Kuzhe: “Synoj barazimin kundër Rumanisë”
Pas pesë ndeshjeve miqësore të suksesshme (katër fitore e një barazim) të zhvilluara në harkun e më pak se dhjetë muajve të fundit, Shqipëria në versionin “Kuzhe” do të përballet me Rumaninë (3 shtator, 20:00, “Ceahaul”, Piatra Neamnt), një prej tre favoritëve kryesorë të grupit D kualifikues (së bashku edhe me Francën e Bosnjë-Hercegovinën) në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, i cili do të organizohet në Poloni dhe Ukrainë.
Trajneri Josip Kuzhe mori mesazhe pozitive nga miqësoret me Estoninë (0-0), Irlandën e Veriut (1-0), Malin e Zi (1-0), Andorrën (1-0) dhe së fundit me Uzbekstanin (1-0), duke mos pësuar asnjë gol, edhe pse në portë ka pasur tre portierët e thirrur kundër Rumanisë, Arjan Beqajn, Isli Hidin dhe Samir Ujkanin. Rumania, ndaj së cilës Shqipëria në drejtimin e Oto Bariçit humbi në ndeshjen e fundit të eliminatoreve të Euro 2008-s me rezultatin tenistik 6-1 (Kuzhe, nga ana e tij ka fituar 6-1 një miqësore kundër Qipros, në gusht të vitit 2009), e sheh Kombëtaren tonë, si mundësinë e parë për të parë tri pikë të plota përpara se ajo të ndeshjet me Bjellorusinë në transfertë.
BARAZIMI
Me një grup lojtarësh me përvojë të madh ndërkombëtare (Skela, Duro, Bogdani kanë luajtur secili më shumë se 55 ndeshje), Kuzhe pranoi gjatë konferencës për shtyp se beson te kjo skuadër, duke theksuar se tani fillon puna e tij e vërtetë me përfaqësuesen.
Në tri ndeshjet e fundit zyrtare të tij, kundër gjigantëve të tillë si Portugalia e Kristiano Ronaldos, Danimarka e Niklas Bendtnerit dhe Suedia e Zlatan Ibrahimoviçit, Kuzhe, me përjashtim të humbjes së thellë kundër Suedisë (4-1), tregoi kundër Portugalisë (1-2) dhe Danimarkës (1-1), se ai di të ndërtojë skuadra të disiplinuara taktikisht dhe me mentatilet të fortë. “Para një viti u komunikova lojtarëve se ky vit do të shërbejë si fazë përgatitore për europianin. Pas një viti besoj se kemi arritur diçka. Nuk dua të flas për gjëra konkrete, por kam shumë besim tek ekipi. Do të shkojmë në Rumani për një rezultat pozitiv, por do të kënaqemi dhe me barazim”.
Në fakti, kundër Rumanisë, Shqipëria ka mundur të barazojë vetëm një herë në 13 përballjet kundër saj, madje edhe barazimin e vetëm e ka arritur në Bukuresht, por në vitin e largët 1949 (1-1).
PRESIONI
Nëntë humbjet rresht me Rumaninë janë një tregues i keq për Shqipërinë, por edhe pse personalisht Kuzhe nuk ka të bëjë fare me këto statistika, fakti që ambienti sportiv shqiptar pret një autokritikë prej Kombëtares, duket se e ka vendosur nën presion trajnerin kroat. “Më pëlqen të jem nën presion sepse kjo më bën të jem më serioz. Do të luajmë ndeshje zyrtare për kualifikueset dhe duam të tregojmë më të mirën. Dikush thotë që nën presion është frikë. Nuk është frikë, por është përgjegjshmëri”, - shtoi trajneri Kuzhe, i dyti kroat që drejton Shqipërinë pas Oto Bariçit.
STRATEGJIA
Në dhjetë ndeshjet e drejtuara nga Josip Kuzheja, me përjashtim të ndeshjes kundër Estonisë, kur Shqipëria barazoi pa gola, skuadrat e hedhura në fushë nga pasuesi i Ari Hanit, e kanë gjetur rrugën e golit, madje në nëntë ndeshjet e tjera janë shënuar jo pak por, 14 gola, me kulmin në ndeshjen kundër Qipros (6 gola). “Po mendoj për një strategji për të luajtur në sulm që të kemi rezultat të mire, por edhe të mbrohemi sepse nuk duam të humbim. Me lojtarët e grumbulluar do të bëjmë formacionin më të mirë të mundshëm”. Shqipëri do të luajë Beqaj, ndërsa para tij pritet të jenë Dallku, Cana, Curri dhe Vangjeli. Në mesfushë pritet të luajnë Bulku, Lila, Muzaka dhe Agolli, ndërsa në sulm dyshja Bogdani-Salihi. Në dhjetë përballjet debutuese të kampionateve europiane (nga Euro 1964), tetë ndeshjet e para janë humbur të gjitha nga trajnerët shqiptarë, ndërkohë që dy të fundit, ato për Euro 2004 dhe 2008, italiani Xhuzepe Dosena barazoi 1-1 kundër Zvicrës në Tiranë (12.10.2004), ndërsa kroati Oto Bariç barazoi 2-2 kundër Bjellorusisë në Minsk (02.09.2006).
STATISTIKA
Rumania ka një statistikë shumë pozitive ndaj Shqipërisë, ku në 13 ndeshje ka fituar 10, barazuar 1 dhe humbur 2, ku në Rumani ka fituar 5 ndeshje, barazuar 1 dhe humbur 1. Shqipëria humbet prej nëntë ndeshjesh rresht me Rumaninë, përfshirë dhe dy takimet për eliminatoret e Euro 2008-s: 2-0 në Tiranë dhe 6-1 (gol i Kapllanit). Fitorja e vetme e Shqipërisë ndaj Rumanisë daton në vitin 1948 në Bukuresht, ndërsa barazimi i fundit ndaj saj është fiksuar po në Bukuresht, një 1-1 tetor të vitit 1949.
2 Shtator 2010