Mikja ime, Pavlina Nikaj

Kjo gjë ndodhte sidomos me këngët e Amerikës Latine, spanjolle apo portugeze, sidomos këngët: ‘Paloma’, ‘Qielli i lumturisë’, ‘Komanito’ etj. Më dukej sikur kishe lindur në këtë skenë, aq bukur i këndoje. Në rrugën e këngës hyre ashtu aq thjesht, pa u ndjerë, por hyre si një zonjë e rëndë që do të linte gjurmë në muzikën tonë të lehtë. Hyre me këngët e Agim Prodanit, Pjetër Dungut, Vath Çangut e shumë kompozitorëve të tjerë.
Duetet e tua me Anita Taken ishin perla të muzikës shqiptare. Prandaj t’i për mua mbetesh e paharruar. Ishe fare e vogël kur këndove në pallatin e pionierit në Korçë, më pas 14 vjeçe në korin e kishës, e më pas në Ansamblin “Lira” të qytetit. Dhe erdhi një ditë ku Gaqo Avrazi të propozoi të vije këngëtare në Ansamblin e Ushtrisë.
A të kujtohet që i the: unë vij, por do të pres burrin. Sa vjeç je martuar, të tha Gaqoja . - 16 vjeç, –iu përgjigje. Mirë, të tha, do të sjellim edhe burrin në Tiranë e kjo vetëm për zërin e mrekullueshëm që ke. Ti u gëzove dhe fillove jetën në Tiranë. Në ansamblin e ushtrisë në atë kohë kishte vetëm burra, e pra ti je femra e parë në atë ansambël. Të gjithë të thërrisnin: “bija e regjimentit”, më pas, në vitin 1957 fillove punë si profesioniste në Estradën e Tiranës, ku shfaqe gjithë talentin tënd në mijëra këngë të të gjitha krahinave e të të gjithave gjuhëve të botës.
Kjo dhunti ishte e jotja, vetëm e jotja, që të bëri të pavdekshme e të papërsëritshme. Erdhën vitet, dhe ja ku u takuam ballë për ballë në Estradë. Do të bëj një recital, më the, me 18 këngë. E para, u gëzova shumë që m’u dha mundësia të flas me ju dhe se diç u gëzova më shumë që do të bësh një recital. Filluam punën me shumë dashuri, ishe e palodhur, këmbëngulëse. Bëje prova dy herë në ditë e zor të lodheshe. Ato ditë ti ishe bilbili i skenës, e bilbil ngele deri në fundin e jetës tënde. E ky recital për mua do të mbetet kujtimi më i bukur i jetës sime. /shqip/