E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet shpallja e Bashkimit Kombëtar

Drejtuesit e Klubit politik “Afrim Zhitia”, kanë deklaruar se është momenti i fundit i zgjidhjes së çështjes shqiptare, duke u bashkuar në një shtet të vetëm. Sipas tyre, dy kryeministrat e shteteve shqiptare nuk janë duke bërë asgjë për bashkimin kombëtar.

Ky klub akuzon Berishën se në deklarimet e tij publike kërkesa e atyre që donë bashkimin kombëtar i ka quajtur si kërkesa ekstremiste, kurse për Hashim Thaçin ka thënë se përmes dhunës po mundohet ta themelojë një shtet totalitar.

“I pari, pra Sali Berisha, në prononcimet e tij për këtë çështje është deklaruar se “ kërkesa për bashkim kombëtar është kërkesë e ekstremistëve”, ndërsa i dyti, Hashim Thaçi, duke ushtruar dhunë e terror në parlamentin e Kosovës dhe rrugëve të Prishtinës, me sistemin e tij totalitar të instaluar në institucionet e Kosovës, po përgatitet të rifillojë edhe një raund të bisedimeve me qeverinë kriminale të Serbisë për t’i falur edhe një herë një pjesë të ish – vilajetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, duhet që urgjentisht qeveria e Tiranës si shtet i pranuar në OKB dhe në NATO, të kërkojë para organizmave ndërkombëtare dhe shtetit grek që është anëtare e Bashkimit Evropian, që t`i rikthejë Shqipërisë, krahinën e Çamërisë, të cilën Greqia e okupoi me dhunë dhe terror.

“Në kohën kur qeveritë e dy shteteve shqiptare me shumë bujë e pompozitet po përgatiten të shënojnë 100 – vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së gjysmës së Shqipërisë, pas shumë luftërave ballkanike e botërore, pas shumë plagëve, viktimave e gjaku të derdhur për liri e bashkim kombëtar, as qeveria e Sali Berishës në Tiranë e as qeveria e Hashim Thaçit në Prishtinë, çështjen e domosdoshmërisë së bashkimit të trojeve shqiptare, të katër vilajeteve të ish – Perandorisë Osmane, as që e kanë në rend të ditës”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga ky klub.

Klubi politik “Afrim Zhitia” mendon se është koha e fundit që Parlamenti dhe Qeveria e Tiranës dhe Prishtinës të nxjerrin një rezolutë të përbashkët, përmes së cilës do të kërkojnë dhe shpallin bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët, fillimisht së paku të Shqipërisë Londineze dhe Republikës së Kosovës, ndërsa në kuadër të bisedimeve shqiptaro – serbe, të kërkohet që trojet shqiptare në Maqedoni, Presheva dhe Malësia e Madhe që sot është dhunshëm nën Malin e Zi, t’i rikthehen natyrshëm shtetit shqiptar. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›