E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani nuk del te fitorja, rrezikohet Championsi

Ka panik te Milani. Edhe mbrëmë kuqez injtë e Alegrit nuk kanë shkuar më shumë se një barazim kundër Napolit, edhe pse sfida luhej në "San Siro". Ka qenë një ndeshje e luftuar, madje kanë qenë vendësit ata që kanë kaluar të parët në avantazh me Flamininë, por gëzimi nuk ka zgjatur më shumë se tri minuta, sepse Pandev ka realizuar golin e barazimit, 1-1. Rezultat ky që do të ishte edhe final, çka e bën që Milani të rrezikojë shumë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, teksa Fiorentina është 4 pikë larg dhe kuqezinjtë kanë të tjera sfida të forta. Milani, 20 minutat e fundit i ka luajtur me 10 lojtarë, pasi pikërisht autori i golit, Flamini, është ndëshkuar me karton të kuq. Ka rënë në sy mungesa e Balotelit, teksa edhe Sharaui ka hyrë në pjesën e dytë. As Niang, as Pazini dhe as të tjerët nuk ia kanë dalë të thyejnë Napolin, që tashmë ecën më i sigurt për vendin e dytë, çka i siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve direkt në grupe.
INTERI
Kur pritej kthesa e menjëhershme e Interit, pas asaj humbjeje dramatike me Atalantën 3-4, dje zikaltrit kanë zhgënjyer sërish, duke u mundur nga Kaljari në fushë asnjanëse. Me këtë humbje, Interi jo vetëm që i thotë "lamtumirë" Ligës së Kampioneve, por rrezikon pjesëmarrjen edhe në Ligën e Europës për sezonin tjetër. Pas humbjes, natyrisht kanë filluar të qarkullojnë fjalët për largimin e trajnerit Stramaçoni, i cili ka pasur "provimin" e fundit. Presidenti Morati nuk është nxituar në deklaratat e tij, ndoshta edhe për të mos i nxituar në një vendim të shpejtë. Kjo, edhe për arsyen se nuk është ndonjë objektiv madhor për t'u arritur tashmë, dhe deri në mbyllje të sezonit ka kohë mjaftueshëm për të parë të gjitha kandidaturat e mundshme.
JUVENTUS
Pas largimit nga Liga e Kampioneve, Juventusi është fokusuar për të shmangur çdo të papritur sa i përket çështjes së titullit. Sonte kampionët në fuqi do të kenë një takim të vështirë, atë ndaj Lacios, edhe kjo një skuadër që është eliminuar në çerekfinale nga ndeshjet europiane, pikërisht nga Liga e Europës. Do të jetë një sfidë e fortë, për arsyen se të dy ekipet kanë objektiva të rëndësishëm, Juventus për kampion, ndërsa Lacio minimalisht pjesëmarrjen në Europa League. Nga formacionet e mundshme, rezulton që Lorik Cana do të luajë titullar. Ndërsa në krahun tjetër do të mungojë Kielini, që pas Pirlos është lojtari më i rëndësishëm. Kielini është dëmtuar dhe nuk dihet koha e rikuperimit të tij.
TE TJERET
Edhe pse nuk është aktivizuar Erjon Bogdani, skuadra e tij, Siena, ka bërë ndoshta fitoren e sezonit, duke shpresuar te mbijetesa. Siena ka mundur 3-2 në transfertë Peskarën. Ndërkohë, ka gabuar Palermo në fushën e saj, që nuk shkon më shumë se një barazim, duke lënë dy pikë të arta. Ka qenë një gafë e portierit të Palermos që ka bërë që Palermo të qëndrojë në treshen e skuadrave që bien direkt nga Seria A. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›