E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan behet gati

Kampionëve u hanë duart, apo më mirë të themi u dhembin këmbët dhe mezi presin që të nisin sezonin e ri. Kuqezinjtë e Milanit përgatiten intensivisht për ndeshjen e parë të sezonit, atë të javës së dytë të kampionatit ndaj Lacios, pasi java e parë u dogj për shkak të grevës.

Blerjet e reja Alberto Akuilani, Antonio Noçerino e Filip Mekses ishin bashkë me grupin, në dispozicion të trajnerit Alegri, por ata futbollistë që ishin pjesë e të kaltërve në ndeshjet eleminatore të Euro 2012-ës, u lejuan që të largoheshin më herët nga stërvitja.

Xhenaro Gatuzo, një veteran i luftërave, është ndër më aktivët, ndërsa kërkon të tjerë trofe në karrierën e tij të lavdishme. Po ashtu, holandezi me përvojë, Mark Van Bomel, që bisedon diçka me Noçerinon.

Akuilani erdhi nga Liverpuli, pasi luajti vjet me Juventusin, Noçerino nga Palermo dhe Mekses nga Roma.
E para në radhë do të jetë Lacio, për të cilën nuk do të jetë në dispozicion Lorik Cana, për shkak të një dëmtimi dhe pas kryeqytetasve vjen udhëtimi i tmerrshëm drejt Barcelonës, në ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Kështu pra, detyrat janë të shumta dhe të vështira që në fillim, ndaj edhe skuadra dëgjon me vëmendje trajnerin Alegri dhe më pas vijon përgatitjet me seriozitetin më të madh. Ashtu siç i takon një skuadre kampione, apo jo?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›