E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan Junior Camp 5 me te miret perfaqesues ne Itali

Entuziazmi i pambaruar dhe sfondi kuqezi i fëmijëve në fushën e gjelbër ishte epilogu i edicionit të katërt i “Milan Junior Camp- Tirana 2011”. Për pesë ditë me rradhë mbi 300 fëmijë ishin protagonistë të një kampingu sportiv, produkt i projektit “Milan Junior Camp”, ku ishin afër seancave stërvitore, afër kontaktit me topin, me fanellën e Milanit, si një ndjesi e pazëvendësueshme. Të gjitha skuadrat e fëmijëve pjesëmarrës ishin panorama qëndrore, ndërkohë që pas tyre prindërit konstatonin tek ta pasionin e tyre dhe nxitjen për të qenë aty, në këtë kamping.

Një ‘happy end’ mes qindra fëmijëve të cilët për pesë ditë u ndjenë pjesë e kampionëve, një pasion që edhe në këtë edicion të katërt në Tiranë gjeti suportin konstant dhe maksimal të grupit “Taçi Oil” për realizimin e vazhdueshëm në çdo vit të këtij projekti. Premtimi për më tej vjen sërish nga presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, i cili mes fëmijëve shprehu vullnetin dhe prioritetin në vijimësi për pasionin e të gjithë kësaj klase fëmijësh.

“Ky është viti i katërt i “Milan Junior Camp” dhe duke parë me sa dëshirë, me sa seriozitet dhe me sa pasion ju e ndiqni vit pas viti këtë program une mendoj, besoj dhe duhet që pasioni juaj të ketë gjithmonë një partner që ky aktivitet të vazhdojë gjatë në vendin tonë për të bërë të mundur që talentet e ardhshme, pse jo, të lozin në skuadrën e madhe të Milanit”- u shpreh zoti Taçi.

Këtë edicion, stafi i trajnerëve i ardhur nga Milano, fillimisht premioi fëmijët më të dalluar të secili grup në një kohë që secili grup bënte tifo edhe për trajnerin e tij. Çmime që vinin pas seancave stërvitore të realizuara këto ditë në impiantet kryesore sportive në vend.

Një çmim special erdhi edhe për Brajanin e vogël për të cilin ishte enkas fanella e nënshkruar nga braziliani i Milanit Alexandre Pato. Brajani luan me moshat e skuadrës belge të FC Brussels, por nuk nguroi kurrsesi të frekuentonte “Milan Junior Camp- Tirana”.

Ndërkaq stafi teknik i Milanit përzgjodhi në fund të kampingut pesë fëmijët shqiptarë të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në “Milan Day” në Milano. Ata do të jenë këtë vit pjesa shqiptare në manifestimin e madh mes fëmijëve nga e gjithë bota.

Edhe për këtë vit “Milan Junior Camp- Tirana” uli siparin. Fëmijët përjetuan ditët e tyre afër futbollit dhe pasionit për këtë sport. Ishte edicioni i katërt që grupi “Taçi Oil” në partneritet të ngushtë me klubin e Milanit realizoi në Tiranë këtë projekt shumë afër dëshirave të fëmijëve për të qenë sa më afër kampionëve.

Pasioni i tyre do të vazhdojë edhe më tej të gjejë mbështetje ku “Taçi Oil” do të jetë ura lidhëse e bërjes fakt të kësaj ëndrre.

Gerti Çarçani
Azhornuar së fundi ( e shtunë , 16 korrik 2011 )

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›