E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani hyn në javën e aplikimit të kartës së identitetit

Nga ILIR CARA

Deri me 31 gusht të kuqtë duhet të zgjidhin çështjen e administrimit të klubit, nënshkrimit të kontratave dhe federimin e futbollistëve, afrimet e lojtarëve të domosdoshëm, si dhe përgatitjen për transfertën e Velipojës.

Kur pritej që gjithë puna në kampin e kuq të përqendrohej vetëm në aspektin teknik, së fundi në plan të parë ka dalë sërish në pah çështja e administrimit të klubit.

Aksionari Paro Laçi ka pohuar se ai ka të drejtën për të drejtuar Partizanin në tre vitet e fundit, por në kahun tjetër përfaqësia e biznesmenëve, që pritet të marrë aksionet e Albert Xhanit, kanë bërë të dituar se atyre u takon administrimi.

Pritet që sot të ketë një takim të radhës mes Paro Laçit dhe Lulëzim Sallakut, që është përfaqësues i disa biznesmenëve kanë përgatitur blerjen e aksioneve të Xhanit. Laçi ka pohuar se ka ngritur një grup me avokatë dhe ekspertë kontabël, të cilët po shqyrtojnë gjithçka që po ndodh te Partizani, pasi, sipas tij, ai ka të drejtën e parablerjes.

Shpresohet që ky debat i lindur për çështjen e administrimit të mos rezultojë pengesë për finalizimin e skuadrës që pretendon ngjitjen në Kategorinë superiore. Në këtë javë të fundit të gushtit të kuqtë duhet të plotësojnë edhe nënshkrimin e kontratave me futbollistet si dhe federimin e tyre në FSHF.

Merkato Ndonëse kanë  mbetur edhe 4-5 ditë nga mbyllja e lëvizjeve të futbollistëve, të kuqtë e kryeqytetit mbeten ende në merkato, ku sipas trajnerit Nikolin Çoçlli skuadra ka nevojë edhe për tre përforcime.

Partizani pret që në këto ditë të mbetura të gjejë lojtarët e duhur, të cilët duhet të jenë gati që në ndeshjen e  parë me Adën. Shënjestra e të kuqve mbetet gjetja e një portieri, një ose dy mbrojtësve, si dhe një sulmues, i cili duhet të bëjë diferencën nga të rinjtë që ndodhen në ekip.

Për momentin thuhet se mbrojtësi serb Milan Nikoliç është thuajse i i kuq, gjithashtu pretendohet se është mbyllur gjithçka me dyshen e Kamzës, portierin Bytyçi dhe mbrojtësin Fatjon Tafaj. Enigma mbetet se cili do të jetë përforcimi në sulm?

Transferta e Velipojës Të kuqtë e kryeqytetit e nisin sezonin në transfertë ndaj Adës dhe nga Partizani kërkon maksimumi që në fillim, sepse vetëm kështu mund të synohet ngjitja në Superligë. Trajneri Çoçlli është i kënaqur nga të tijtë, por jo i sigurt, sepse kërkon  përforcimet e dëshiruara.

Të kuqtë do të vijojnë të grumbulluar në Durrës deri të enjten dhe më pas do të kthehen në kryeqytet për të finalizuar përgatitjet për premierën me Adën.

Të martën është planifikuar një ndeshje kontrolli, ku stafi teknik do të shikojë futbollistët e rinj, ata që duhet të përfshihen në 18-she, si dhe lojtarët që kanë ardhur së fundi për tu testuar.  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›