Milani merr ‘kajmakun’ në Kosovë
Të premten ka përfunduar edicioni i dytë i Milan Junior Camp në Kosovë, i cili kësaj here është mbajtur në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. Trajnerët e gjigantit italian lavdëruan fëmijët kosovarë me të cilët kishin punuar gjatë pesë ditëve.
Nga 200 fëmijë sa ishin pjesë e këtij kampi, më së shumti u dalluan Dielor Bezeni, Visar Jetullahu, Valmir Uka, Bleonard Sekiraqa dhe Ramush Ramadani. Sipas trajnerit Macko Schembri, nëse punohet me këta talentë, atëherë në të ardhmen ata do të bëhen reprezentues të rëndësishëm të Kosovës.
Ai gjithashtu u sugjeroi të ‘mëdhenjve’ që t’u krijojnë kushte të vegjëlve për t’u zhvilluar, sepse, sipas tij, Kosova ka potencial për të nxjerrë futbollistë të mirë.
Në anën tjetër, Valmir Uka, njëri prej të zgjedhurve, ishte shumë i gëzuar për komplimentet që mori nga Rossonerët. “E kam pritur përzgjedhjen time në pesëshen e më të mirëve edhe pse thënë të drejtën, jam edhe i befasuar” ka thënë ai.
– “Vendosa të marr pjesë në këtë kamp për faktin se jam adhurues i Milanit. Në bazë të punës që kam bërë, e kam pritur veten në mesin e pesë të përzgjedhurve”, ka shtuar Ramush Ramadani, një tjetër i përzgjedhur.
Pesë fëmijët më të dalluar kosovarë të Milan Junior Camp do të udhëtojnë drejt Milanos, ku do ta përfaqësojnë Kosovën në mesin e fëmijëve tjerë nga 40 shtete të ndryshme të botës – me shpresë që të bëhen pjesë e Akademisë së Milanit.
Mirëpo, bashkë me këta pesë fëmijë, drejt Italisë do të udhëtojnë edhe pesë talentët tjerë kosovarë, respektivisht më të dalluarit e edicionit të kaluar, kur Milan Junior Camp ishte mbajtur në Prishtinë. Fjala është për Muhamet Hysenin, Veton Lushën, Agon Hajredinin, Leart Bilallin dhe Egon Zhegrovën.
Milan Junior Camp tash e dy vjet gjurmon edhe në Kosovë në kërkim të talentëve, siç bën në 40 shtete tjera. E për këtë, më meritori është Rezart Taçi, president i Grupit ‘Taçi Oil’, sponsor i rëndësishëm i Milanit.