Milanit i duhet kohë

Portieri i Milanit, Christian Abbiati ka bërë thirrje për durim pasi pranoi se një epokë mori fund në San Siro. Rossonerët i thanë lamtumirë një numri të ikonave gjatë verës, para se të shisnin qendërmbrojtësin Thiago Silva dhe sulmuesin Zlatan Ibrahimoviç në Paris Saint-Germain.
Tifozët u zhgënjyen edhe më tepër pasi skuadra e filloi sezonin e ri në Serie A me humbje 1-0 në shtëpi nga Sampdoria. “Nuk është mirë të humbni ndeshjen e parë të sezonit sepse kjo ju lë shije të hidhur”, deklaroi Abbiati për të përditshmen sportive italiane Gazzetta dello Sport.
“Ne reaguam shumë mirë pasi pranuam golin, por nuk ishim në gjendje të barazojmë rezultatin. Kërkoj nga tifozët të kenë pak durim. Shumë kampionë janë larguar, por kanë ardhur të rinj që janë të uritur për sukses. Pa dyshim se durimi nuk mund të zgjasë përgjithmonë dhe ne duhet të shkojmë në kërkim të fitores në duelin e radhës kundër Bolognas të shtunën. Tifozët kanë kuptuar se një epokë në klub ka marrë fund dhe një e re sapo ka filluar”, përfundoi ai.