E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka, ‘shef’ në Gladbach

Granit Xhaka po shkëlqen në fazën përgatitore me Borussia Monchengladbachun. Vetëm pas tri javësh, mesfushori kosovar është bërë ‘shef’ në ekipin e ri, duke e udhëhequr atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në fitoren 4:2 ndaj skuadrës së divizionit të dytë Munich 1890, ai ishte koka e skuadrës.

“Ja përse kam ardhur në Gladbach. Dëshiroj ta demonstroj atë që mund ta bëj dhe ta përmirësoj lojën e ekipit. Gjithçka po funksionon mirë, ndoshta djelmoshat kanë parë video të lojës sime”, theksoi 19 vjeçari për tabloidin gjerman Bild.

Futbollistin e Baselit e ka lavdëruar edhe drejtori sportiv Max Eberl. “Graniti është natyrisht lloj i lojtarit lider, koka e ekipit, por i duhet të punojë shumë”, ka thënë 38 vjeçari. Edhe shokët e rinj të skuadrës kanë thënë fjalë të mira për Xhakën, i cili i kushtoi Gladbachut 8,5 milionë euro. Ai e ka shpejtuar lojën e klubit nga Bundesliga dhe është bërë lider i ri.

“E pëlqej stilin e lojës së tij. Graniti e merr në dorë lojën dhe di si ta menaxhojë topin”, thotë futbollisti Luuk de Jong. - “Është jashtëzakonisht prezent në fushë. Topat që i luan ai janë super të shpejtë dhe perfektë”, shtoi lojtari tjetër i skuadrës, Amin Younes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›