E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Miliarderët e PS', Rama: S'kanë marrë asgjë nga politika, qeveria i ka pirë gjakun vendit

SHKODER - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga kandidati për deputet Tom Doshi, zhvilloi paraditen e sotme një “Kënd Fjale” me banorët e Gurit të Zi në Shkodër, ku iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre.

Duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit Berisha për miliarderët e PS-së, Rama tha se ndryshimi mes sipërmarrësve socialistë dhe anëtarëve të qeverisë është se biznesmenet e PS-së i kanë bërë paratë me bizneset e tyre, ndërsa qeveritarët janë pasuruar në kurriz të qytetarëve, përmes korrupsionit. 

“E keni dëgjuar shpesh Saliun që të thotë se në grupin e deputetëve të PS ka disa milionerë, madje në mënyrë të pacipë. Ka nxjerrë dhe një spot ku rreshtojnë portrete sipërmarrësish. E dini kush është ndryshimi midis Tom Doshit dhe secilit prej anëtarëve të kësaj qeverie, duke filluar nga katragjyshi. Ndryshimi është ky, se Tom Doshi erdhi në politikë nga biznesi, hyri në politikë si sipërmarrës dhe paratë i kishte bërë si sipërmarrës. Në politikë shumë ka dhënë dhe asgjë s’ka marrë nga pikëpamja financiare. Këta hynë në qeveri me një kostum dhe sot janë miliarderë dhe pasanikë, jo nga biznesi, por nga korrupsioni. Ky është ndryshimi. Ja pse unë jam krenar që në skuadrën tonë të rilindjes ka sipërmarrës, që kanë bërë sukses, kanë paguar taksat për këtë shtet. Njerëz që kanë shpenzuar shumë nga pasuria e tyre ne opozitë, jo vetëm për tu shërbyer njerëzve, siç ka bërë Toma këtu, por për të paguar gjoba arbitrate skandaloze. Ndryshe nga ata që i kanë pirë gjakun këtij vendi, kanë grabitur gjithçka që ka patur nën tokë e mbi tokë. Në 23 qershor do të marrin ndëshkimin nga ky popull.”- u shpreh Rama. 

