Milani, në gjurmët kozmpolite te Interit
Interi tashmë e ka marrë nofkën, “skuadra kozmopolite”. Por ne këtë rrugë duket se do të ecë dhe rivali i tij i përjetshëm i qytetit të Milanos, Milani. Pas përforcimeve të fundit (Ibraimoviç dhe Robinjo) pyetja që shtohet është: do të krijojë një skuadër të balancuar Alegri, nëse do të hedhë në sulm katër yje? Dy tekniket e fundit në historinë e Milanit, duke kërkuar të jenë në “vokacion” me këshillat e Berluskonit, hodhën thuajse gjithnjë në fushë, një skuadër sulmuese. Të shumtë ishin numrat 10 te Milani i Ançelotit: Pirlo, Sedorf, Rui Kosta dhe Kaka. Nuk mungoi moduli i fantazisë te Milani i Leonardos: Pirlo, Sedorf, Pato, Borielo e Ronaldinjo, të gjithë bashkë. Por sfida e Alegrit duket më e vështirë pas “sugjerimeve” të marra nga Berluskoni: të katër yjet në fushë. Si do të jetë e mundur? Një alternative është: Robinjo dhe Pato në linjat anësore, sulmuesi i parë Ibraimoviçi dhe pas tij Ronaldinjo. I sakrifikuari mund të jetë Sedorf, pasi mesfusha kërkon muskuj të fortë. Në mbrojtje e fiksuar dyshja në qendër, Nesta dhe Thiago Silva, ndonëse është e vështirë që vetëm këta të dy të rezistojnë gjatë gjithë sezonit. Mbrojtësit e linjave anësore duhet të vrapojnë shumë për të kompensuar punën e Robinhos, Patos dhe Ronaldinjos. Përgjigjen do ta japë fusha dhe pas dy javësh testi i parë është sfida me Çezenën. Tani Seria A është ndalur për shkak të ndeshjeve eliminatore të “Euro 2012”-s. Teknikut Alegri do t’i mungojnë jo pak futbollistë në këtë periudhe pushimi. Plusi për Alegrin është se te të kaltrit e Italisë, ka vetëm një përfaqësues, Pirlon. Por është e hapur dera dhe për Zambrotën, Antoninin dhe Ambrozinin, nëse arrijnë të bindin teknikun Prandeli.
2 Shtator 2010