Ta rinisim nga e para për të ardhmen e Shqipërisë
Kroati jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por e mendon të ardhmen në krye të kuqezinjve: Shqipëria ka mbetur në mendjen time
Nga Adi Metaliu
Pas humbjes së djeshme 2-1 me Luksemburgun, kuqezinjtë kanë mbërritur në Tiranë rreth orës 3 të mëngjesit të së mërkurës, kokulur, të shpërndarë e pa gjysmën e lojtarëve që ishin nisur menjëherë për në vendet ku aktivizohen. Trajnerit Kuzhe, sapo ka dalë nga aeroporti i Rinasit, nuk ka ngurruar ta komentojë këtë humbje turpëruese të Shqipërisë, si gjithmonë, pa nxjerrë përgjegjësit, qoftë veten e tij.
Imazhi i keq Në një grup të tillë, me shumë skuadra pretendente, Shqipëria mund të kishte grumbulluar më pak pikë, por të paktën nuk do ta përdhoste imazhin e saj duke u mundur nga amatorët e Luksemburgut. Një ditë e pafat për ne. Bëmë disa gabime, nuk luajtëm mirë dhe pësuam gol.
Në pjesën e dytë kishim një plan të mirë, por kartoni i kuq prishi gjithçka. Gjithsesi, ne e humbëm ndeshjen dhe ky ishte një rezultat shumë i keq, veçanërisht për imazhin tonë. Për mendimin tim, Shqipëria duhet të mësojë nga kjo ndeshje,- është shprehur Kuzhe.
Rifillimi Kroati është shprehur gjithmonë në media se do ti përfundonte eliminatoret me këtë grup lojtarësh, pastaj do të niste rinovimin, mirëpo kjo humbje e pazakontë e detyron trajnerit të shprehet se rinovimi nis qysh pas kësaj ndeshjeje: Lodhja ishte një problem më vete. Gjendja e lojtarëve tanë nuk ishte e mirë. Në pjesën e dytë lojtarët tanë nuk ishin në gjendje të vraponim.
E përsëris: kjo ndeshje na mësoi shumë gjëra, të cilat duhet ti kemi parasysh në të ardhmen. Në mënyrë të menjëhershme duhet të fillojmë nga fillimi. Duhet të grumbullojmë lojtarë të rinj dhe të provojmë gjëra të reja në ndeshjet e mbetura të këtyre eliminatoreve. Kjo është e ardhmja e Shqipërisë.
Kontrata Pavarësisht të gjithave, vazhdon të flitet për një rinovim lojtarësh, por ende nuk dihet se përse nuk ishte bërë deri më tani. Më dështimin në këto eliminatorre, para se të flasë për rinovimin e skuadrës, Josip Kuzhe duhet të sqarojë pozicionin e tij, shumë i komprometuar pas kësaj humbjeje të turpshme: Deri tani nuk kam menduar për pozicionin tim, duhet të mbyllim edhe dy ndeshjet e ardhshme. Nuk e mendoj shumë çështjen e rinovimit.
Sigurisht që Shqipëria ka mbetur në mendjen time pas kësaj eksperience që kam kaluar. Por do të shohim,- tha Kuzhe, i cili lë të nënkuptohet që dëshira e tij është të vazhdojë, pavarësisht situatës së krijuar. Jemi sërish të parafundit në grup me 8 pikë, me 3 humbje radhazi, që prishën ëndrrën që besuan të gjithë në fillim të edicionit. Gjithçka duket drejt një fundi të hidhur sa u përket rezultateve, lojtarëve që po largohen pa zëvendësues dhe një trajneri që mendon se duhet filluar nga e para.
Cilët preken nga rinovimi?
Ervin Skela, 34 vjeç, pa skuadër
Klodian Duro, 33 vjeç, pa skuadër
Altin Lala, 35 vjeç, edhe një vit lojtar i Hanoverit
Erjon Bogdani, 34 vjeç, sulmues i Çezenës
Dëmtimi
Lorik Cana humb premierën me Milanin
Mesfushori shkatërrues i Lacios, shqiptari Lorik Cana, nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Reja për ndeshjen e së premtes me Milanin në San Siro. Lajmi konfirmohet nga stafi mjekësor i Lacios, që sqaron mungesën e 28-vjeçarit kuqezi: Cana ka pësuar një dëmtim të muskulit femoral të kofshës së djathtë e për rrjedhojë nuk do të jetë me skuadrën në premierën e kampionatit.
Ky është lajm i keq për tifozët shqiparë, që mezi e prisnin ta shikonin Canën në Serinë A, veçanërisht kundër Milanit. Cana i mungoi shumë edhe kombëtares kuqezi në takimin eliminator me Luksemburgun. Pa mesfushorin e Lacios në formcion mbrojtja kuqezi pati probleme në orientim, duke u dhënë mundësi amatorëve të Luksemburgut të shënojnë dy herë në portën e Ujkanit. Mësohet se do të duhen dy javë kohë për riaftësimin e Canës.
