E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani frenon Barcelonën, s'ka fitues në "San Siro"

MILANO - Emocione pafund, por asnjë gol në supersfidën e mbrëmshme mes Milanit dhe Barcelonës. Në "San Siro", ndeshja kryesore e çerekfinaleve të Champions League ka përfunduar në barazim 0- 0, me katalanasit që kanë qenë dominues dhe me një Milan që ka luajtur ballazi, pa asnjë frikë.

 Një gjë e tillë ia ka shtuar momentet emocionuese takimit, pasi të dyja skuadrat janë përpjekur ta fitojnë ndeshjen. Barazimi i mbrëmshëm duket se i shkon për shtat Barçës, që të martën e ardhshme do t'i presë kampionët e Italisë në fushën e saj. Megjithatë, rezultati 0-0 mbetet gjithnjë i rrezikshëm për çdo ekip vendas. Sa i përket ndeshjes, ajo nisi me një mundësi të artë për Robinjon, që edhe pse 5 metra larg Valdes, goditi lart. Më pas Barça mori kontrollin e lojës, duke trembur kuqezinjtë me disa aksione shumë të shpejta.
Pas një goditje dënimi, një skemë e katalanasve nxorri të lirë Aleksis Sançez, që u pengua nga Abiati, por për gjyqtarin nuk pati penallti. Më pas ishte Mesi që shënoi, por argjentinasi ishte dukshëm në pozicion jashtë loje. Në krahun tjetër, Ibra pati në këmbët e tij topin për t'u hakmarrë ndaj Guardiolës, por është ndalur nga Valdes. Pjesa e dytë ka nisur disi më e qetë, ndërsa Milani u duk më i vendosur.

Aksionet e mira nuk kanë munguar, megjithatë mbrojtësit e Barcelonës kanë spastruar gjithçka me kujdes. Rastin më të mirë e pati Emanuelson, i futur në vend të Boateng, por holandezi nuk e kontrolloi mirë pasimin e Ibrës. Në krahun tjetër, Mesi për pak nuk realizoi me një goditje të befasishme në zonë, por Abiati ndali gjithçka, madje edhe në tentativën e dytë të Tejos.

Ndeshja përfundoi 0-0 dhe tashmë gjithçka do të vendoset të martën, më 3 prill, në "Kamp Nou". Barça është e favorizuar, por Milani tregoi se mund të rivalizojë me kampionët e Evropës në fuqi.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›