E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mikullovci: 2 Korriku, gur në themelin e Kosovës

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci thekson se rëndësia historike e Deklaratës së 2 Korrikut është, se është një gur në themelin e shtetësisë së Kosovës.
"Rëndësia historike e Deklaratës së 2 Korrikut është, se është një gur në themelin e shtetësisë së Kosovës dhe është një kazmë, e cila i mëshoi kështjellës serbe botërisht, duke i thënë se populli shqiptar më nuk i duron këto tortura, populli shqiptar do të ketë shtetësinë e vet", ka thënë Mikullovci dhe ka shtuar se 2 Korriku duhet të jetë pikënisja e mëvetësisë së Kosovës, pasi është akt legjitim që ka marrë Kuvendi legjitim në rrethana jashtëzakonisht të këqija, por në sy të botës edhe përballë policisë serbe ka shpallur mëvetësinë e Kosovës si njësi e barabartë me njësitë tjera të federatës jugosllave.

Ai kujton kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut, deri tek e cila datë kanë ardhur më vështirësi shumë të mëdha, duke mbajtur mbledhje maratonike në Kuvend si dhe duke zhvilluar takime me udhëheqësit atëhershëm të federatës jugosllave.

"Ne kemi dashur ta ruajmë kushtetutshmërinë, kemi luftuar me të gjitha forcat kundër kushtetutës së re të Serbisë, me të cilën është pezulluar autonomia e Kosovës, por kur e pamë që nuk ka tjetër edhe ashtu kishim ndërmend që ta bëjmë këtë, ne e shpallëm Deklaratën kushtetuese, ai akt mëvetësie aso kohe për Kosovën", theksoi Mikullovci.

Ai kujton në detaje fjalimet që janë mbajtur në Kuvend para shpalljes së Deklaratës dhe zhvillimet gjatë shpalljes, kurse ndjehet i befasuar me mos futjen e 2 Korrikut në kalendarin e festave të Kosovës.

"Unë jam i befasuar jashtë zakonisht, jo që nuk po injorohet nga Qeveria jonë 2 Korriku, por as nuk po festohet dhe nuk është marrë si datë shtetërore. Jam shumë i befasuar, sepse në kujtesën e popullit 2 Korriku ka mbetur si një ngjarje shumë e rëndësishme dhe besoj se 2 Korriku është ai hapi parë drejtë mëvetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, kjo është dashur gjithsesi të jetë një festë shtetërore", pohoi Mikullovci.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›