Jo bash institucional

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë padi ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në Gjykatën Supreme të Kosovës për mosrespektimin e vendimit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) që edhe në Gjilan të votohet më 31 janar.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri në një konferencë për media, tha të premten se tejkalimi i autoritetit nga KQZ’ja dhe përcaktimi i rolit abstenues të kryetares së këtij institucioni e kanë dëmtuar procesin zgjedhor në Kosovë.
Kur i kanë konvenuar vendimet e KZAP-së dhe KQZ-së, Lutfi Haziri i ka duartrokitur ato dhe e ka lëvduar LDK-në si parti institucionale dhe që nuk përzihet në punën e trupave të pavarura. Por, kur ndonjë vendim nuk i ka pëlqyer, ai pa fijen e hezitimit publikisht i ka goditur udhëheqësit e këtyre trupave të pavarura. Kështu ndodhi edhe dje, për rastin e Gjilanit.
Deklarimet e Hazirit janë bërë në kohën kur në Qendrën e Numërimit të Votave po vazhdonte rinumërimi dhe hetimi për votat e komunës së Gjilanit me pjesëmarrje të vëzhguesve të LDK’së.
Haziri tha se KQZ’ja me këtë vendim e ka tejkaluar autoritetin e saj, pasi që, sipas tij, ka bërë shkelje mbi një organ tjetër të pavarur çfarë është KZAP-ja.
“Ne kemi hedhur padi ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme se është organi më i lartë, i cili do të mund ta interpretonte të drejtën e autoritetit kushtetues për vendimmarrjen. Kjo është shkallë gjyqësore në të cilën ne besojmë që do të sqarohet tejkalimi i këtij autoriteti nga ana e KQZ’së dhe kryetares së saj, e cila do të mbahet mend për rolin e saj abstenues në procese, ashtu siç po abstenon në vendimet e saj. Askund në botë nuk ndodh që kryetari i një organi aq të lartë kushtetues të abstenojë në vendime të rëndësishme”, tha ai.
Haziri vlerëson se kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, me përcaktimin e rolit të saj abstenues në procesin për Gjilanin e ka dëmtuar edhe përmbylljen e procesit zgjedhor në Kosovë.
Ai tha se pret që gjatë rinumërimit dhe hetimeve do të konstatohet vendimi i mëhershëm i KZAP’së, sepse, sipas tij, nuk mund të dalin dy të vërteta, edhe pse dëme janë bërë mjaft deri më tani.
“Ne besojmë që procesi do të jetë i suksesshëm dhe do të përmbyllet më 31 janar nëpër tri komuna, Gjilan, Lipjan dhe Prizren dhe t’i kthehemi jetës apo normalitetit në këto komuna, sepse vërtet qytetarët janë ata që po presin me ankth përmbylljen e këtij procesi”, tha ai.
Sipas Hazirit, pas ngjarjeve dhe vendimeve kundërshtuese që kanë marrë institucionet që organizojnë zgjedhjet, tani në raundin e tretë partitë duhet të punojnë edhe më shumë që të shtyjnë qytetarët të dalin në zgjedhje.
Në anën tjetër, Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta, nuk ka dashur të premten të flasë për padinë që LDK’ja i ka bërë KQZ’së në Gjykatën Supreme.
“Nuk dua të flas ngase ende nuk e kam parë padinë. Dua t’i shoh procedurat e tani ndoshta e komentoj, ndërsa tani s’mund ta komentoj”, tha ajo për Express.
Ndërsa, Lushta e ka quajtur të drejtë të Hazirit kritikën për të, e cila ka abstenuar në shumicën e vendimeve të KQZ’së.
“Është e drejtë e tij të kritikojë, të akuzojë, por unë nuk mund të komentoj për këto deklarata pa e parë padinë. Normal se do të jap ndonjë koment, por jo tash, sepse nuk e kam parë ende padinë“, tha Lushta.