E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KE-së për kriteret e përmbushjes së Udhërrëfyesit për Kosovën, në fund të 2012

11-08-2012 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, mbajtën sot një konferencë të përbashkët për të diskutuar për Marrëveshjen e Stabilizim Associimit (MSA) dhe Procesin e Liberalizimit të Vizave. Çitaku foli për procesin e MSA, ecurinë e Dialogut të Procesit për Liberalizim të Vizave, Themelimin e Strukturave për koordinimin e Procesit të Liberalizimit të Vizave dhe përgatitjen e Raportit të Gatishmërisë. Ndër të tjera, ajo tha se Sekretariati ka pranuar të gjitha inputet nga institucionet për fillimin e përgatitjes së raportit të gatishmërisë dhe ka finalizuar të gjitha Udhëzimet. “Raporti si i tillë do të ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë është raporti i përgjithshëm, i cili do të pasqyrojë gjendjen reale dhe kapacitetet e institucioneve për tu përballur me përmbushjen e kritereve te Udhërrëfyesit, si dhe pjesa e dytë do të përmbajë vlerësimin e përputhshmërisë së legjislacionit vendor me acquis communautaire, natyrisht vetëm për ato ligje që figurojnë në kritere të Udhërrëfyesit”, tha ministrja e Integrimit. Ministri Rexhepi, ndërkaq, tha se sa i përket MPB-së lidhur me liberalizimin e vizave dhe integrimit evropian, kjo ministri gjatë këtij viti ka vazhduar me hartimin dhe kompletimin e kornizës ligjore si dhe janë hartuar e miratuar 25 akte nënligjore. “Përveç kësaj, ligji për Letërnjoftim Biometrik ka marrë aprovimin e Qeverisë si dhe ka kaluar leximin e parë në Kuvend. Lëshimi i letërnjoftimit biometrik do të bëhet në harmoni me dispozitat e këtij ligji. Gjatë kësaj periudhe nga MPB-ja janë lëshuar rreth 106 560 pasaporta biometrike, rreth 114 680 letërnjoftime dhe rreth 40 854 patentë shoferi”, njoftoi Rexhepi. Pasi foli për hapat e mëtejshëm lidhur me riatdhesimin e qytetarëve kosovarë nga vendet perëndimore, Rexhepi theksoi se gjatë këtij viti nga shtetet e ndryshme të BE-së janë kthyer 2 059 persona, duke shtuar më pastaj se Qeveria ka vendosur regjimin e vizave për 86 shtete (vendimi fillon së zbatuari nga 1 janari 2013). Gjithashtu, ministri i Punëve të Brendshme theksoi se është hartuar Strategjia e re për Menaxhimin e Integruar të Kufirit bashkë më Planin e Veprimit 2012-2017 dhe është bërë përparim i konsiderueshëm sa i përket sigurisë publike, parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar. Ai tha se gjithsej janë konfiskuar 337 armë, ndërsa vetëm prej 9 korrikut në dasma dhe ahengje ka pasur 79 intervenime policore, ku janë konfiskuar 107 armë të ndryshme dhe janë konfiskuar edhe 1 391 municione të kalibrit të ndryshëm, ndërsa janë arrestuar 43 persona. Po ashtu, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka ndërmarrë 114 operacione, që ka rezultuar me 367 të arrestuar dhe 38 kriminale të goditura, janë konfiskuar 51 kg e 11 g heroine, 6 kg e 205 g kokaine, 1080 kg e 287 g marihuanë, 8 188 bimë kanabisi, 6 495 fara kanabisi, ekstazi 153 dhe 804 g substanca tjera narkotike. Ndërkaq Drejtoria kundër trafikimit me qenie njerëzore gjatë këtij viti ka bërë 246 bastisje të lokaleve të ndryshme, janë arrestuar 161 persona dhe janë identifikuar 56 viktima të trafikuara dhe gjashtë grupe të shkatërruara kriminale, me c`rast 59 të arrestuar dhe 6 kallëzime penale ndaj këtyre 6 grupeve kriminale. Në këtë fazë, pasi të jetë dorëzuar Raporti i Gatishmërisë, në fillim të shtatorit, pritet që Komisioni Evropian në fund të këtij vitit të japë vlerësimet dhe rekomandimet e veta për sfidat që mund të identifikohen në procesin e përmbushjes së kritereve të Udhërrëfyesit. Kur të pranohet raporti vlerësues i KE-së, do të fillohet më përpilimin e Planit të Veprimit për Implementimin e kritereve të Udhërrëfyesit, natyrisht duke u bazuar në gjetjet nga raporti vlerësues i KE-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›