E Diel, 1 Nëntor 2026

Havzi Nela, një jetë me privilegjin e përballjes me diktaturën

12-08-2012 / Nga Fredi Babani

Në kohën tonë vihet re një inflacion i pazakontë në përdorimin e konceptit “disidencë”. Ndonjëherë ky term përdoret aq lirshëm, sa konsiderohen disidentë njerëz të superstrukturës së të kaluarës, që as u ka vajtur dikur në mendje të ndaheshin nga  opinioni zyrtar, por që mund të kenë pësuar privacione për shkak keqkuptimesh, apo edhe tekash të pushtetmbajtësve. Disidenca konfondohet gjithashtu me çdo lloj kundërshtie ndaj regjimit, nga më e thjeshta; deri tek mospajtimi i përhershëm e tek rebelimi pasues. Në raste të tjera, jepen mendime, në dukje e në të vërtetë më racionale, se disidenca në Shqipëri, për vetë kushtet e diktaturës më të egër komuniste, që ka njohur bota, nuk ka ekzistuar fare.
Duke shprehur një mendim modest, që më duket se është më afër së vërtetës, mund të them, se disidenca ka ekzistuar edhe tek ne, çështje kjo që është vënë shpesh në diskutim. Por ajo që dua të shpreh sot është se Havzi Nela, ky martir i demokracisë që përkujtojmë, nuk ka qenë disident. Ai ka qenë shumë më tepër se kaq. Ka qenë kundërshtar i rreptë dhe i papajtueshëm i atij regjimi gjakatar, që u ra në pjesë ta duronin tre breza shqiptarësh. Ka qenë demaskues, denoncues e në të njëjtën kohë luftëtar potencial për rrëzimin e diktaturës komuniste. Që në fillimet e instalimit të saj e deri sa ishte gjallë, rezulton që në asnjë rast Havzi Nela nuk ka qenë pjesë e strukturave, drejtuese apo të privilegjuara, të atij sistemi e më pas të jetë zbutur, zhgënjyer apo të jetë penduar  për rrugën e tij, tipare këto të disidencës së shfaqur, të pranuar apo ndoshta edhe të nxitur nga udhëheqësit e rinj të moderuar të lindjes, pas periudhës staliniste. Atëhere, në kushtet e reja të krijuara, udhëheqësit e breznisë së dytë të diktaturave të lindjes komuniste, për hir të mbijetesës, ndonjë herë edhe me pendim të mirëfilltë, arritën edhe të aspironin për një socializëm të ri, me fytyrë njerëzore. Përkundrazi! Havzi Nela nuk u identifikua kurrë me shtresat e privilegjuara të sistemit komunist. Edhe shkollën e mesme e kreu me sakrifica. Edhe të lartën e mori me korrespondencë, sepse, në vitin 1961, regjimi e përjashtoi nga shkolla për një artikull të botuar në “Zërin e Rinisë”, i cili binte ndesh me frymën zyrtare. A do të mbahej përkohësisht në arsim? Patjetër! Në kohën që ai punoi mësues, regjimi kishte shumë nevojë edhe për specialistët më të thjeshtë. Shumica e tyre vinin nga radhët e klasave të përmbysura  dhe të kundërshtarëve politikë. Me kohë, ata do të seleksionoheshin me një mosmirënjohje karakteristike për ata njerëz drejtues që nuk dinin të respektonin  të mirën që iu bë kur kishin nevojë.
Havzi Nela nuk priti as kaq. Në vitin 1966, kundërshtoi hapur direktivën e kongresit V të PPSH për kolektivizimin e zonave kodrinore - malore, duke vënë në dukje se një veprim i tillë do të ishte shkatërrues për fshatin malor e do të rrënonte edhe atë pak ekonomi që i mbante gjallë njerëzit në kushtet e mbijetesës. Në atë kohë, t’i kundërviheshe publikisht pastër e pa ekuivoke direktivës së partisë, ishte e barabartë me vetëflijim. Këtë e bëri Havzi Nela, jo thjeshtë se ashtu mendonte në mënyrë racionale, sepse mund të heshtte si të tjerët, por sepse në shpirtin e tij vlonin frymëzimet poetike, më të pastrat e më qashtrat, deri në naivitet, që ka njohur bota, vrulle që nuk mund të ndryheshin dot brenda, por që do ta çonin drejt privimeve të panumërta, siç është fati i racës së poetëve në të gjitha tiranitë. Në kushte të tilla, nuk i mbeti gjë tjetër, veç t’i linte lamtumirën Atdheut të vet të dashur, me një shpresë të vagëlluar, se mos ndoshta armiqtë tanë shekullorë, këtë herë të quajtur  komunistë jugosllavë, por që kishin bërë një hapje drejt perëndimit, do të ishin moderuar sado pak, sa të respektonin mendimin e lirë. Ishte një ndërmarrje e dështuar, e ushqyer nganjë ëndërr e kotë. Ku ta dinte poeti idealist, se komunistët ballkanikë, sado të ndryshëm të shfaqeshin, sado të ndaheshin nga njeri tjetri, në një pikë të vetme bashkoheshin: në pansllavizmin, pra në ortodoksinë dhe në antishqiptarizmin shovinist. Ndaj, ustallarët ua kthyen prenë çirakëve të tyre atdhemohues, por të kamufluar në një vello gjoja atdhetarizmi.
