E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miku i taksistit: E pashë me vrasësit, sarriti të fliste

Taksisti i vrarë, Fredi Talelli

Personi që është përshëndetur me taksistin Fredi Talelli, pak para se ky i fundit të masakrohej, ishte dje i thirrur në Gjykatën e Korçës, në cilësinë e dëshmitarit. Ai rrëfeu momentin e fundit të përshëndetjes me Talellin, të cilin e kishte edhe mik të tij.Gjithashtu, po dje në seancën e radhës është marrë në pyetje edhe babai i viktimës, Fiqiri Talelli. Por, ashtu sikurse edhe në seancën e mëparshme, ku bashkëshortja e Talellit reagoi ashpër në gjykatë, të njëjtin reagim pati edhe babai i taksistit të vrarë. Gjykata e shtyu seancën gjyqësore, pasi mori dëshminë e tij dhe të dëshmitarit tjetër, për shkak se vetëm dy nga gjashtë të pandehurit ndodheshin në sallë. Fiqiri Talelli reagoi me tone mjaft të ashpra, duke akuzuar se po zvarritet procesi për vrasjen e të birit. Në seancën e djeshme ndodhej përtej hekurave një prej autorëve kryesorë të vrasjes, Arnes Xhaçka, dhe një bashkëpunëtor në krim, Kastriot Papleka. Për vrasjen e tim biri mësova vetëm pasi ai u gjend i vdekur. Ditën që u zhduk, por dhe më pas, telefonin e kishte të fikur, por ne ende shpresonim se nuk mund ti kishte ndodhur ndonjë e keqe dhe sidomos të ishte vrarë, u shpreh babai i viktimës, Fiqiri Talelli. Po në këtë seancë dëshmoi edhe një person tjetër, Leonard Agolli. Ai e ka parë rastësisht taksistin që u vra në një rrugë dytësore midis fshatrave Zvezdë dhe Pojan. Kur është kryqëzuar me makinë me taksistin Talelli, dëshmitari i djeshëm pohoi se kishte ndezur dritat për ta përshëndetur, por nuk kishte marrë asnjë sinjal prej tij. Ky dyshohet se ka qenë momenti kur taksisti ishte vënë nën kërcënimin e dy të rinjve nga Bilishti, që e rrëmbyen për ta grabitur. Pashë që mjeti tip Benz i Fredit mori rrugën drejt fshatit Shëngjergj. Njoftova të afërmit e tij për këtë gjë. Të afërmit e denoncuan pas dy ditësh si të zhdukur, duke njoftuar policinë që të fillonte kërkimet, u shpreh dëshmitari Leonard Agolli. Pas dhënies së kësaj dëshmie, u vendos shtyrja sërish e seancës, pasi nuk u paraqitën dëshmitarë të tjerë të thirrur nga Prokuroria. Ky proces ka njohur deri tani disa shtyrje të seancave, një prej të cilave pasi avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan të ndryshonte trupi gjykues, duke pretenduar se tregoi njëanshmëri. Por nga ana tjetër, më ashpër ka reaguar gruaja e taksistit të vrarë, e cila, duke qenë e pranishme në një shtyrje të seancës, ka shkaktuar tension në sallën e gjyqit duke kërkuar dënim të rëndë për autorët. Të njëjtin reagim pati dje edhe babai i viktimës, i cili kërkoi të mos zvarriten seancat për vrasjen e të birit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin nëntor të vitit të kaluar.

KORCE/ GEZIM ASHIMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›