të mirën e komunitetit të tyre. Unë kontaktoj edhe me përfaqësuesit e tjerë të partive që janë në Listën e Bashkuar Serbe por ne deri më tani ende nuk kemi diskutuar për koalicionin sepse po presim mbarimin e tërë procesit zgjedhor, dhe deri atëherë Rada Trajkovic mund të flasë por ajo nuk përfaqëson askënd tjetër përveç vetvetes”, ka përfunduar Gradimir Mikic, Kryetar i Komunës së Ranillugut.
Ndërsa, vet Rada Trajkoviq ka thënë sot se është e gatshme të qëndrojë në opozitë, në vend se të bëjë koalicion me Hashim Thaçin.
Trajkoviq gjatë një debati në Qendrën Mediale në Çagllavicë, ka thënë subjekti i saj ka vendosur qe të qëndroi në opozitë.
“Ne jemi të vendosur që të mos hyjm në qeverinë qe e udhëheqë Hashim Thaçi, pasi nuk jemi të interesuar te qeverisim me njerëz qe janë nën hetime. Ne do të pranonim qe të jemi në qeveri me Isa Mustafën pasi ai nuk është duke u hetuar nga organet e rendit”, ka thënë Trajkoviq. /RadioPremiera/