E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliband: Vendimi i GJND-së, konsolidues

Ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, vlerëson se dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkalla e rrezikshmërisë në vend është zvogëluar.

Në një intervistë për radio Deutche Welle, Miliband ka thënë se çështje kyçe mbeten korrupsioni dhe qeverisja. “Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të konsolidojë faktet ekzistuese në rajon”, citohet të ketë thënë ai.

“Kur është fjala për njohjen, deri tani nga rreth 64 - 65 vende mund të thuhet se ky është një zhvillim qendror”, ka thënë Miliband, duke shtuar se derisa një zhvillim i këtillë nuk është i shkëlqyeshëm, ai është zhvillim qendror.

Kur është fjala për qeverisjen dhe korrupsionin, Sekretari i Jashtëm britanik thotë se në këtë drejtim çështje kyçe mbeten për t'u trajtuar. Sa i përket ekonomisë, Miliband thekson situatën globale ekonomike. “Viti 2008 ndoshta nuk ishte viti më i mirë për të shpallur pavarësinë duke pasur parasysh ngjarjet në ekonominë globale”.

Lidhur me marrëdhëniet me Serbinë, Miliband thekson rolin e Qeverisë serbe. Ai thotë se Qeveria e Tadicit ka ecur një rrugë mjaft të kujdesshme, gjë që është e mirëseardhur.

Miliband shpreh rëndësinë e zhvillimeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Ky do të jetë moment kyç”, ka thënë Miliband. “Mendimi ynë legal është absolutisht i qartë. Nuk ka arsye që njerëzit të presin vendimin”.

Por ai shton se është shumë me rëndësi se faktet, që ekzistojnë tani në Ballkanin Perëndimor, do të konsolidohen pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sekretari i Jashtëm britanik thotë se Kosova është ulur në shkallën e matjes së rrezikut, kurse Bosnja e Hercegovina është ngritur.

I pyetur lidhur me të ardhmen e Kosovës dhe Ballkanit, sekretari jashtëm britanik, David Miliband thekson rëndësinë e Bashkimit Europian për rajonin.

Sipas tij, nëse Bashkimi Evropian dëshiron të jetë efektiv, ai duhet të jetë në gjendje të kujdeset për fqinjët e vet.

“Vizioni i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Europian është vizion i drejtë, shumë i rëndësishëm dhe një ndër çështjet e rralla, që i bashkon shumicën e njerëzve në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Miliband.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›