E Hënë, 2 Nëntor 2026

Thaçi: Do të jemi bartës në luftimin e korrupsionit

Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se Qeveria e Kosovës i jep mbështetje të plotë krijimit të Task-Forcës Kundër Korrupsionit, me qëllim që në vend të fuqizohet dhe të instalohet një mentalitet qeverisës me vlera demokratike të transparencës, të legalitetit dhe llogaridhënies.

Gjatë takimit të grupit të sapoformuar antikorrupsion, Thaçi theksoi se në kuadër të ndërtimit të shoqërisë demokratike, forcimit të rendit dhe ligjit, përfaqësimit të drejtë të popullit të Kosovës në procesin e ngritjes dhe zhvillimit të institucioneve funksionale dhe llogaridhënëse, Qeveria e Kosovës vazhdon angazhimet e saj në betejën kundër korrupsionit, si një nga sfidat më të mëdha në procesin e zhvillimit demokratik të vendit.

Kryeministri u shpreh se Qeveria ka krijuar mekanizma për të identifikuar rastet korruptive, ndërsa u zotua se nuk do të ketë kompromis në luftimin e kësaj dukurie. "Si pjesë e përkushtimit tonë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur fuqishëm procesin e krijimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Këshillin mbikëqyrës, të dy mekanizmave profesionalë, të pavarur dhe kompetentë për të luftuar dhe identifikuar korrupsionin. Njëkohësisht dhe bashkërisht me EULEX-in dhe gjithë faktorët e tjerë relevantë, ne do të vazhdojmë të jemi të pakompromisë në luftën kundër korrupsionit. Por, do të jemi bartës në luftimin e kësaj dukurie”, ka theksuar kryeministri Thaçi, transmeton KosovaPress.

Edhe shef i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, theksoi me këtë rast se është detyrë e Qeverisë ta luftojë korrupsionin, ndërsa theksoi se pa sundim të ligjit nuk mund të ketë shoqëri demokratike. “Me lejoni të them se prioriteti i EULEX-it të është të implementojë, bashkë me Qeverinë e Kosovës, një sistem gjyqësor të drejtë, demokratik dhe shumetnik. Ky jo vetëm që është prioritet, por është edhe detyrë, një detyrë e çdo shoqërie demokratike, sepse pa sundim të ligjit, pa sundim të mirë të ligjit, nuk mund ta ndërtojmë një shoqëri të mirë demokratike. Dhe kjo është arsyeja pse ne mirëpresim dhe mbështesim krijimin e kësaj task-force kundër korrupsionit, të vendoset nga Qeveria dhe për ne është një gjë shumë e mirë”, tha De Kermabon.

Më 26 shkurt, Qeveria ka aprovuar vendimin për krijimin e një departamenti të veçantë të quajtur Task-Forca Antikorrupsion, e cila do ta mbështesë Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ky departament i veçantë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit përbëhet nga 5 prokurorë vendorë dhe 3 prokurorë që vijnë nga radhët e EULEX-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›