E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani fiton, Roma rihap kampionatin

Interi, jo vetëm që nuk e festoi fitimin e titullit, por tani ka nisur të ketë edhe frikë. Zikaltrit u mundën 2-1 nga kushërinjtë kuqezinj dhe tani kanë vetëm 3 pikë avantazh ndaj Romës, e cila e ndreqi Sampdorian me tri gola në Gjenovë. Tifozët e Milanit festuan për arritjen e vendit të katërt, duke përfituar edhe nga humbja 2-1 e Fiorentinës në Kaljari. Përkrahësve të Interit iu rishfaqën fantazmat e "5 majit", ndërsa ata romanistë shpresojnë.

INTERI RREZIKON TITULLIN Ishte derbi i 268-të i Milanos, por edhe i pari në histori ku mund të përcaktohej titulli. Tifozët më të zjarrtë të Interit ëndërronin titullin dhe lënien e Milanit jashtë "zonës Champions", por skuadra "më e çmendur" e Italisë i qëndroi besnike traditës së saj dhe ua mohoi tifozëve të saj këtë gëzim me një paraqitje tejet të tërhequr në pjesën e parë, gjatë së cilës kuqezinjtë ishin skuadra e vetme në fushë, edhe pse arritën t'i korrin vetëm në pjesën e dytë frytet e merituara të superioritetit të tyre, me "të zakonshmit" Inzagi dhe Kakà. Ishte disi i vonuar reagimi i Interit, që e ngushtoi diferencën me një gol të Kruzit në minutën e 76-të. Më pas, zikaltrit u hodhën tërësisht në sulm, duke aktivizuar edhe Balotelin e Suazon, por ishte shumë vonë. Ka qenë një gëzim i dyfishtë për Milanin, pasi nuk e lejoi Interin të shpallet kampion përpara tifozëve kuqezinj, si dhe arriti të kapë vendin e katërt, i cili sjell aktivizimin në Ligën e ardhshme të Kampioneve.

ROMA SHPRESON Ndërkohë që në "San Siro" shkatërroheshin ëndrrat e tifozëve të Interit, Roma fitoi në Gjenovë duke triumfuar. Ndaj, nuk është rastësi që golat e verdhekuqve mbërritën të gjithë pas lajmit të golit të parë të shënuar nga Milani në "San Siro", dhe tani djemtë e Mançinit janë vendosur në "shënjestër".

FIORENTINA ZHGËNJEN Disa tifozë të tjerë të zhgënjyer janë ata të Fiorentinës. Brenda pak ditësh, një Ligë Kampionesh, që dukej si e sigurt, tani është bërë më e vështirë për t'u arritur. Nuk mjaftoi goli i Santanës për të përmbysur rezultatin e diktuar nga golat e Kontit dhe Xhedasë, por tani janë vjollcët ata që e ndjekin Milanin, i cili ndodhet një pikë përpara.

JUVENTUSI SHTANG Në një ditë tejet të habitshme, edhe Juventusi luajti rolin e tij, i cili u mund befasisht 1-0 nga Siena, duke u dhënë lamtumirën ëndrrave për të arritur vendin e dytë. Ndërsa Siena e ka arritur matematikisht shpëtimin.

ZONA E NXEHTË Në zonën e rënies nga kategoria, "balotazhi" mes Katanias dhe Rexhinës shënoi fitoren e kalabrezëve 2-1, falë një dygolëshi të Amoruzos, duke i kapërcyer kështu rivalët direkt në renditje. Empoli, që u mund nga Udinezja (01), tani ndodhet në "zonën e dëshpërimit". Livorno, që u mposht nga Atalanta 32, i jep lamtumirën Serisë A. Torino, që fitoi 21 ndaj Napolit, ka mundur të marrë frymë e çliruar. Parma mundi Xhenoan 10 dhe vazhdon të shpresojë. Në të vetmen ndeshje pa rëndësi të javës, Lacio humbi në fushën e saj 1-2 ndaj Palermos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›