E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miklau: Drejtësia në Shqipëri jo e lirë

Drejtësia në Shqipëri nuk është e lirë nga ndërhyrjet e politikës. Kështu është shprehur kreu i misioni të BE-së , EURALIUS Roland Miklau në një intervistë për "Deutsche Welle". Sipas Miklaut misioni i BE-së, EURALIUS po mbështet Shqipërinë në reformimin e sistemit të drejtësisë.
"Synimi i përgjithshëm i projektit është të ndihmojë vendosjen e një sistemi modern, profesional dhe transparent të drejtësisë, në të cilin njerezit të besojnë" theksoi Miklau duke shtuar se qëllimi është që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim në sistemin e tyre të drejtësisë. Sipas tij është e domosdoshme që niveli i korrupsionit të ulet dhe qytetarët e Shqipërisë të kenë ndjesinë që shumica e proceseve gjyqësore marrin një gjykim të ndershëm, të paanshëm, objektiv, të mbështetur në ligj dhe në përputhje me standartet europiane.
Ndërkohë Miklau theksoi se Shqipëria ka një nevojë urgjente për të vazhduar reformat në drejtësi. "Janë realizuar një sërë projektesh, janë arritur suksese por ka ende shumë për të bërë. Po, ka nevojë për vendosjen e procedurave që bëjnë të mundur jo vetëm hartimin e ligjeve të mira sipas standarteve të BE por edhe zbatimin e tyre, përgatitjen e tyre në atë mënyrë që zbatimi i ligjeve të lehtësohet" theksoi Miklau.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›