Ëndërron të ‘Trefishtën’

Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas është i mbushur me ambicie, për pjesën e dytë të sezonit 2011-12. Mesfushori spanjoll ëndërron ta fitojë La Ligën, Ligën e Kampionëve dhe Copa Del Reyn, në fanellën e klubit katalunas.
Ish-futbollisti i Arsenalit tashmë ka fituar Botërorin e klubeve, Superkupën e Spanjës dhe Superkupën e Evropës, prej se u transferua në klubin nga Camp Nou, gjatë vitit që shkoi. Mirëpo, përfaqësuesi spanjoll është i etur për trofe të tjerë, e sidomos atë të evenimentit më të rëndësishëm evropian të klubeve, Liga e Kampionëve.
“Dëshiroj të arrij suksese më të mëdha dhe të fitoj sa më shumë tituj me Barcelonën, këtë vit. Ëndërroj ta fitoj të trefishtën. Nëse do të duhej të zgjidhja, do ta doja Ligën e Kampionëve, ndërsa më pas La Ligën”, theksoi Fabregas në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.
Cesc nuk e ka fituar kurrë Ligën e Kampionëve. Madje, ai kishte fituar trofe shumë rrallë, gjatë eksperiencës së tij në Arsenal, ku mbante shiritin e kapitenit. Ndërsa, kur u rikthye në klubin ku ishte rritur, ai brenda 4 muajsh fitoi plot tri trofe. Por, ky fakt nuk do ta ndalë atë që të jetë edhe më kërkues.
“Titullin të cilin jam duke e pritur qe një kohë të gjatë, është Liga e Kampionëve. Ky kompeticion më dhuron ndjenjë të veçantë dhe është më i vlerësuari nga pjesa më e madhe e lojtarëve”, vazhdoi ai.
Derisa Fabregas në vitin 2011 fitoi tri trofe, kjo nuk mund të thuhet edhe për Barcelonën. Klubi katalunas fitoi plot pesë trofe dhe dy më të rëndësishmit, Ligën e Kampionëve dhe La Ligën, Cesc nuk arriti t’i shijojë, pasi që iu bashkua Barçës vetëm gjatë verës së vitit që shkoi.
Barcelona do të luajë me Bayer Leverkusenin, në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve, kah mesi i shkurtit. Ndërkohë, ‘Blaugrana’ do ta presin Osasunën të sonte, në ndeshjen e vlefshme për të tetën e finales së Copa del Rey, para se të përballen me Espanyolin, të dielën, në La Ligën spanjolle.