Pikërisht, në këto çaste fillon veprimtaria e mirëfilltë letrare e Havzi Nelës, jo si meditim i thjeshtë me tipare disidence, por si veprimtari e plotë, e ndërgjegjshme kundërshtare deri në tejskaj e diktaturës, që jo vetëm do të përshkruante gjendjen e pashpresë, por që në çdo varg, herë do të nënkuptonte dhe herë të tjera do të bënte hapur thirrje për rrëzimin e atij regjimi tiranik, me çdo formë të mundshme që mund të arrihej. Qysh në hapat e parë e deri në frymën e fundit, krijimtaria e Havzi Nelës do të përshkruhet nga një qëndrueshmëri e palëkundur, nga këmbëngulja stoike, se me regjimin ekzistues nuk kishte asnjë mundësi marrëveshjeje; ai duhej përmbysur, qoftë edhe me flijimin ekstrem. Motoja e tij do të mbetej: “Jeta dhe vdekja duhen merituar”.
Krijimtaria e Havzi Nelës mori jetë në kushte të jashtëzakonshme. Ajo mban vulën e izolimit të plotë në qelitë e burgut dhe të survejimit të pandërprerë. Në kushte të tilla, Havziu zhvilloi mekanizmat mbrojtëse. Trupi mund të mbahej rob, por mendja e tij mbetej e lirë. Kur mbetej vetëm, në errësirën e natës, mendimi fluturonte përtej vargonjve dhe hekurave. Ai ndjehej shpirtërisht luftëtar krenar; edhe në kushtet më të vështira, injektonte me vetëdije optimizëm të pashoq, që do t’i rigjallëronte shpresat për  të ardhmen, ato shpresa që privacionet e burgut mundoheshin t’ia shuanin. Në ndërgjegjen e tij, do të lindnin vargjet lapidare të poezive “Në qelitë e burgut”, “Fjala e poetit”, “Si shqiponja në ajër u lëshove” e të tjera si këto. Vargjet, me shpresë se një ditë do t’ i çlironte nga burgu, hë për hë do t’i mbante për vete; nuk do t’i ndante as me bashkëvuajtësit, sepse kishte rrezik të binin në kurthet e xhelatëve, që gjithsesi do të hakmerreshin për t’i thyer vullnetin këtij të burgosuri problematik. Kemi të bëjmë këtu me një mekanizëm mbrojtës inteligjent, që mbushte boshllëkun rrënues të izolimit. Ky mekanizëm ka qenë shpesh efikas, për të ruajtur të pacënuar karakterin, apo ekuilibrin mendor. Kur futesh në botën e këtij poeti, të duket sikur po njeh dishepullin e heroit të përshkruar nga Stefan Cvajgu në novelën e shahut; bindesh se qëndrueshmëria (stoicizmi) nuk është një kategori abstrakte, por karakteristikë  më e natyrshme për njerëzit  inteligjentë, që në çdo rast dijnë të aktivizojnë mekanizmat mbrojtës. I shkëputur me vetëdije të plotë nga realiteti i mjerë ku ka rënë, poeti fluturon me flatrat e imagjinatës, në një tjetër kohë dhe tjetër hapësirë, siç përshkruhet në poemën “I këndoj vendlindje sime”.
Forma e krijimtarisë së Havzi Nelës njehsohet me traditën më të mirë të letërsisë së shkruar dhe gojore shqipe. Ajo i përngjan eposit të kreshnikëve, vjen si vazhdim organik i arritjeve të rilindasve tanë, në jug e në veri dhe rrëmbehet nga jehona e lahutës së Fishtës. Kjo formë të shprehuri nuk ishte një zgjedhje e vullnetshme e poetit. Ajo imponohej nga kushtet e rënda dhe privacionet e burgut. Ishte një mënyrë shprehjeje e detyruar, kur do të mbante në mendje mijëra vargje, jo sepse ishte i verbër si Homeri, as i drejtpërdrejtë mes njerëzish si rapsodët e dikurshëm. Vargjet e tij do t’ i mbante në mendje edhe pse të padeklamuara kurrë, me shpresën që s’ vdes, se një ditë do t’ i çlironte nga burgu, për t ‘ i limuar në kushte më të qeta e më të lume, për të e për këtë komb. Ndaj figurat që krijon ai ngjajnë me shkrepat e maleve, në virgjërinë e tyre të paslatuar, ku herë pas here merr jetë ndonjë vegim i papritur, konkretizuar sa lakonik aq edhe kuptimplotë, si në rastin e shpërthimit “derr - beter”, për shtypësin kriminel në poezinë me nota pak pesimiste “Ma mirë le t’i mbylli sytë”.
Ai bashkon legjendën me realitetin, si në ciklin e këngëve “Fluturon shqiponjë e malit”. Le të kujtojmë gjithashtu lisat e gjatë shekullorë që rrëzohen nga sharra, ashtu siç priten nga kosa e tiranisë malësorët pasardhës të eposit të heronjve. Ai di të dallojë bukurinë shpirtërore të bashkatdhetarëve të vet edhe në kushtet e rënda të pllakosura nga diktatura, siç mund të shihet në krijimin me frymëzim bajronian “Lamtumirë Fushë-Arrëz”.
Havzi Nela mbetet gjithmonë i qartë në botëkuptimin e vet e nuk ushqehet me iluzione. Ai sikur e parathotë fundin e tij tragjik kur shpreh mendimin profetik: “Djemtë më të mirë i preu litari”. Ai e di fundin që e pret, por nuk pendohet për rrugën që ka ndjekur. Pikërisht, në këtë këndvështrim, krahas talentit të padiskutueshëm, rriten edhe përmasat e heroizmit qytetar të Havzi Nelës.

*(Referuar në takimin përkujtimor me rastin e 24 - vjetorit të ekzekutimit të Havzi Nelës)
 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›