E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani “Mbret” në “Bernabeu”, turpëron Realin

Humbet Kaka kundër ish-skuadrës së tij, ndërkohë që ylli i mbrëmjes ka qenë Pato. Me dopietën e tij, braziliani ndihmoi ekipin të dalë fitimtar nga “Santiago Bernabeu”, duke përmbysur çdo parashikim të bërë para takimit.

Një pjesë e parë pa shumë raste, ku të dy ekipet më tepër mendonin për mbrojtjen dhe ishin të vendosur mirë në fushë. Gjithçka e barabartë deri në minuën e 19-të, ku një gafë e portierit brazilian të Milanit, Dida, bën që “Mbretërit” të kalojnë në epërsi. “Gardiani” i katërkëndëshit kuqezi nuk arrin në kontrollojë si duhet një gjuajtje qendrore të Graneros nga hyrja e zonës dhe aty përfiton kapiteni Raul, që shënon golin e 66-të personal në Ligën e Kampionëve.

Edhe pjesa e dytë nis nën ritmet e “simfonisë” së bardhë, që shfaqet më këmbëngulës dhe kërkon të dyfishojë rezultatin. Por do të vinte minuta e 62-të, kur Andrea Pirlo do të lëshonte një predhë nga rreth 35 metra dhe topi prehet në rrjetën e Kasiljas.

Kaq u ka mjaftuar kuqezinjve që të vendosin diktatin në fushë. Vetëm katër minuta më pas vjen përmbysja. Pas një pasimi të bukur të Ambrozinit nga mesfusha, Pato gjendet i vetëm përballë portierit spanjoll, të cilin e shmang në hyrje të zonës dhe kalon në avantazh Milanin.

Vetëm dhjetë minuta më pas, Drente, i sapofutur në lojë në vend të Graneros, barazon shifrat. Një skemë nga goditja e këndit  jep mundësi hollandezit të gjuajë rrafsh me tokën dhe ta dërgojë topin në cepin e djathtë të portës së Didës. 2-2.

Për të rikthyer epërsinë skuadrës së Leonardos mendon përsëri Pato, që pas një pasimi përfek nga Sedorf nga e majta, mposht për të tretën herë Kasiljasin. Më parë Tiago Silva kishte shënuar për Milanin, por gjyqtari e vlerësoi si të parregullt golin e mbrojtësit brazilian.

Nuk ka më kohë në dispozicion të “Galaktikëve”, të paktën për të mos dalë të mundur nga stadiumi i tyre. Përfundon 3-2 për Milanin, një sukses që vjen në momentin e duhur për trajnerin Leonardo, i kritikuar për rezultatet e dobëta në ndeshjet e para. Tashmë Milani dhe Reali kryesojnë grupin C me nga gjashtë pikë dhe “akti’ i dytë do të luhet në “San Siro” pas dy javësh.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Olimpik Marseja mundi 1-0 Zyrihun në transfertë, duke marrë tre pikët e para në këtë edicion. Francesët dhe zviceranët kanë secili nga tre pikë dhe do përpiqen t’ia rrëmbejnë njëri-tjetrit vendin e tretë, që të çon në Ligën e Europës.

Real Madrid 2 – 3 Milan (Raul 19', Drenthe 76' /  Pirlo 62', Pato 66', 88')

Real Madrid (4-2-2-2): Casillas 5; S. Ramos 5,5, Pepe 6, Albiol 5,5, Marcelo 5,5; L. Diarra 7, Xabi Alonso 6; Granero 6 (22' pd Drenthe 6,5), Kakà 6; Raul 6,5, Benzema 5,5. (Dudek, Arbeloa, Garay, M. Diarra, Van der Vaart). Trajner: M. Pellegrini

Milan (4-3-2-1): Dida 4; Oddo 6, Nesta 7, T. Silva 6,5, Zambrotta 6; Seedorf 6,5, Pirlo 6,5, Ambrosini 6,5; Pato 8, Ronaldinho 6 (47' pd Flamini); Inzaghi 5,5 (15' pd Borriello 6). (Roma, Kaladze, Jankulovski, Antonini, Huntelaar). Trajner: Leonardo

Gjyqtar: De Bleeckere (BEL)

Kartonë të verdhë: Albiol, Marcelo, Raul (R), Zambrotta, Nesta, Ronaldinho (M)

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›