Kam një biznes të vogël, jemi përmbytur disa herë. Çfarë masash do të merrni ju që mos të na ndodhi më kjo fatkeqësi, të mos përmbytemi më?
Përmbytjet vijnë nga një rrënim i përgjithshëm, shkatërrimi i hidrovoreve, shkatërrimi i pyjeve, erozioni, nga gjithë këto fenomene që janë pjesë e një zhvillimi barbar. Të marrim çtë marrim sot se nesër me kismet zotit! Ne shkop magjik nuk kemi, por nga ana tjetër këto nuk janë fenomene që na takon ne të shpikim zgjidhje. Zgjidhje ka, ekspertë kemi ne, ka bota, do të bëjmë projektin e detajuar dhe do të fillojmë të përballemi me këtë gjë. Se nuk mund ta quajmë natyrale, kjo s’ka kuptim. Të jeni të sigurt që këtu e katër vjet, ne kur të vijmë këtu, Guri i Zi nuk do jetë bërë Zvicër, por do të flasim për gjëra të tjera se disa nga këto gjëra ne do t’i kemi zgjidhur.
Në lidhje me shëndetësinë. Jemi vetë i gjashtë, i papunësuar, i pasiguruar. Çfarë parashikon programi i PS-së për shëndetësinë?
Ndoshta keni ndjekur një debat që kemi bërë mbrëmë. Ky është problem serioz në këtë vend, që ka akoma njerëz të pushtetit dhe propagandës së pushtetit, që thotë shëndetësia ashtu siç doni ta bëni ju nuk shkon. Parimi i Saliut kush s’ka lekë mos sëmuret. Mos e lini gripin t’ju zerë, kur të afrohet dhimbja e kokës thuajini ik se s’kam lekë! Sëmundja nuk pyet, dhe godet përgjithësisht më të dobëtit. Po të erdhi sëmundja çdo bësh, do shesësh lopën, do marrësh borxh? Unë me sytë e mi kam takuar dy prindër nga një fshat i Tiranës me djalin me leucemi. I kishin shitur të gjitha dhe ishin të pezmatuar sa s’ka. Ai i ati thoshte, dakord të gjitha këto patjetër që do ti bënim, por çfarë do bëjmë kur të mbarojnë këto lekë. Në programin tonë s’ka asnjë shpikje, ka vetëm referenca në eksperienca të suksesshme. Parimi ynë është kujdesi shëndetësor nuk është mall, por e drejtë. Këta thonë kushton, patjetër kushton, pyetja është kush do t’i paguajë? Këta thonë t’i paguajnë ata që s’kanë. Ne themi t’i paguajë shoqëria, nga taksimi i përgjithshëm të mbajë hapur derën e spitalit. Këtu nuk është vetëm çështje lekësh, Shqipëria ka pasur aq shumë lekë për të bërë punët e veta sa sot do ti kishte zgjidhur pjesën më të madhe. Lekët janë harxhuar, ujë nuk ka se lekët janë vjedhur. Shqipëria i ka harxhuar lekët për rrugë, por rrugë nuk ka. 
Kam kryer universitetin, kam bërë një master, kam edhe anglishten e mbrojtur dhe sa kritere të tjera më duhen për të aplikuar për një vend pune?
Në çdo “Kënd fjale” dëgjoj të rinj që nuk çajnë dot, ku të shkojnë? Për mësuese anglishteje ka nevojë dramatike, sidomos në fshat. Të shkojë në Drejtorinë Arsimore, duhen 5000 euro dhe 100 vota për PD tani që është fushatë. Ne do t’ju japim mundësi të konkurroni dhe konkurset do të kenë një garanci më shumë sepse do jetë Drejtoria Arsimore, qeveria dhe prindi. Kështu nuk do të ketë korrupsion dhe zgjedhja bëhet siç duhet.
Kam qenë 22 vjet me PD, e kam kuptuar që PD nuk na e sjell demokracinë. Jam tash 9 vjet dyerve të gjykatave. Kërkoj vetëm drejtësi i thashë asgjë tjetër. Kam besim tek PS se nuk i fut duart neper gjykata dhe nuk e detyron trupin gjykues për të marrë vendime politike. Dy herë ma ka pushuar çështjen e 9 janarit prokuroria e Vlorës, dy herë e kam hapur me procese gjyqësore. Ne kërkojmë drejtësi. Ju bëj thirrje demokratëve të çohen në këmbë e të kërkojnë demokraci si në vitin ‘90-‘91 se në Shqipëri është vendosur një regjim më i egër se i Enver Hoxhës.
Të falënderoj. Shpresoj shumë që shumë të tjerë ta dëgjojnë. Edhe pse ju keni një plagë shumë të madhe dhe jo të gjithë mund ta ndjejnë dhe ta kuptojnë këtë lloj situate. Ju lutem ka edhe 9 ditë vendimtare për të bërë një zgjedhje të drejtë. Gjëja që do tu kërkoja është tu lutesha të gjithëve këtu, secilit, në këto 9 ditë gjeni rreth e rrotull njerëz dhe merrini të votojnë. Zgjedhja në 23 qershor është për të marrë në punë njerëzit e duhur që t’ju shërbejnë. Unë ju siguroj për një gjë, nuk kam shkop magjik, por nëse do të me jepni besimin hallet dhe problemet tuaja do jenë dhe të mijat. Do t’i bëjmë gjërat bashkë dhe do të jemi shumë të qartë çfarë mund të bëhet dhe jo. Nuk do themi atë që se bëjmë dot por do bëjmë atë që themi. Kur e keqja e kap për fyti një popull nuk është faji i të këqijve, por i të mirëve që rrijnë këmbëkryq. Puna e të mirës brenda popullit, përmes çdonjërit, prej jush është të votojë, ta shprehë vullnetin me votë. Kush thotë si do ja bëjmë se vota do të vidhet, merrni dhe një tjetër mos shkoni vetëm. Se po vodhi taten, ngelet ajo tjetra dhe s’ka çfarë të bëjë. Votën tuaj do ta garantojmë në mënyrë absolute, por ama votën tuaj në kuti do ta sillni ju.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›