Miliardat e PS s’mund ta pengojnë “Një Shqipëri pa imunitet”
Partia Demokratike ka kujtuar deklaratën 50 milionë euroshe të pasurisë së deputetit socialist Sadri Abazi për të provuar gjendjen e pengmarrjes në të cilën është vendosur lidershipi i PS. I terrorizuar nga verdikti i qytetarëve për heqjen e imunitetit, Edi Rama po konsumon edhe propozimet e fundit antikushtetuese që i kanë mbetur, në përpjekje për të mbrojtur miliarderët që e mbajnë si uzurpator në krye të opozitës shqiptare
Partia Demokratike deklaroi sot se, asnjë kërcënim i kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe miliarderëve të PS-së nuk do të mund të pengojë verdiktin e qytetarëve për një Shqipëri pa imunitet. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi tha se, “asnjë kërcënim nuk do të pengojë verdiktin e shqiptarëve për një Shqipëri pa zyrtarë që e përdorin imunitetin si mburojë për pasurim të paligjshëm, si dhe për të fshehur origjinën e këtyre pasurive nga trafiqet kriminale, fshehja e taksave, kontrabanda, lejet e paligjshme të ndërtimit dhe grabitja e trojeve dhe tokave publike”.
Përmes zëdhënëses së saj, PD argumentoi se paniku i cili ka mbërthyer Partinë Socialiste, ka në bazë pikërisht fshehjen e pasurive të miliarderëve të saj. “Pas bllokimin në parlament të heqjes së imunitetit më datën 6 gusht dhe bllokimit të statusit të vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian, Rama dhe klubi i miliarderëve në krye të Partisë Socialiste ndjehen të tmerruar nga vendimi i mazhorancës për heqjen e imunitetit nëpërmjet verdiktit të qytetarëve, thirrjes së referendumit popullor” thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së. “Në një kaos të plotë, një ditë ata kërkojnë dhe zotohen se do të vendosin Kushtetutën e sundimit të pakicës, një ditë tjetër Edi Rama kërcënon qytetarët dhe mazhorancën se, ai në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, e cila nuk lejon kurrë referendume për çështje territoriale, do të kërkojë referendum për kufirin detar të vendit”, vijon deklarata.
Sipas PD-së, me këtë deklaratë Rama dhe klubi i miliarderëve në kryesinë e Partisë Socialiste, provojnë se për të kundërshtuar heqjen e imunitetit janë gati të dhunojnë Kushtetutën e vendit dhe të shkelmojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Ky qëndrim kërcënues ndaj mbajtjes së referendumit popullor për heqjen e imunitetit arriti kulmin pasi në përputhje me ligjin, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive publikoi pasuritë e deputetëve nga ku rezulton se vetëm njëri nga anëtarët e kupolës së miliardierëve të Partisë Socialiste, deputeti Abazi ka deklaruar një pasuri me mbi 50 milion dollarë. Nga kjo pasuri prej mbi 50 milion dollarë vetëm ndërtime me leje të kryetarit Edi Rama por dhe pa leje fare, janë rreth 7 mijë metër katrorë, kurse të tjerat, të ardhura nga kompania USLUGA që përdor imunitetin e Presidentit të saj, Sadri Abazi për fitime përrallore”, vijon më tej deklarata e PD-së.
Sipas PD-së, “ky person ka edhe 11 veprimtari të tjera në ndërtim e sipër dhe ato që janë deklaruar janë vetëm maja e ajsbergut të pasurisë së tij”. “Këto të dhëna faktojnë se për të mbrojtur pasuritë prej mbi 50 milion dollarësh të zotit Abazi, kryetari i Partisë Socialiste dhe miliarderët e Partisë Socialiste, e kanë jetike mburojën e imunitetit me të cilën bllokojnë hetimin e origjinës së pasurive të tyre”, përfundon deklarata për shtyp e PD-së.